Përralla mburravece e tolerancës fetare(video)
Politika po shkon disi larg me përrallën e tolerancës fetare ndër shqiptarë. Një realitet i lindur nga shqisat e oportunizmit, kjo tezë po përdoret si instrument grimimi për Shqipërinë. Rast emblematik është kryeministri aktual që në dy fjalimet e fundit në ShBA, dje në “World Leadership Forum” dhe sot në fjalimin në OKB, ka sjellë shembullin e vetes si përfaqësues për Shqipërinë. Dhe më tej, Shqipërinë, si model që mund të ndiqet nga kjo botë e turbulluar nga konfliktet. Në forumin e djeshëm, Rama foli për veten si artist, si një piktor që “kërkon edhe në politikë të ngjyrosë tablot e imagjinatës për vendin”. Cilësi të tilla profesionale, apo cv-ja e dikujt që hyn në politikë, nuk impresionon njeri, përderisa me përkufizim, në politikë hyjnë njerëz që nuk janë aty për t’u impresionuar. Sot në fjalimin në OKB, Edi Rama, ka gjetur një tjetër mundësi për të folur për veten, përveçse për Shqipërinë: “Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe ne kemi një vajzë dhe një djalë të besimit ortodoks. Ndërsa djali tjetër, i sapolindur duhet të vendosë vetë për besimin e tij, edhe pse Papa Françesku e ka bekuar dy herë. Ai është me fat se jeton në një vend ku askush nuk do t’ia imponojë një besim fetar. Ai jeton në vendin ku Papa Françesku e bekoi për tolerancën fetare”, tha Rama. Kujt vallë i interesojnë këto hollësi nga jeta e një njeriu që përfaqëson një vend? Rama jr. jeton në një vend, ku vetëm pak vite më parë të hiqnin dhëmballët nga goja po të flisje për besim fetar, e ku karta e të drejtave të njeriut konsiderohej si platformë borgjeze. Ai jeton, si të gjithë fëmijët shqiptarë, në një vend të dominuar nga krimi, korrupsioni, ku në Parlament ka kriminelë që vendosin për të, e ku kryeministri, që qëllon të jetë babai i tij, bën sikur nuk shikon se çfarë po ndodh. Ndaj Shqipëria, siç ka qenë, siç është e siç do të jetë, nuk ka shanse të japë shembullin për këtë botë. As të jetë ndonjë model. Kështu që këto të zotërisë në fjalë janë një mënyrë për të tërhequr vëmendjen...në një mbledhje ku ka dhimbje koke të tjera.
Add new comment