“Krimi shqiptar ka natyrë mafioze. Drejtuesit e organizatave kriminale ndodhen në Shqipëri”
Para disa ditësh, në një intervistë për Tim Sebastian, kryeministri Edi Rama, deklaroi se në Shqipëri nuk ka liderë të Mafies. Sipas tij liderët e Mafies ndodhen në anën tjetër të Adriatikut, ndërsa në Shqipëri ka njerëz të krimit të organizuar që janë të lidhur me këtë Mafie. “Liderët e mafias janë në anën tjetër të Adriatikut. Ne kemi krimin e organizuar të lidhur me të dhe të mos flasim më për mafian kombëtare. Nuk ka mafie kombëtare. Nuk ka person të krimit të organizuar që kapet që të mos ketë, tre, katër ose pesë kode në telefonin e tij celular. Kështu ka një ndër-lidhje”, tha Rama.
Sot, Prokurori i Antimafias së Leçes, Cataldo Motta, ka deklaruar në një intervostë për “Top-Channel”, të kundërtën: se bosët e Mafies janë në Shqipëri. “Të kuptohemi, mafia tradicionale nuk mund të jetë në Shqipëri, sepse traditat shqiptare janë të ndryshme. Por ka fenomene të organizatës kriminale, të cilat për shkak të natyrës së tyre, janë të karakterit mafioz, pra në kontekstin juridik të termit mafioz, të parashikuara në Kodin tonë Penal. Në këto kushte unë mendoj që organizatat kriminale shqiptare mund të klasifikohen si kriminalitet mafioz, siç në anën tjetër është ajo puljeze, ajo salentine, edhe pse nuk janë plotësisht të lidhura me aspektet tradicionale të mafias”, thotë ai. Pyetjes: “Po ku ndodhen drejtuesit e grupeve kriminale shqiptare?”, Motta, i përgjigjet: “Janë në Shqipëri. Tek ne ka lidhje të personave me këta drejtues, por drejtuesit nuk janë këtu, por në anën tjetër të Adriatikut. Ne nuk kemi të dhëna lidhur me aktivitetin e këtyre drejtuesve që jetojnë në Shqipëri, por nuk kemi rezultatin e aktivitetit te tyre, pra sasitë e drogës që vijnë në Itali, të drejtuara nga këta persona. Por edhe njëherë e them që drejtuesit e këtyre organizatave kriminale janë përtej Kanalit të Otrantos, janë në Shqipëri”, përgjigjet ai.
Add new comment