Shënim: Para kthehu, mbrapa kthehu
Brenda 1 jave qeveria ka dhënë dy variante të mënyrës sesi ajo ka vendosur të kurorëzojë dekriminalizimin, çështje që nuk ka qenë fare në agjendën e saj paraelektorale, por që i doli rrugës falë intuitës së opozitës për t’u kapur pas një kauze që mendoi se do ta mbante në lojë. Dhe kështu ndodhi.
Mazhoranca u detyrua të ulet me pahir në një tryezë për të nënshkruar të famshmen marrëveshje të 24 Dhjetorit për pastrimin e politikës nga personat me rekorde apo të shkuar kriminale, duke ia mbingarkuar këtë përgjegjësi politike karizmatikut Taulant Balla.
Firmosjen e kësaj marrëveshje kryeministri e trajtoi me parimin “Gërmo Tare gërmo, se asnjë gjurmë kriminale me vendime gjykatash nuk ke për të gjetur në gjirin e socialistëve", duke mos pranuar asnjëherë se në radhët e mazhorancës kishte persona të inkriminuar.
Por megjithë stoicizimin e tij për ta injoruar investimin e opozitës, presioni ndërkombëtar, i artikuluar qartë përmes ambasadorit amerikan apo eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein e detyroi të dorëzojë Arben Ndokën dhe të distancohet nga Armando Prenga, deputeti që me një psiqollë pa leje akuzohet se plagosi dy persona para komisariatit të Laçit.
I gjendur përballë kushtit për të kryer dekriminalizimin në këmbim të asistencës për integrimin në Bashkimin Evropian, kryeministri e bëri pjesë të retorikës së tij këtë çështje, duke e kthyer në një bast personal dekriminalizimin sipas idesë së tij për të lehtësuar taksapaguesit shqiptarë nga barra e pagesave për individë të inkriminuar dhe të korruptuar në parlament apo qeveri.
Për këtë arsye para 1 jave, nxori në konferencë për shtyp ministren për Parlamentin, Ermonela Felaj për t’i komunikuar publikut reformën “megjithë mend” të qeverisë për dekriminalizimin me vendosmërinë për ta çuar dhe votuar në parlament, do apo nuk do opozita.
Paralelisht Taulant Balla, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për dekriminalizimin njoftoi vendimin për t’u tërhequr nga komisioni, sipas idesë të gjithë përpara për të bërë atë që thotë partia. Edhe kryeministri Rama u tregua i vendosur, duke e ripërsëritur qëndrimin në emisionin Top Story të së enjtes së kaluar se qeveria nuk ka ndërmend të merret me opozitën, por të ecë e palëkundur në variantin e saj.
“Këtë draft e ka pregatitur qeveria shqiptare dhe do ta paraqesë në kuvendin e Shqipërisë. Pse e kemi bërë këtë, sepse ne kemi bindjen që opozita kërkon ta mbajë peng këtë proces dhet a përdorë të ashtuquajturin dekriminalizimim si një kalë betejë në kushtet kur të gjithë gurët e betejës i kanë ngordhur rrugës. Nëse opozita e ka seriozisht, s’ka asnjë problem nëse do ta bëjë në komsionin përkatës”-deklaroi Rama në Top Story.
Por pak ditë nga kjo deklaratë, qeverisë iu desh të kthehej mbrapsht për të qarë hallin e dekriminalizimit në komisionin që e injoroi publikisht.
“Janë disa artifica që nuk prekin thelbin e ligjit. Jam I bindur se me komunikimin e rivendosur përmes komisionit dhe mekanizmave të tjerë parlamentarë të mundësojmë të kemi një projektligj të përbashkët”, deklaroi sot Taulant Balla. Me pak fjalë, "para kthehu mbrapa ktheu", është motoja me të cilën qeveria po çon përpara kauzat e imponuara që i kanë penguar vrullin e reformave dhe aksioneve të nisura për të bërë shtet.
l.mitro
Add new comment