Kur vdesin diktatorët

Postuar në 21 Shtator, 2015 10:53
Andrea Kendall-Taylor Erica Franz/Foreign Policy

Në gjithë botën tashmë janë 55 udhëheqës autoritarianë. Njëmbëdhjetë prej këtyre udhëheqësve janë 69 vjeç ose më të moshuar, dhe janë në faza të ndryshme të shëndetit në rënie. Shumica e këtyre diktatorëve në plakje, si Jose Eduardo dos Santos i Angolas (73 vjeç), Nursultan Nazarbayev i Kazakistanit 7(5 vjeç) dhe Robert Mugabe i Zimbvavesë (91 vjeç) janë në pushtet prej dekadash. Me vështrim të parë kjo është një pamje shpresëdhënësve për vëzhguesit e demokracisë, që kanë dokumentuar kohët e fundit një ripërtëritje autoritariste të ngadaltë por të qëndrueshme. Sigurisht, fakti që 20 % e e autokracive të botës ka gjasa që të trashëgohen ofron një mundësi për shfaqjen e demokracive të reja.
Nga ana tjetër, ndoshta numri i diktatorëve të plakur dhe të sëmurë është arsye për shqetësim. Disa kanë frikë se vdekja e këtyre udhëheqësve prej shumë kohësh do të shkaktojë luftë politike të brendshme të ashpër ose trazira publike që mund t’i çojnë këto vende në kaos. Shumica e këtyre të moshuarve, si Abdelaziz Bouteflika i Algjerisë, Paul Biya i Kamerunit, dhe Omar al-Bashir i Sudanit, nuk kanë identifikuar ende një trashëgimtar politik për t’u dhënë besueshmëri këtyre shqetësimeve.
Nga vëzhgimi i 79 diktatorëve që kanë vdekur në detyrë nga 1946 deri më 2014, zbuluam që vdekja e një diktatori thuajse kurrë nuk përkthehet në demokraci. Dhe jo domosdoshmërish çon në rënien e regjimit. Në shumicën e rasteve (92 %) regjimi vazhdon pas vdekjes së autokratit. Vdekja e Hugo Chevez-it në Venezuelë më 2013, Meles Zenawi në Etiopi më 2012 dhe e Kim Jong II në Korenë e Veriut më 2011, janë shembuj të këtij përfundimi. Krahasuar me format e tjera të ndryshimit të udhëheqjes në diktatura – si puç, zgjedhje ose kufizime të përkohshme – të cilat çojnë rënien e regjimit gjysmën e rasteve, vdekja e diktatorit është jashtëzakonisht jokonsekuente.
Jo vetëm ndodh shumë rrallë që vdekja e një autokrati në detyrë të kthehet në demokraci, por ajo as nuk përmirëson mundësinë afatgjatë të vendit për liberalizim. Udhëheqësit që vijnë në pushtet pas vdekjes së një autokrati dhe që kërkojnë të devijojnë nga status quo-ja ndodh që hasin qëndresë nga “garda e vjetër” – elementë të regjimit që kanë kontroll mbi levat e pushtetit dhe u intereson t’i kufizojnë ndryshimet në sistemin e ri.
Sot harrohet shpesh që diktatori sirian brutal, Bashar al-Assad, erdhi në pushtet pas vdekjes së babait më 2000, me shpresën për ta liberalizuar vendin. Shumë shpejt, pasi mori pushtetin, ai nisi një seri reformash politike, përfshi përpjekjet për rritjen e lirisë së shtypit, lirimin e të burgosurve politikë, dhe zgjerimin e përdorimit të internetit. Por aftësia e presidentit Assad për të ndryshuar sistemin ishte e kufizuar nga figurat me influencë nga regjimi i babait të tij, të cilët e përdorën pushtetin dhe ndikimin e tyre politik për të bllokuar ndryshimet dhe për të penguar zbatimin e tyre.
Nga vëzhgimet tona del gjithashtu se grushtet e shtetit dhe revoltat janë të rralla pas vdekjes së diktatorit. Gjatë vitit të vdekjes së udhëheqësit në detyrë, grusht shteti ka ndodhur vetëm në 6 % të rasteve, krahasuar me 32 % kur autokratët e kanë lënë pushtetin në mënyra të tjera. Ngjashëm, protestat masive publike kanë më pak gjasa të shpërthejnë pas vdekjes së diktatorit, sesa pas formave të tjera të largimit të udhëheqësit autoritar. Kjo sjellje shfaqet edhe kur ne përshtatim kornizën tonë kohore dhe shikojmë një periudhë pesëvjeçare pas ndërrimit të udhëheqjes.
Në disa raste, si Kuvajti dhe Arabia Saudite, përtëritja e regjimeve autoritare pas vdekjes së udhëheqësit pasqyron qëndrueshmërinë e monarkive, ku procese trashëgimie shumë të institucionalizuara garantojnë stabilitet në breza. Në raste të tjera, ripërtëritja e regjimit varet nga aftësia e baballarëve për të pozicionuar djemtë e tyre si trashëgimtarë, si Siria (2000), Azerbajxhani (2003) dhe Togo (2005). Por dhe vende me mekanizëm trashëgimie më pak zyrtar dhe të dukshëm, si Venezuela më 2008 ose Turkmenistani më 2006, kanë qëndruar dhe pas vdekjes së udhëheqësit.
Ndoshta nuk duhet të habitemi që shumë pak ndryshim ndodh pas vdekje së një diktatori në detyrë. Autokratët që vdesin në detyrë zakonisht janë politikanë të zotë – duke qenë se kanë shmangur shumë kërcënime për regjimin e tyre – dhe kanë pasur mundësitë të kenë ngritur sisteme politike të aftë të rezistojnë pas vdekjes së tyre. Diktatorët që vdesin në detyrë kanë qëndruar mesatarisht 16 vite në pushtet, krahasuar me 7 vitet me ata që janë larguar me mënyra të tjera. Një jetëgjatësi e tillë është e mundur vetëm duke krijuar një rreth të brendshëm me mbështetës elitë, të cilët janë shumë të interesuar në status quo dhe janë të pajisur me institucione që mund t’i përdorin për ta mbrojtur. Me fjalë të tjera, pikërisht strategjitë që janë kyç për qëndrimin e diktatorit në pushtet deri në vdekje, rrisin qëndrueshmërinë pas vdekjes së diktatorit.
Prania e një partie mbështetëse mirë-funksionale është ndër strategjitë kyç që rrit qëndrueshmërinë e autokracive dhe lehtëson procesin e trashëgimisë. Një sërë studimesh akademike tregojnë pushtetin e gjatë të partive politike në vende autitariste. Ndërsa këto parti ndryshojnë nga partitë politike në vendet demokratike, ato kryejnë funksione të rëndësishme në autokraci, të tilla sa kundër-balancimi i ndërhyrjeve ushtarake, shpërndarjen e ndihmave te qytetarët, dhe përhapjen e ideologjisë së regjimit. Edhe më, partitë politikë me funksionim të mirë mund të thithin individë me aspirim politik ose ata që kërkojnë të përfitojnë nga të mirat e pushtetit. Kur këta rivalë politikë potencialë të regjimit përfshihen në sistem, partia shërben si një mundësi për negocime në lidhje me zgjedhjen e udhëheqësit të ri që do të vazhdojë të mbrojë interesat e tyre.
Megjithëse vdekja e një udhëheqësi në detyrë rrallë nxit rënien e regjimit ose prish stabilitetin e tij, këto ngjarje shfaqen herë pas here. Kështu që, kur mund të shqetësohemi për mundësinë e prishjes së stabilitetit? Regjimet e qeverisura nga “njerëz të fortë” – ku pushteti politik është kryesisht i përqendruar në duart e një individi – janë të prirë të jenë më të rrezikuar nga destabilizimi pas vdekjes së udhëheqësit. Por dhe atëherë, destabilizimi është i rrallë sepse shumë regjime të personalizuara sundojnë me ndihmën e një partie politike. Thellësia e partisë ka rëndësi, dhe ato që investojnë në zhvillimin e tyre priren të jenë regjime që mbijetojnë më gjatë pas vdekjes së udhëheqësit. Për shembull, pas vdekjes së Hafez al-Assad në Siri më 2000 dhe Mels Zenawi në Etiopi më 2012 partitë sunduese – Partia Bath dhe Fronti Demokratik Popullor Revolucionar Etiopian – ishin kyçe në garantimin e qëndrueshmërinë e regjimeve.
Në vendet ku regjimet nuk kanë një parti sunduese efektive, gjejmë që këto vende kanë përjetuar kohët e fundit protesta dhe destabilizim të brendshëm dhe po ashtu kanë mundësi më të lartë për grushte shteti dhe protesta në vigjilje të vdekjes së liderit. Periudhat e destabilizimit pajisin segmente të popullsisë me rrejte dhe përvojë që rezulton e dobishme në organizimin e protestave të mëtejshme përballë çdofarë pakënaqësie gjatë ndërrimit të pushtetit. Për shembull, episodet destabilizuese të mëparshme me shumë gjasë kontribuuan në trazirat pas vdekjes së presidentit të Guinesë Lansana Conte më 2008 dhe presidentit të Gabonit Omar Bongo më 2009.
Në raste të tjera që ne vëzhguam, vdekja e një udhëheqësi nxiste dinamika që shkaktonin destabilizim në afatgjatë. Në këto raste, destabilizimi buron jo nga mosmarrëveshje të menjëhershme për pasuesin e mundshëm, por nga taktikat që udhëheqësi i ri përdor për të konsoliduar pushtetin. Në shoqëri të ndara etnikisht ose gjeografikisht, udhëheqësit oportunistë mund të nxitin përçarje për të rritur popullaritetin e tyre. Ky ishte rasti në Bregun e Fildishtë, ku vdekja e presidentit Félix Houphouët-Boigny më 1993 shkaktoi rritjen e nacionalizmit, i cili hodhi farat e luftës civile nëntë vjet më vonë.
Në raportin “Liria në botë” [Freedom in the World] për vitin 2015, Freedom House raportoi se rreziku i zgjerimit të rënies demokratike është më lartë tani se kurdoherë tjetër gjatë 25 viteve të fundit. Fatkeqësisht, rezultatet tona tregojnë se mosha e thyer e 11 autokratëve të botës ofron pak shpresë për ndryshimin e kësaj prirjeje. Në vend të krijojnë hapësirë për ndryshim, vdekjet e këtyre udhëheqësve jetëgjatë me shumë gjasë do të lërë në vend sistemin autokratik që ata kanë krijuar. Megjithëse shumica e ndryshimeve të udhëheqjes gjenerojnë mundësi për transformim politik në diktaturë, vdekja në detyrë nuk është njëra prej tyre. Vdekja në detyrë, si shihet, është një ngjarje e rëndësishme pa rëndësi.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.