Flisni hapur edhe për shokun Enver. Është të paktën më e ndershme
Të gjithë kujtojmë sesa i bezdisshëm dhe acarues, shpesh fyes, u bë Sali Berisha kryeministër, kur nuk linte rast pa folur për historinë e për figura historike, të cilat kërkonte t'i celebronte me sensin e vënies së drejtësisë në vend. E mbajmë mend edhe kur u tall publikisht me një pjesë të Jugut, teksa shpalli si aksion qeveritar kthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës në Shqipëri, gjithë në një përpjekje cinike që mori përgjigje djersitëse në qershor të 2013-ës. Emra rrugësh, rehabilitime figurash, inskenime festash popullore, janë lojëra nga të cilat politika nuk ka ndërmend të heqë dorë. Nga mbrapa u vjen tabori i historishkruesve servilë apo të njëanshëm. Rasti më i fundit është përkujtimi i asaj që njihet si Lufta e Drashovicës, ku nuk është e qartë se për cilën arsye dhe me cilat kredenciale, ka mbajtur një fjalë edhe deputeti socialist Koço Kokëdhima. "Sot është dita që të respektojmë dhe të nderojmë dëshmorët e kësaj lufte, familjet dhe pasardhësit e saj. Sot është koha që të nderojmë veteranët e kësaj lufte dhe familjet e tyre, të lënduarit dhe të plagosurit në këtë luftë, komandantët, ushtarakët dhe udhëheqësit që e drejtuan atë. Në këtë betejë udhëhoqi Hysni Kapo ku dhe u plagos. Ky është një moment që edhe këta komandantë ne t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë. Lufta Nacional Çlirimtare është një nga epopetë më të lavdishme të popullit shqiptar dhe një nga ngjarjet më kulmore të historisë së Shqipërisë në shekullin XX", thote ndër të tjera në fjalën e tij, Kokëdhima. Vlerësimi i rolit të Hysni Kapos në këtë betejë sillet si një Fakt Historik. Dhe këtu nuk ka se çfarë të kundërshtosh. Por një kontribut të tillë historik, e vlerësojnë historianët dhe është e nevojshme që t'u thuhet edhe brezave të rinj. Ajo që nuk qëndron është pjesëmarrja e pushtetit në celebrime të tilla, që në mënyrë implicite pohon lidhjen historike mes PPSH-së dhe PS-së. Hysni Kapo u nderua e vlerësua nga Shqipëria, për të gjithë jetën e vet, si rrallë ndonjë tjetër në këtë vend. Nuk ka arsye që të mbledhim fëmijët e sot e t'u flasim akoma në mexhlis për xhaxhi Hysniun. Këtë e kanë në librat e historisë, bashkë me pjesën tjetër që pasoi. Kjo sjellje e socialistëve na vë para syve një hipokrizi që të neveritet: festa, përkujtime, aludime, brohoritje dhe vetëm për Enver Hoxhën nuk flitet publikisht. Arsyeja dihet dhe kuptohet. Por për të shmangur këtë politikë skuthash është mirë që debati për këtë periudhë të bëhet hapur, të merret një qëndrim për të dhe mandej të ecet me përkujtime e festa, meqë ky është zakoni. Nëse vazhdohet kështu, fshatçe, askush nuk ndalon nesër që monumente të Sali Berishës të ngrihen në nja 200 fshatra e 10 qytete, e me këtë logjikë që të gjithë do të jenë legjitimë. Se fundja bustet e monumentet janë bërë si çezmat publike, lëshojnë një fije hije, e freskojnë miletin.
Add new comment