Franca, gati sulmet ajrore kundër ISIS-it në Siri
Agjensia e lajmeve AFP raporton se Franca do të zhvillojë sulme ajrore kundër organizatës Shteti Islamik (ISIS) në Siri në javët e ardhshme. Lajmin e njoftoi sot ministri francez i Mbrojtjes, Jean Yves Le Drian. I intervistuar nga “radio France Inter” dhe i pyetur se kur, avionët bombardues francezë, që zhvillojnë që prej 8 shtatorit fluturime mbi Siri për grumbullim informacioni, do të fillojnë bombardimet, ministri francez u përgjigj se bombardimet do të fillojnë “në javët në vijim, sapo të jenë mirëidentifikuar objektivat”. Franca, pas një serie atentatesh që e prekën këtë vit, ka filluar të zhvillojë fluturime për të grumbulluar informacione në Siri dhe për të përgatitur terrenin për sulme ajrore kundër organizatës ISIS, një ndryshim në strategji që përjashton çdo ndërhyrje të trupave në terren.
Add new comment