Paloka: Rama po sfidon procesin e dekriminalizimit
Sipas Partisë Demokratike kryeministri Rama, nuk ka ndërmend të shkëpusë krimin nga politika. Një ditë më parë, Abedin Oruçi mori kreun e Këshillit të Qarkut të Kukësit, ku sipas demokratëve ka patur edhe incidente. “Pikërisht në kulmin e debatit për dekriminalizimin, kur mbarë shoqëria e opinioni ndërkombëtar kërkojnë veprim të shpejtë për të shkëputur krimin nga pushteti, Edi Rama ka dërguar në krye të Këshillit të Qarkut të Kukësit një person me të shkuar problematike, si Abedin Oruçi”, deklaroi Edi Paloka, kreu i Grupit Parlamentar demokrat. Paloka shtoi se Oruçi është personazh i kronikave të zeza dhe për këtë u shkarkua prej qeverisë së djathtë, kur ishte kryetar i Komunës së Kolshit. Opozita e konsideron këtë lëvizje të kryeministrit Edi Rama, si sfidë që ai po i bën procesit të dekriminalizimit. “Qytetarët e Kukësit nuk mund ta pranojnë këtë model të Edi Ramës dhe Partia Demokratike bashkë me qytetarët e Kukësit, bashkë me qytetarët e vendit do ta çlirojnë një herë e mirë politikën dhe qeverisjen nga krimi i lidhur me pushtetin”, shtoi më tej Paloka.
Add new comment