"Televizioni klasik e ka mbaruar kohën e vet”
Artan Fuga, profesor i komunikimit, shkruan së fundmi për televizionin klasik, atë linear, i cili po hyn në krizë. Kjo në të gjithë botën kuptohet, por edhe në Shqipëri. Është një fakt që po ndihet përherë e më shumë dhe meriton vëmendje. “Duhet kuptuar një gjë nga operatorët televizivë shqiptarë : Televizioni në ekranin e vet klasik, televizioni i pashoqëruar me shërbime të tjera telekomunikacioni, televizioni linear, televizioni i palidhur me terminalet mobilet PC, tableta, telefona celularë, etj., televizioni i shkëputur nga videotransmetimi dhe rrjetet sociale, e ka mbaruar kohën e vet. Është një Yllësi e fikur që ende vazhdon të ndriçojë për inerci. Ose do të mbyten financiarisht këta operatorë bashkë me të, dhe do të na mbysin edhe neve si qytetarë, duke na bërë të privohemi nga transmetimi i një informacioni cilësor televiziv, nga gazetaria cilësore, nga argëtimi cilësor me figura të lëvizishme, ose duhet kuptuar që jemi në fundin e një epoke që po mbaron”, shkruan Fuga. Në Shqipëri problemi është shumë i mprehtë, pasi investimi në tv këto vite ka qenë i jashtëzakonshëm. Telvizioni madje çoi në periferi shtypin e shkruar – po i referohemi informacionit – përmes avantazhit teknologjik dhe imazhit. Sot në botë po krijon peshë të madhe mjedisi dixhital, i cili po e skualifikon rëndësinë e tv klasike, e bashkë me to edhe forcën e madhe nyjtëuese që ka përpunimi informativ në këto media. “Europa prej mëse një dekade kaloi në masë dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt transmetimeve toksore numerike, dhe pastaj drejt IPTV, televizioni në Internet dhe transmetimet televizive cilësore në ëeb nisën të zenë një vend kurdoherë më të madh në vëmendjen e operatorëve televizivë, të audiencave dhe të gazetarëve, për të mos folur pastaj për industrinë shumëmiliardashe në dollarë e euro të reklamave”, shkruan Fuga. Një sinjal i qartë në këtë drejtim është shëprthimi këto dy vite e mediave online në Shqipëri, të cilat po krijojnë peshën e tyre në përpunimin e opinionit. Një kohë e re po vjen dhe ajo është e pashmangshme, por është disi e habitshme që këtë analizë nuk e bëjnë vetë mediat që kërcënohen nga zhvillimi.
Add new comment