Në horizont, skenari i mocionit ndaj kryeministrit
Partia Demokratike ngjan se e ka vendosur kursin e vet në kontekstin e debatit të madh politik që ka shpërthyer së fundmi. Ajo do ta parqendrojë goditjen ndaj aleatit të PS-së në qeveri, Ilir Metës. Në një shkrim të botuar në gazetën zyrtare “Rilindja Demokratike” insinuohet se kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, janë aktualisht të përfshirë në një gjendje të një shantazhi reciprok. Duke referuar një version, sipas së cilit avokati i qeverisë në Arbitrazh, thotë se “Rama i di transfertat e Metës”, gazeta nënvizon se Kastriot Ismailaj është lidhje vetëm e Ilir Metës. Në këto kushte shkohet në konkluzionin e mëposhtëm: “Ilir Meta nuk mund të shpëtojë duke bërë kurbane, as të fshihet pas kufomës së Adil Çarçanit, as duke shantazhuar Kryeministrin Rama me çantën e Takut, që të çlirohet prej shantazheve që i bën Rama me dosjen e “DIA”-s”, shkruan “RD”. Është një fjali e errët që ka të lexueshme vetëm pjesën e fundit.
Më i qartë shfaqet qëndrimi i opozitës në editorialin e gazetës. Aty flitet për opsionin e një mocioni në Parlament, që do të vinte në provë edhe vetë mazhorancën. Është një opsion që nuk është përmendur nga deputetë apo drejtues të Partisë Demokratike. “Votimi i një mocioni mosbesimi detyron dorëheqjen e Kryeministrit, ose ndryshimin e kursit qeveritar, duke u shkëputur nga pengmarrësit kriminelë të demokracisë shqiptare. Votëbesimi sipas Kushtetutës në Parlament do të mundësonte nxitjen e një debati intensiv, gjithëpërfshirës mbi krizën qeverisëse që po kalon vendi ynë. Edhe pse forca e kartonave të shumicës mund të jetë paracaktuese, detyrimi i opozitës është të ushtrojë të gjitha të drejtat që i jep Kushtetuta deri në fund. Votëbesimi është gjithashtu dhe mënyra më frontale për të matur nivelin real të koalicionit të majtë: LSI do të abstenojë apo do të ofrojë një mbështetje të pakushtëzuar? Në rastin e parë PS do të emancipohet, në rastin e dytë PS do të kriminalizohet dhe më tej”, thuhet në editorialin e “RD”.
Teknikisht nuk dihet sesi mund të ecet drejt votëbesimit. Mocioni sipas Kushtetutës vjen në fuqi, kur kërkuesi arrin të sigurojë votat për një Kryeministër të ri. Ndoshta këtu edhe shpreson PD, pasi LSI mund të ketë tek mocioni një moment për të goditur Edi Ramën. Janë të gjitha spekullime, por këtij skenari që po hidhet në treg nga PD, i duhen shtuar edhe disa elementë: së pari, me largimin e dy deputetëve Prenga e Ndoka, PS shkon në 58 deputetë. Këtu nuk po llogarisim ndonjë të pakënaqur. Së dyti, pakënaqësi ka edhe nga aleatë si PDIU apo PBDNj, që janë jashtë skemës qeverisëse. Pra edhe pse e vështirë, duhet thënë se ideja e një mocioni, qoftë edhe për të hapur një debat, nuk është aq iracionale.
Add new comment