Zgjohuni dhe trimërohuni zoti Kryeministër!
Një proces i pandalshëm i dezintegrimit të një pushteti të privuar nga filozofia demokratike, shërbimi ndaj publikut dhe misioni patriotik. Nuk ka ndodhur asgjë e paparashikueme me kohë, veç është shpeshtuar frekuenca e shfaqjeve degraduese. Qeveria dhe ministrat e veçantë do të duhet të japin përgjigje për tre skandale (një skandal është publikuar nga informacioni i dalë nga avokati i qeverisë shqiptare) dhe denoncime në tri ditë, jo të përsërisë alibinë e kahershme të 21 janarit: si tallje me viktimat e asokohe dhe injorim i ekzigjencave të sotme të Shqipërisë së shtatorit 2015.
Janë një mori pyetjesh që presin përgjigje të shpejtë nga publiku.
Si mundet që ministri i Bujqësisë të firmosë privatizim pronash private dhe publike? Si mund të kalohet në tender një pronë private shekullore e kadastruar që në kohën e Perandorisë Osmane? Si mund të zihen dhe të vendosen në privatizim hapësirat publike në të gjithë bregdetin nga grykëderdhja e Matit dhe deri në grykëderdhjen e Bunës dhe nga Kepi i Rodonit në Kepin Stillos?!?! Si mund të privatizohet hapësira ujore e Republikës së Shqipërisë?! (Prona e shqiptarëve malësorë në grykëderdhjen e Bunës në Republikën e Malit të Zi, nuk është cenuar as nga shteti jugosllav dhe as nga shteti i sotëm i Malit të Zi. Në Shqipëri pronat, kullotat, lagunat që mund të ishin parqe publike, privatizohen me dekrete ministrore dhe qeveritare dhe bëhen objekt i konflikteve për shkak se nuk respektohet pronari i vërtetë.)
Përpjeka për zaptimin me forcën e pushtetit të pronës private, hapësirave bregdetare që kanë shërbyer si kullota dimërore të familjeve malësore, pronave private të familjeve të vjetra që e kanë pasur të kadastruar pronësinë në bregdet, depërtimi i rinovuar në korridorin veriperëndimor, zënia e hapësirave portuale në ketë pjesë të lakmuar të ndërlidhjes së Shqipërisë me Dalmacinë, ndërhyrja dhe kapja e vendeve më popullore dhe simboleve të qytetarisë së qytetit më të vjetër të Shqipërisë nga monstrat e korrupsionit, përmes pasanikëve të rinj, të cilëve nuk u kërkohet kupon tatimor dhe as pagesë e TVSH-së, paaftësia e kryetarit të punëve për të bërë shkëputjen me ligësinë dhe të ligun në të mirë të publikut dhe europianizimit, që po ia kërkon me aq ngulm dhe fajësim liderëve të EU, po shkërmoq edhe atë çfarë ka mbetur nga shteti i së drejtës në këtë vend, i bën qesharake aksionet ndaj kuponëve të dyqanxhinjve dhe burgosjet e shqiptarëve të varfër që vjedhin nga halli energjinë elektrike.
Frekuenca e skandaleve tashme është e ndarë vetëm nga disa orë: Duket sikur skandali i Patokut ka shpërthyer për të “harruar skandalin e madh të dorës së zezë mbi CEZ” dhe për të kaluar me heshtje skandaloze denoncimin e komisarit Zagani. Ndërkohë, një skandal i ri lë të projektojmë me hamendësim (në fakt më shumë sesa hamendësim, është një realitet që prodhon çdo orë skandale): ai i zaptimit në heshtje të pronave të bashkësisë himarjote dhe dhërmijote, të Ranës së Hedhun, Rrjollit dhe pronës publike në qendër të plazheve që po mbyten nga pallatet e të fortëve, ka mundësi që të lindë së shpejti për të “harruar” Patokun, CEZ-in, aeroplanët e drogës, denoncimin e Zaganit dhe për ta bërë piramidën krimit të pamundur me u trajtue nga organet e drejtësisë.
Këto organe , siç po vërtetohet çdo ditë, janë të kapura totalisht nga një kupolë e krimit dhe e politikës, që po ndërton resortet e veta të bunkerizuara. Elemente brenda këtyre organeve po infiltrojnë rregullisht informacionet e klasifikuara rregullisht tek ajo kupolë. Kjo është shkërmoqja e plotë e shtetit në procesin përmbyllës: Atë s’mund ta ndalë dot as ndeshja e nesërme me Portugalinë që do të mbarojë po nesër. Të martën është një ditë e re dhe shqiptarët duan shtet dhe këtë ia kërkojnë Kryeministrit të tyre, i cili nuk mund t’i largohet përgjegjësisë, sepse përndryshe shpërdoron detyrën.
Ai nuk mund t’i largohet përgjegjësisë edhe kur ka frikë. Ka një, dhe radhë veprimesh për nga rëndësia, radhë që nuk mund të bëhet sikur nuk kuptohet dhe anashkalohet me deklaratat idiote dhe naive të mesnatës të së enjtes, të zyrës mashtruese: ka një metodikë, mbi bazën e së cilës funksionon veprimi governativ që nuk mund të shkelet, injorohet dhe e anashkalohet me statuset absurde të ministrit të Brendshëm, ministri i cili ka larguar nga puna 350 oficerë të policisë që kanë kryer Akademinë e Policisë në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Turqisë… Janë 350 oficerë policie që zotërojnë database të rëndësishëm në aspektin e interesit të publikut, database që përbëjnë sekret shtetëror, që kërkojnë trajtim krejtësisht të veçantë nga strukturat e specializuara, por që fatkeqësisht janë hedhur rrugëve të Shqipërisë.
Një zotëri i tillë, që ka firmosur largimin e një mase të tillë oficerësh të Policisë së Shtetit nga detyra, pa arsye ligjore të faktuar nga organet e specializuara dhe që nuk jep shpjegim publik për akuzat, ka humbur besimin e publikut, besimin e shtetit të mbetur në mendjen e qytetarëve të thjeshtë, DUHET TË LARGOHET MENJËHERË, qoftë edhe për të shpërbërë veten e tij nga përgjegjësia që ai nuk e ka.
Shqiptarët e thjeshtë i kanë drejtuar sytë nga Kryeministri i tyre dhe presin që ai të trimërohet, të zgjohet nga gjumi dhe ëndrra e bukur e mbajtjes së pushtetit me të keqen:
Ai duhet ta kuptojë tashmë se kjo gjë, MBAJTJA E PËRDHUNSHME E PUSHTETIT, PA PURIFIKIM MAXHORANCE, është e pamundur. Është koha që Ai të japë zgjidhje për të mirën e vendit dhe popullit të thjeshtë.
Paaftësia, frikësimi, paniku dhe kokëfortësia për t’i rezistuar mospërballjes për ta pranuar degjenerimin e asaj çfarë ai ndërtoi më 1 prill 2013, do ta çojë vendin në kaos dhe popullin në një ikje masive.
Zgjohu dhe Trimërohuni zoti Kryeministër!
Dikush sot në mëngjes po më pyeste në Shkodër: sa kujton se e ka të gjatë jetën njeriu-Kryeministër dhe njeriu-Edi Rama, që shpreson se ka kohë ende në dispozicion, për të Rilindur Shqipërinë serioze dhe të lirë, për të mos i lënë një njollë të rëndë vetes dhe pasardhësve të tij?! Kjo është pyetja që ju bëjnë sot të gjithë shqiptarët: Vepro ose Ik, për t’i hapur rrugën atij që din dhe don ta bëjë këtë vend, zoti Kryeministër.
"Panorama"
Add new comment