Kombet e Bashkuara i kërkojnë Evropës të strehojë 200 mijë refugjatë
Antonio Guterres, që është dhe Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, i kërkoi sot evropianëve të presin rreth 200 mijë refugjatë, duke theksuar se të gjithë anëtarët e BE-së duhet të kenë detyrimin që t’i përgjigjen kësaj krize masive. “Nevojitet një përgjigje e jashtëzakonshme përballë një krize masive”, deklaroi Guterres, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë, në krahë të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland. “Personat që kanë një kërkesë të vlefshme për mbrojtje duhet të përfitojnë nga një program masiv ndihmës, me pjesëmarrjen e detyrueshme të të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Një vlerësim paraprak tregon se është e nevojshme të priten rreth 200 mijë perona”, tha ai gjatë kësaj komunikate. “Kjo masë do të mundësoj një përgjigje më të mirë ndaj nevojave për pritje të kërkuesve për azil deri në fund të vitit 2016”, theksoi ai para medias. Komisioneri i lartë për refugjatë i OKB-së Antonio Guterres, tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian.
Add new comment