VËZHGIM/ Tirana me identitet në udhëkryq (foto)

Postuar në 31 Gusht, 2015 15:38
Leonard Veizi

Qendra e Tiranës, e për më tepër bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk janë në ditët e tyre më të mira. Nga një kalim 15 minutësh në një gjatësi prej 1800 metrash, do të shohësh objekte të mbuluara ku vazhdimisht ka një proces pune që duket sikur nuk mbaron asnjëherë. Në fakt më shumë se punime ato na japin përshtypjen e arnimeve që bëhen hera-herës. Këto janë mini projekte që vazhdojnë prej vitesh. Procesi i kthimit në identitet me sa duket e ka lodhur kryeqytetin.

Rreth ministrive gjen tabela, “Kujdes! Kantier ndërtimi. Lart punohet”. Në 15 vitet e fundit rrekja për ta kthyer gjithçka në formën e parë ka marrë shumë energji. Natyrisht “kthimi në identitet” nuk duhet marrë si një term i mirëqenë, sepse nëse Tirana kthehet në identitet, konsiderohet të rimarrë fytyrën e një qyteti otoman. Në fakt, sot Tirana ka shumë më pak gjurmë prej trashëgimisë që na la sundimi 500 vjeçar i perandorisë së ardhur nga Azia e Vogël. Bulevardi qendror, korpusi i ministrive dhe ndërtimet që e mbyllin shtrirjen e tij, e çliruan kryeqytetin e shqiptarëve nga ndikimi i arkitekturës orientale. Në fakt, ai është një projekt italian, më së shumti i krahasuar me Shans Elizenë franceze. Por në të vërtetë, arkitektët italianë, bulevardin dhe godinat përgjatë tij, i kanë projektuar sipas një modeli që të jepte imazhin e Romës moderne.

Tanimë dihet fakti që akset më të rëndësishme të Tiranës u projektuan nga arkitektët e njohur italiane të viteve ‘30-‘40 Florestano De Fausto, Armando Brasini dhe Gherardio Bosio. Për të paktën 70 vjet punimet e kryera përgjatë bulevardit iu përmbajtën projektit: godinat kishin të njëjtën lartësi. Sot bulevardi nuk e ka ruajtur këtë standard. Veç të tjerash, dy prej godinave të saj, njëra padyshim mbetet jo vetëm historike por dhe një ndër simbolet e kryeqytetit, po shkojnë drejt degradimit.

Hotel “Dajti” ndodhet në një gjendje mjerane dhe nuk ka asnjë lloj identiteti, as atë të vjetrin për të cilin pretendohet shumë, dhe as të riun që kërkonin t’ia jepnin. Ndërsa puna me “Piramidën” ka shkuar akoma më keq, sepse pasi ka ngrënë disa miliona euro për t’u rikonstruktuar, tanimë po patinohet në pjesët ku i mungon mermeri. Pra edhe kjo godinë nuk ka identitet dhe me gjasa do të mbetet e tillë për shumë kohë. Godina e Teatrit Kombëtar vazhdon të jetë në shënjestër, me një proces rinkonstruksioni të vazhdueshëm, por që asnjëherë nuk mbaron. Me sa duket dëshira për ta shembur është më e madhe se ajo për ta ruajtur si një objekt kulti monumental. Sheshi “Skënderbej” gjithashtu është në udhëkryq. Atje nuk ka funksionuar asnjë nga projektet e miratuara. Kur administrata e Bashës mbuloi punimet e Ramës dhe në mënyrë operative sheshin e dikurshëm e ktheu në një lulishte pa kuptim, u tha se ajo do të ishte provizore, vetëm për dy vjet. Më pas do të zbatohej një projekt i ri që do të ishte i denjë për kryeqytetin. Kaluan 4 vjet, lulishtja vazhdon të jetë provizore. Projekti i Bashës nuk do të zbatohej, se tani në poltronin e tij është ulur Veliaj që mendon për të tjera projekte.

Kjo është qendra e Tiranës, ku vazhdimisht punohet dhe nuk del asgjë në dritë.

 

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.