Nisi me ambulantët/“Inshallah po na lënë, të paguajmë një farë takse. Shteti është i frikshëm”
Filloi aksioni kundër informalitetit për të cilin kryeministri na garantoi se nuk ka për synim goditjen e biznesit të ndershëm, apo se ai do të merret me biznesin e madh. Por “TemaTV” ka realizuar një vëzhgim që flet për probleme, të paktën organizative, të aksionit të paralajmëruar nga qeveria. Një aksion që duket se ka nisur “me këmbën e majtë”, sa kohë ka trembur shitës ambulantë. Lexoni këtë vëzhgim:
Nevila Dosti
Valixhen e vogël, e cila përmban disa paketa cigaresh, çakmakë, çamçakëza, fazoleta dhe kroasanë, prej ditësh e ka fshehur pas kabinës së vjetër të telefonit. Edhe pse tezga e tij zë më pak se 1 metër katrorë hapësirë, prej 2 javësh Policia Bashkiake ka paralajmëruar Zenel Akcanin për të hequr sendet e tij. Prej 15 vitesh, çdo ditë në orën 6 të mëngjesit vjen pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” për të siguruar bukën dhe ushqimet e përditshme. Duke folur për televizionin “Tema”, shitësi ambulant shprehet i shqetësuar për aksionin që ka ndërrmarë bashkia kundër evazionit fiscal
“Na kanë lajmëruar, nuk kam pse e mohoj, por nuk kam ku të shkoj, sikur edhe një punë me 200 mijë lekë (të vjetra) të gjej, iki dhe sot. Por duke qënë se unë nuk po prish ndonjë punë, i kam lënë aty, as trotuarin nuk e kam zënë. Sikur edhe taksa të paguaj, sa t`a vendos bashkia unë jam i gatshëm. Nuk kam asnjë të ardhme tjetër” tha Akcanaj.
Edhe kur temperaturat kanë arritur maksimumin me 40 gradë, edhe kur dimri është treguar mjaft i acartë me temperatura disa gradë nën zero, Zeneli tregon se çdo ditë është i detyruar të dalë në trotuar për të mbuluar shpenzimet e ditës. Ndërkohë shprehet i gadshëm për të paguar taksat, nëse bashkia e lejon të vijojë aktivitetin.
“Kam ndenjur gjithë verës, temperaturat 40 gradë, kam dalë edhe gjatë dimrit në shi, dëborë dhe breshër. Duket sikur po e ekzagjeroj por po të ngre bluzën do shikoni që jam me breza, sepse më ka hyrë romatizma në kockë. Në dimër kam veshur dy-tre bluza, çorape leshi. U torturuam, plus edhe me njerzit jo s`kam kaq, jo s`kam lekë të të jap. Nuk e imagjinoni dot çfarë stresi është. Megjithatë ishallah po na lënë, të paguajmë një farë takse. Shteti është i frikshëm” shprehet Zenel Akcanaj.
Aksioni i Bashkisë së Tiranës kundër informalitetit fillimisht ka nisur ndaj shitësve të cigareve, të cilët të shtyrë nga kushtet ekonomike zënë çdo ditë trotuaret me shpresën se do të nxjerrin ushqimet e ditës. Disa prej tyre i janë frikësar paralajmërimeve dhe prej ditësh i kanë dorzuar hapësirat publike në shërbim të qytetarëve. Edhe pse ditë e hënë, “Rruga e Elbasanit”, e njohur si një zonë problematike për aktivitetin e shitësve ambulantë, tashmë është çliruar nga sendet dhe nga rrëmuja që dashur padashur shkaktonin tregëtarët. Edhe ata pak prej tyre që kanë rezistuar, të fshehur në ndonjë cep, nuk dëshirojnë të flasin para kamerave, por e konsiderojnë aksionin e Bashkisë si një luftë më shtresën e varfër.
Add new comment