Kisha në Dhërmi, shkruan Lubonja: Për t’i pëlqyer Europës, Rama zëvendësoi propagandën komuniste me katolicizmin
Arsyet e prishjes së Kishës në Dhërmi, Fatos Lubonja ka analizuar sot në gazeta “Panorama”. Sipas tij Rama e ka zëvendësuar nacionalkomunizmin me katolicizmin, sepse kështu na pranon më kollaj Europa. “Ndryshmi i vetëm në mendjet e mbyllura të këtyre nacionalistëve të rinj është një lloj zëvendësimi i propagandës komuniste me katolicizmin medemek duke e njësuar të ardhmen europiane me identitetin katolik, sepse kështu na pranon më lehtë Europa”.
Më pas Lubonja shkruan se: “Duke instrumentalizuar katolicizmin, shembjen e kishës ortodokse nacionalistët e justifikuan dhe nxitën me pretendimin se në këtë kishë paska ushtruar aktivitetin e tij në shekullin XVII Nilo Catalan, një prift spanjoll që paska ardhur në këto treva për t’i lidhur apo mbajtur shqiptarët etnikë nën Papatin nëpërmjet fesë uniate apo katolike të ritit bizantin, apo grekoshqiptar, siç quhet duke hapur madje për këtë deri shkolla shqipe”.
Po sipas shkrimit të Fatos Lubonjës, duke i dhënë aktivitetit fetar të Catalanit konotacion nacionalist, e quajtën madje edhe si një protorilindas shqiptar –njëlloj si në historiografinë e Enver Hoxhës që i ka paraqitur Buzukun, Budin, Bogdanin sikur e kanë shkruar shqipen për qëllime nacionaliste. “E pra, sot, çerek shekulli pas rënies së nacionalkomunizmit, çdo nxënës i shkollës së mesme do të duhej të dinte, edhe në respekt të njohjes së historisë së fesë katolike, se shkrimi i shqipes në atë kohë nga këta autorë nuk ka të bëjë fare me nacionalizmin dhe përpjekjet e Rilindësve tanë të shekullit XIX për të krijuar një identitet shqiptar, por me Kundër Reformën që ndërmori Vatikani në shekullin XVI si reagim ndaj Reformës së Luterit që përktheu Biblën në gjermanisht, pra, për ta prurë fenë sa më afër besimtarëve që flisnin gjuhën shqipe”, vazhdon më tej ai.
Me këtë rast Lubonja rikujton edhe faktin se me rastin e vizitës së Papës, Kryeministri pagëzoi të birin si katolik duke thëtë se ka pasur një gjyshe katolike. “Mirëpo një diskurs i tillë nuk mund të mos përjetohet si një akt diskriminues si ndaj komunitetit ortodoks, qofshin këta shqiptarë apo të etnisë greke etj., edhe ndaj komuniteteve të tjera fetare”, shkruan Lubonja në gazeta “Panorama”
Add new comment