Auditi nuk certifikon bilancet e OSHEE-së: Ka mospërputhje të dhënash
Në një raportim për BIRN, gazetari Gjergj Erebara njofton se OSHEE, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nuk arriti të marrë çertifikimin e audituesve për bilancin e vet për vitin 2014 pasi grupi i auditorëve deklaroi se nuk kishte sigurinë e mjaftueshme për të dhënë një opinion pozitiv dhe se në bilancin e OSHEE-së gjenden disa të dhëna që janë në mospërputhje. Më poshtë shkrimi:
Raporti i auditimit, i firmosur më 20 korrik 2015, thekson se OSHEE ka dështuar në auditimin e bilancit edhe për vitin 2013, kur qe nën administrimin nga shteti shqiptar, ndërsa duket se disa nga porositë kryesore të lëna nga audituesi i bilancit të vitit 2013 nuk janë realizuar as nga administrimi i kompanisë gjatë vitit të kaluar.
“Përgjegjësia jonë është të shprehim një opinion për pasqyrat financiare duke u bazuar në auditimin e kryer. Ne kryem auditimin tonë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit.
Megjithatë, për arsye të çështjeve që përshkruhen tek paragrafi për “Bazat e Refuzimit të Dhënies së Opinionit”, ne nuk ishim në gjëndje të siguronim të dhëna të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi për të krijuar një bazë për dhënien e opinionit,” thuhet në raportin e audituesve, një kopje e të cilit u gjet nga BIRN. [Link raporti i Auditimit 2014]
Duke iu përgjigjur pyetjeve të BIRN mbi këtë problem, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike tha se problemet me bilancin e kompanisë qenë të trashëguara dhe se ajo po punonte për zgjidhjen e tyre. “Fakti që auditorët japin refuzim për dhënie opinioni, nuk ka të bëjë në këtë rast me çertifikimin e saktësisë së të dhënave të bilancit, por me faktin se bilanci i OSHEE rezulton prej disa vitesh negativ dhe me një problematikë të theksuar të aseteve të paregjistruara e të paevidentuara të kësaj shoqërie,” tha OSHEE. [Përgjigjet e OSHEE mund të gjenden këtu]
Duke hedhur poshtë dyshimet e audituesve për vërtetësinë e bilancit, OSHEE thotë se i ka konfirmuar shifrat e saj me Bankën Botërore. “Përsa i përket shifrave nëse janë të sakta apo jo, ato janë miratuar në qeveri në Financial Recovery Plan në Mars të 2015 dhe janë të konsoliduara për të gjithë sistemin e të miratuara edhe nga Banka Botërore. Janë bërë nën konsulencën teknike dhe me miratimin e Bankës Botërore”, tha OSHEE përmes një përgjigjeje me shkrim për pyetjet e BIRN. Banka Botërore i ka dhënë kredi korporatave të ndryshme publike në Shqipëri si KESH apo OSHEE, por gjithmonë me garanci sovrane, gjë që do të thotë se qeveria e Shqipërisë do ta shlyejë kredinë në rast se korporata publike është në pamundësi financiare.
Auditimi është një proces që synon të vërtetojë apo kontrollojë bilancin e një kompanie të raportuar nga vetë kompania, me synimin për të garantuar se bilanci i deklaruar nga kompania nuk mbart keqraportime si pasojë e gabimeve apo mashtrimeve. Auditimi shërben gjithashtu edhe për të treguar se sa e aftë është një kompani të përgatisë bilance të sakta dhe në përputhje me standardet e kontabilitetit. Kur auditimi kalohet me sukses, audituesit zakonisht shkruajnë: “Ne kemi verifikuar bilancin dhe mund të themi se ai është i saktë dhe i ndershëm”. Kur audituesit kanë paqartësi për një pjesë të bilancit, atëherë ata japin “opinion me rezerva” duke thënë se bilanci pranohet si i vërtetë me përjashtim të një shpenzimi, një të ardhure apo një aseti që ka vlerë të paqartë.
OSHEE ka deklaruar në bilancin e vet të ardhura në masën 47.2 miliardë lekë për vitin 2014 nga 37.7 miliardë lekë të deklaruara në vitin 2013. OSHEE ka deklaruar shpenzime prej 48.2 miliardë lekësh për vitin 2014 nga 63.6 miliardë lekësh që qenë shpenzimet në vitin 2013. [Link Bilanci 2014]
Qeveria shqiptare ndërmori një fushatë shtatorin e kaluar me synimin për të luftuar vjedhjet e energjisë elektrike dhe mospagesat. Enti Rregullator i Energjisë, në raportin e vet vjetor, vëren se, si pasojë e kësaj fushate, OSHEE arkëtoi 48.8 miliardë lekë, nga të cilat, 38.8 miliardë qenë arkëtime për energjinë e konsumuar gjatë vitit 2014 ndërsa 10 miliardë lekë qenë nga arkëtimet e detyrimeve të prapambetura të periudhës 2007-2013.
Por pavarësisht suksesit të shfaqur, OSHEE vijon të arkëtojë shumë më pak se sa faturon. Të dhënat e analizuara nga ERE tregojnë se gjatë vitit 2014, OSHEE faturoi 53.2 miliardë lekë të shitur dhe nga kjo, arriti të arkëtojë vetë, 38.8 miliardë lekë duke lënë 14.4 miliardë lekë fatura për konsumin e vitit 2014, të paarkëtuara. Fushata e qeverisë për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura vijoi edhe në pjesën e parë të këtij viti. Por rezultatet pritet të zbardhen vetëm pasi bilanci i vitit 2015 të jetë përgatitur nga kompania dhe analizuar nga auditorët.
Për më tepër, audituesit nuk janë të sigurtë se kjo është situata reale. “Në Pasqyrat Financiare të shoqërisë ekziston një mospërputhje e llogarive të arkëtueshme midis sistemit faturimit&arkëtimit (billing-ut) dhe të pozicionit financiare “Të arkëtueshme” (kontabiliteti) për gjëndjen e klientëve më 31 dhjetor 2014 (faturat e papaguara nga abonentët për energjinë elektrike). Menaxhimi është në dijeni të këtyre mospërputhjeve pasi diferenca kanë rezultuar edhe në periudhat e mëparshme si dhe gjatë vitit 2014. Shoqëria gjatë vitit 2014 nuk ka bërë të mundur identifikimi plotësisht të këtyre diferencave,” thuhet në raportin e auditimit. Audituesit nuk bëjnë të ditur nëse diferencat e raportuara nga sistemi i faturimit me ato të raportuara në bilanc janë më të ulëta apo më të larta, por i citon këto diferenca si argument për të mos dhënë opinion mbi vërtetësinë apo jo të bilancit kontabël të deklaruar nga OSHEE.
Audituesit vërejnë se OSHEE ka një mosmarrëveshje me Posta Shqiptare në lidhje me faturat e arkëtuara në rrjetin e Posta Shqiptare Sh.a, ku në një rast, posta ka faturuar dy herë OSHEE për shërbimet e një muaji.
OSHEE tha se po punon për të zgjidhur pasaktësitë në raportim me partnerët e vet. “Ndërsa në lidhje me saktësimin e llogarive me furnitorët e saj kryesorë, OSHEE është duke kryer rakordimet me secilin prej tyre dhe pritet që brenda vitit 2015 të jenë zgjidhur të gjitha diferencat e akumuluara nga vitet e mëparshme, e ndihmuar kjo dhe nga një Grup Ndërinstitucional i cili është duke e përshpejtuar procesin duke koordinuar me gjithë strukturat përkatëse”, tha OSHEE.
Pronat e OSHEE janë të paregjistruara
OSHEE punësoi kompaninë BDO Albania si audituese për bilancin e vitit 2013. Në korrik të vitit 2014, kompania refuzoi të japë opinion për një sërë arsyesh, ku mes të tjerave qe mosrakordimi i detyrimeve dhe pretendimeve me Posta Shqiptare, mosrakordimi me KESH etj. Por përtej refuzimit të opinionit mbi saktësinë e bilancit, auditori theksoi edhe një çështje: “Pa lëshuar një opinion, tërheqim vëmendje ndaj Shenimit 5, i cili përcakton se çertifikatat e pronësisë së tokave dhe ndërtesave të Shoqërisë, të cilat duhet të transferoheshin nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare sh.a, gjatë momentit të shpërndarjes së SHoqërisë, ende nuk janë finalizuar. Rrjedhimisht, këto toka dhe ndërtesa nuk janë regjistruar në mënyrë të rregullt në Regjistrin e Hipotekës”.
Audituesi la për detyrë që OSHEE të zgjidhte këto probleme, me qëllim që të llogariste saktë vlerën e aseteve të saj dhe ta raportonte këtë vlerë në mënyrë të besueshme në bilanc. Por një vit pas dhënies së këtij opinioni nuk duket se ka ndryshuar gjë. Audituesit e vitit pasardhës theksuan të njëjtën gjë: ato nuk qenë në gjendje të shikonin nëse pronat e OSHEE të raportuara në bilanc, ekzistojnë të regjistruara siç duhet në hipotekë.
Por OSHEE thotë se as këtë vit nuk do të jetë në gjendje të mbyllë inventarizimin dhe kontabilizimin e saktë të të gjitha pronave të veta. “Inventarizimi dhe rivlerësimi i aseteve është një proces që ka filluar por që parashikohet që të përfundojë përtej 31.12.2015, kështu që dhe kjo çështje nuk do të rregjistrohet në bilancin e fundvitit 2015”, tha OSHEE.
Korporatat publike në Shqipëri kanë në shumë raste probleme të theksuara në bilancet që raportojnë dhe auditorët shumë shpesh japin opinion me rezervë. KESH Sha psh ka marrë auditim me “opinion me rezervë” për vitet 2012 dhe 2013 dhe po kështu e ka marrë edhe Posta Shqiptare Sh.a për bilancin e vitit 2014.
Add new comment