Z. Veliaj, Piramida nuk është Garazh

Postuar në 27 Gusht, 2015 14:52

Para dy ditësh, Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erjon Veliaj, prezantuan një sërë masash ndëshkuese për ata qytetarë që ndotin hapësirat publike. Shumëkush mund edhe të ketë qeshur kur shikon kryetarin e bashkisë së një qyteti të rrëmujshëm si Tirana të paralajmërojë ndëshkim për ata që urinojnë rrugëve apo edhe presin pemë, apo flakin mbeturina në rrugë. Mirëpo kjo nismë duhet vetëm përshëndetur, pasi qyteti është i të gjithëve dhe ka një shumicë që e duan të pastër. Dhe të pastër e mbajmë të gjithë. Veliaj e ka cilësuar edhe sot këtë çështje gjatë prezantimit të administratorëve në Njësinë nr.3 dhe nr. 4 kur ka theksuar se bashkia ka krijuar kushtet që ndotja të shmanget. “Barra financiare për të jetuar në Tiranë është zero. Mjafton të mos presësh pemë, të mos hedhësh plehrat në rrugë, të mos vandalizosh, të mos vjedhësh pusetat, të mos përdorësh makineritë e tonazhit të rëndë me baltë nëpër rrugët e Tiranës, të mos ndërtosh pa leje dhe mos t’ua ngarkosh këtë faturë qytetarëve të tjerë. Sot qytetarët kanë një mijë kazanë ngjyrë portokalli, të cilët nuk bën dot sikur nuk i sheh. Gjithashtu, në pesë pika qendrore të Tiranës kemi vendosur tualete publike, për këdo që ka nevoja personale. Tani që kemi zhdukur çdo alibi është shumë e rëndësishme që të zbatohet ligji”, deklaroi Veliaj. Nuk mbetet veçse t’i japim të drejtë dhe të urojmë se zbatimi i këtyre masave të jetë konstant.
Mirëpo ka një problem që vë në dyshim jo dobinë e këtyre masave, por seriozitetin e bashkisë, e cila ka detyrimin edhe të përgjigjet për pyetjet dhe çështjet që i adresohen. P.sh një ditë më parë, “BIRN” shkruajti se punimet te Piramida janë të paligjshme, pasi ky objekt është monument kulture dhe si i tillë kërkon miratimin e organeve përkatëse. Ky lajm u publikua nga mediat bashkë me dokumentin përkatës që dëshmon se ndërhyrja te Piramida ishte pa bazë ligjore. Deri më sot asnjë përgjigje nuk ka nga bashkia. Pse vallë kryetari nuk flet për këtë temë? Pse nuk sqaron qytetarët, pasi po flasim për një objekt monument kulture dhe jo ndonjë garazh? Është kollaj dhe e lavdërueshme të penalizosh qytetarët problematikë, por si të kërkojmë llogari për kryetarët që shkelin ligjin, apo për të cilët ka dyshime se shkelin ligjin? Është e dobishme një përgjigje, përndryshe na duhet një recycle bin edhe për ligjet.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.