Ilustrimi i shtetit ligjor: Punimet në Piramidë (Monument Kulture), pa lejen e KKR-së, raporton BIRN
Një bisht cigare në tokë, apo një kovë llaç për punime në shtëpi mund të sjellin gjobë dhe burg. Por punimet riparuese tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës nuk kanë asnjë leje, zbulon një investigim i BIRN. Më poshtë materiali:
Edhe pse ka mbajtur një linjë të ashpër kundër informalitetit, duke i kërcënuar me gjoba të majme qytetarët që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, bashkia e Tiranës ka dështuar të aplikojë të njëjtin standard për punimet që ka ndërmarrë për riparimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës ‘Pjetër Arbnori,’ e njohur ndryshe si Piramida.
Me datën 11 gusht nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, kryebashkiaku i ri i Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi se punimet për riparimin provizor të ndërtesës dhe parkut përreth kanë filluar.
“Nisën riparimet provizore tek Piramida e parku përreth – ju lutem na ndihmoni ta mbajmë pastër, raportoni vandalizmin,” i kërkoi Veliaj qytetarëve.
Megjithatë, sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, vetë ndërhyrja e bashkisë për riparimin e Piramidës ka qenë në kundërshtim të ligjit Për Trashëgiminë Kulturore dhe e si rrjedhim e krahasueshme me një akt vandalizmi.
Për ndërhyrjen dhe riparimet provizore tek Piramida bashkia e Tiranës e ka njoftuar Institutin e Monumenteve të Kulturës, IMK, me datë 13 gusht, dy ditë pas fillimit të punimeve për riparimin e saj.
Ky i fundit nëpërmjet një shkrese drejtuar drejtorit të planifikimit dhe menaxhimit të shërbimeve me datë 17 gusht, i kërkon bashkisë së Tiranës që të përmbushë kërkesat ligjore për punimet e ndërmarra, pasi objekti gëzon mbrojtje si monument kulture.
Sipas IMK-së Piramida është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë me urdhrin nr. 267 të ministrit të kulturës, më datë 16 korrik, 2015 dhe si rrjedhim në bazë të ligjit nr. 9048 për trashëgiminë kulturore çdo ndërhyrje në këtë objekt mund të bëhet vetëm me aprovimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, KKR.
Sipas nenit 35, të ligjit për trashëgiminë kulturore, “punimet e mirëmbajtjes, të restaurimit dhe te rigjallërimit të monumenteve te kulturës kryhen … pasi të jetë miratuar plani i këtyre punimeve nga Instituti i Monumenteve te Kulturës.”
“Restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore bëhet nga institucione shtetërore të specializuara dhe nga personat fizikë ose juridikë të licencuar për këtë qëllim,” shkruhet në nenin 17, pika 1 të këtij ligji.
Shkresa e Institutit të Monumenteve të Kulturës i rikujton bashkisë se neni 17, pika 1 e ligjit thotë: “Projektet e restaurimit dhe restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore bëhet nga institucione shtetërore të specializuara dhe nga subjekte të liçensuar për këtë qëllim”.
Instituti i kërkon specifikisht bashkisë që para se të kryejë ndërhyrjen, të dorëzojë në IMK një relacion teknik, specifikime teknike, materjal grafik, preventiv të punimeve dhe prezantim poëerpoint. Por kjo shkresë ka mbërritur në bashkinë e Tiranës efektivisht një javë pasi kishin filluar punimet e lyerjes.
I kontaktuar nga BIRN, zëdhënësi i bashkisë Tiranë nuk u përgjigj të mërkurën pas një kërkesë për koment mbi ligjshmërinë e punimeve te Piramida.
Ndërhyrja e bashkisë së Tiranës për riparimin e Piramidës pa aprovimin e KKR-së bie ndesh me retorikën e kreut të ri të bashkisë, i cili i ka kërkuar një paketë të re ligjore për të ndëshkuar ato persona dhe subjekte që abuzojnë me hapësirën publike.
“Do ndërmarrim një nismë për një paketë legjislative që i jep bashkisë autoritetin që jo vetëm të sjellë ligj dhe rend aty ku ndodhin shkeljet, vandalizimi, ndotjet, por edhe një sistem penalitetesh për shkelësit,” Veliaj tha gjatë një takimi në lagjen Kombinat të Tiranës me datë 19 gusht.
“Është e pafalshme që njerëzit e ndershëm që paguajnë taksa të paguajnë punën për të prishur ndërtimet pa leje dhe për të liruar hapësirat publike,” shtoi ai.
E ndërtuar në vitin 1987 si mauzoleum për ish diktatorin Enver Hoxha, dy vjet pas vdekjes së tij, Piramida ka ndryshuar disa herë destinacion.
Në vitin 1991, nga mauzoleum ajo u transformua në një qendër ndërkombëtare kulture, por ambientet e saj të brendshme, që përfshinin kupolën më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, nuk gjetën kurrë përdorime të përshtatshme praktike.
Për më shumë se një dekadë, ndërtesa ka shërbyer si shtëpia e televizionit Top Channel dhe dikur e klubit të natës ‘Mumja.’
Në vitin 2006 me vendim te Këshillit të Ministrave Qendra Ndërkombëtare e Kulturës mori emrin “Pjetër Arbnori”.
Po atë vit qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha akordoi një shumë prej rreth 130.000 euro për projektin e kthimit të QNK-së në teatër dhe me pas u akorduan edhe 5.6 milionë euro për zbatimin e projektit.
Pasi u shpenzuan rreth 200 milion lekë të reja dhe fasada e ndërtesës u zhvesh nga mermeri i saj i bardhë i , në vitin 2010 projekti i teatrit u braktis pasi parlamenti vendosi që Piramida të shembej dhe të zëvendësohej nga selia e re e Kuvendit të Shqipërisë.
Partia Socialiste, në atë kohë ne opozitë, reagoi ashpër kundër propozimit për shembjen e ndërtesës.
Në një padi të dërguar në prokurori, grupi parlamentar Socialist nënvizonte që shembja e Piramidës do ishte në shkelje e ligjit për trashëgiminë kulturore.
Add new comment