Kokëdhima flet për “veprimin tonë në Dhërmi”, por nuk sqaron arsyet e konfliktit

Postuar në 25 Gusht, 2015 10:14

Deputeti aspak i zakonshëm socialist Koço Kokëdhima, me detyra guvernatoriale për Shqipërinë e Jugut, ka reaguar sot në gazetën e tij Shekulli lidhur me çështjen e kishës së Shën Thanasit dhe figurën e Nilo Katalanit. Kokëdhima pranon se “veprimi ynë në Himarë” s’ka lidhje mendonjë kthim murgjish bazilianë, por duhet nderuar një veprimtar i madh për shqiptarët si Katalani. Megjithatë as Kokëdhima nuk sqaron pse duhej hapur ky konflikt pikërisht tani, në periudhë krize ekonomike dhe largimesh nga vendi. Më poshtë materiali:

 

“Bashkia e re e Himarës është sigurisht një nga evenimentet më të bukura të Reformës Territoriale e Administrative. Bashkia e re u ngrit mbi trojet e Himarës historike. Për qindra vjet, Himara bregdetare dhe Labëria kanë qenë një krahinë. Krahina e Himarës është një nga krahinat më të lavdishme të Shqipërisë. Këto ditë ka një debat të madh mediatik. Janë në një krah bashkë, të gjithë: Saliu, OMONIA, PBDNJ dhe ca nga klerikët grekë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, ashtu si edhe Ministria e Jashtme e Greqisë. Të gjithë, në një zë, shprehin shqetësimin pse shteti ynë është duke prishur një pllakë betoni atje në Himarë, të ngritur brenda mureve historikë të themeleve të ish-Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, dikur monument kulture. Ne e njohim këtë kishëzë nga një foto e vitit 1942. Ajo u rrënua, si shumë të tjera, në vitet 1970-1980. Gurët e saj në një pjesë të madhe u përdorën për të ndërtuar ujësjellësin e fshatit. Ajo kishë ka qenë shumë e rëndësishme për historinë tonë. Atje meshoi dhe u varros Nilo Katalani, një figurë e shquar e kulturës dhe gjuhës shqipe.

 

Katalani ishte kryesuesi i parë italo-arbërësh i Misionit Bazilian, një mision me famë që kreu aktivitetin e vet në Himarë dhe gjithë bregdetin e Shqipërisë, për gati 3 shekuj me radhë. Këta murgj bazilianë, përgjithësisht ishin shqiptarë, ose ishin vëllezër gjaku me shqiptarët, ishin arbëreshë. Edhe ata që nuk ishin shqiptarë nga gjaku, ishin të shqiptarizuar, sepse të gjithë veprën e tyre e zhvilluan në gjuhën shqipe. Pandashmërisht prej tyre, atje, në Himarën e lavdishme që shtrihej nga vija bregdetare e deri në Kurveleshin e sipërm dhe përfshinte 57 fshatra, u zhvillua Pararilindja e Shqipërisë, Rilindja gjuhësore, letrare dhe kulturore. Kjo i parapriu dhe përgatiti Rilindjen tonë Kombëtare. Rilindja jonë, siç përshkruhet në histori, paraqitet si një rrap madhështor. Por ku i ka rrënjët ky rrap madhështor? Si mund të lindë një epokë nga asgjëja? Dhe nga ku tjetër mund të vinte zgjimi, përveçse nga arbëreshët e arvanitët, të cilët jetonin jashtë sundimit perandorak otoman?

 

Nilo Katalanin disa e cilësojnë si një ishprift renegat grek! Katalani nuk është as grek, as renegat, por një figurë që bëri shumë për shqiptarët. Ai është dijetari që bëri gramatikën e parë të gjuhës shqipe. Aq shqiptar u bë në shpirt, sa dhe poezitë shqip i shkroi. Ai është mësuesi që hapi e udhëhoqi një shkollë shqipe, për t’u mësuar shqiptarëve në gjuhën shqipe, katekizmin. Dhe ua mësoi katekizmin, jo vetëm të krishterëve, por dhe myslimanëve. Thuhet se shkroi dhe një doktrinë të krishterë shqip, por Selia e Shenjtë nuk ia miratoi, sepse, siç iu tha, shqiptarët, nga Himara në Kelmend, kishin Doktrinën e Pjetër Budit. Kështu të bashkuar na shihnin atëherë! Nilo Katalani kishte nxënës nga bregdeti, kishte nxënës nga Kuçi, nga Tërbaçi dhe nga fshatra të tjerë të Himarës. Këta murgj arbëreshë, shqiptarë dhe të shqiptarizuar, bënë vepra të shquara për kulturën e Shqipërisë. Ata zbuluan të parët Mesharin e Gjon Buzukut, ata krijuan shkollat shqipe, ata e pagëzuan Shqipërinë me emrin Shqipëri dhe popullin e saj me emrin shqiptarë.

 

Shqipëria mbeti pa emër në shek. XVII, se të gjithë emrat historikë ishin zënë. Ata gjetën që ky vend fliste shqip e duhej quajtur Shqipëri. Dhe kjo ndodhi në vitin 1703. Këta misionarë e këta murgj, këta njerëz të ditur të asaj kohe, zhvilluan pikërisht iluminimin e gjuhës shqipe dhe shkruan për herë të parë gjuhën letrare shqipe. Imzot Gjergj Skiroi, pasues i Nilo Katalanit, është i pari në histori që përdori gjuhën shqipe në komunikimin me Selinë e Shenjtë. Veprimi ynë në Himarë nuk nxitet nga ndonjë ide e supozuar për kthimin e murgjëve bazilianë. Shteti ynë është shekullar dhe respekton besimtarët në zgjedhjen e tyre. Ne ëndërrojmë një vend të bekuar, një vend me paqe të qëndrueshme, një vend të pasur e të integruar në Evropë. Ne ëndërrojmë një vend të sigurtë e prosperitet për njerëzit tanë, një vend që të ketë respekt për të gjitha besimet, për të gjithë besimtarët, për të gjithë qytetarët. Varri i Katalanit ishte atje tek kisha e Shën Thanasit, qysh nga viti 1694, kur u varros me nderimet që i takonin. Në shekullin e 20, varri i Katalanit u dhunua për herë të parë nga një pinjoll i familjes Buo në Dhërmi. Thuhet se ky person e dhunoi varrin për t’i vjedhur kurorën me diamante! Sepse ai ishte Monsinjor dhe duhej të varrosej me të gjitha nderimet”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.