Korrupsion dhe evazion në Tatime e Dogana

Postuar në 14 Gusht, 2015 12:56
Kastriot Islami

Nuk ka më asnjë dyshim që qeveria ka dështuar në disa plane me financat dhe ekonominë. Më e dukshmja, ajo s’ka mundur të realizojë të ardhurat fiskale, kryesisht për shkak të evazionit të lartë fiskal, korrupsionit të administratës fiskale dhe paaftësisë të pashembullt. Sjellja me tam-tame dhe largimi i paprecedentë i “Crown Agents” është qershia mbi këtë tortë të hidhur. Po ashtu, rritja ekonomike, sado të përpiqet INSTAT me “metodat” e reja apo marifete të tjera, duket pranë zeros, madje me shumë gjasa është negative, pra ekonomia është futur apo po rrëshqet në recesion. “Tërheqja” e FMN-së është sinjal i qartë i situatës së rëndë ekonomike dhe të financave publike, pavarësisht gjuhës së kujdesshme të ekspertëve të tyre, për të mos krijuar asnjë panik. Qeverisë i mbeten tri opsione 1) të kthehet mbrapsht me taksa të ulëta e të thjeshta, si për shembull taksa e sheshtë (por kjo për arsye politike duket e pamundur për këtë qeveri); 2) të rrisë borxhin publik, që do të thoshte futje e vendit me shpejtësi të lartë në skenarin grek; dhe 3) “shtrëngim” i mëtejshëm i rripit përmes rritjes së taksave dhe të barrës fiskale, që do të thotë asfiksim i konsumit për qytetarët dhe mbytje e biznesit, pra kalim në skenarin grek, por me shpejtësi më të lartë.

1. RRITJA E BARRËS FISKALE PËR 2015 ME 46 MILIARDË LEKË

Në buxhetin e vitit 2015, qeveria dha të gjitha “argumentet” për të mbrojtur vlerën prej 414.4 miliardë lekë të totalit të të ardhurave, duke “garantuar” një rritje prej 49.7 miliardë lekësh, pra një rritje prej 13.6 për qind krahasuar me planin e vitit 2014. Kjo rritje e të ardhurave totale do të vinte kryesisht nga rritja e të ardhurave tatimore, me 42 miliardë lekë, ose me 12.6 për qind, krahasuar me 2014-n, të cilat do të arrinin vlerën prej 377.1 miliardë lekësh,

nga 335 miliardë lekë që kishte qenë plani i vitit 2014. Kurse të ardhurat nga Doganat e Tatimet u premtua se do të rriteshin me 34.2 miliardë lekë, ose me 13,5 për qind krahasuar me 2014-n, duke pretenduar të arrinin vlerën prej 295.7 miliardë lekësh. Të gjitha këto llogari bazoheshin kryesisht në rritjen e barrës fiskale nga

paketa e re fiskale, që në realitet ishte një “shtrëngim i mëtejshëm i rripit” për familjet dhe bizneset, që për opozitën do të thoshte i) më shumë evazion fiskal dhe ii) ulje e rritjes ekonomike deri në recesion. Konkretisht, barra fiskale do të rritej konsiderueshëm në 2015, krahasuar me 2014-n, me rreth 46 miliardë lekë (ose rreth 430 milionë dollarë) sipas zërave:

i) Tatimi mbi të ardhurat për shkak të rritjes nga 10 % në 15 % do të kishte efekt prej rreth 5 miliardë lekë;

ii) Rritja e akcizës me 20 lekë/paketë cigare + TVSH me efekt 4 miliardë lekë;

iii) Rritja e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 lekë/kg me efekt 0.2 miliardë lekë;

iv) Rritja e TVSH-së (e fshehur) nga rritja e çmimit të mallrave me efekt 9.457 miliardë lekë;

v) Rritja e taksës së qarkullimit (10 lekë/litër + TVSH) me efekt 6.7 miliardë lekë;

vi) Rritja nga akciza (në total) me efekt 7.2 miliardë lekë;

vii) Vendosja e taksës kombëtare 3 % për produktet e jo-jetës me efekt 0.22 miliardë lekë;

viii) Rritja e taksave nacionale me efekt 8.586 miliardë lekë dhe

ix) Rritja e kontributeve të sigurimeve me efekt 5.241 miliardë lekë. Kjo do të thoshte mesatarisht rreth 60 mijë lekë më shumë barrë fiskale apo më shumë taksa për çdo familje në 2015-n, krahasuar me 2014-n. Rritja e të ardhurave në buxhet parashikohej të vinte edhe nga rritja ekonomike që në buxhetin e 2015-s parashikohej me 3 për qind. Po t’u referohemi shifrave të realizimeve të gjashtëmujorit janar-qershor nga Doganat e Tatimet, rezulton se asnjë nga këto parashikime s’është realizuar dhe të gjitha premtimet mund të konsiderohen thjesht mashtrime, ose paaftësi, ose të dyja bashkë.

2. DËSHTIMI: EVAZION FISKAL, KORRUPSION DHE PAAFTËSI…

Mosrealizimi i të ardhurave të 6-mujorit të parë të 2015-s flet për një gropë shumë të thellë në të ardhurat fiskale. Realisht, të ardhurat e 2015-s do të jenë afërsisht të njëjta me ato të 2014-s dhe e gjithë rritja prej rreth 50 miliardë lekësh që ishte parashikuar në buxhetin e 2015-s s’do të mund të realizohet dhe kjo shumë do të duhet të shkurtohet nga shpenzimet. Konkretisht, ndërkohë që totali i të ardhurave sipas buxhetit 2015 duhej të rritej me 13.6 për qind, treguesit e 6-mujorit 2015 tregojnë se ai është rritur vetëm me 4.4 për qind krahasuar me shifrën e 6-mujorit 2014; nëse vazhdohet me këtë tendencë (por tendenca pritet të përkeqësohet) deri në fund të vitit, totali i të ardhurave në 2015-n do të jetë pothuajse i njëjtë me atë

të vitit 2014. Më e rëndë është kjo situatë për të ardhurat tatimore, të cilat në vend që të rriten me 12.5 për qind, do të rriten me vetëm 2.9 për qind krahasuar me 2014-n. Ndërsa të ardhurat nga Doganat e Tatimet në 2015-n do të rezultojnë vetëm 0.1 për qind më të larta se ato të vitit 2014 (pra do të jenë saktësisht njëlloj si ato të vitit 2014 e ndoshta edhe më të ulëta), ndërkohë që ishin parashikuar të ishin 13.1 për qind më të larta. Katastrofike paraqitet situata me TVSH-në që ishte parashikuar të rritej në 2015-n me 14.3 për qind dhe ka një ulje me 5.3 për qind, krahasuar me 2014; ky është një tregues i qartë i evazionit fiskal dhe i uljes së konsumit që lidhet drejtpërdrejt me uljen e konsiderueshme të rritjes ekonomike.

3. TË ARDHURAT NGA DOGANAT E TATIMET NË 2015, NJËLLOJ SI NË 2014?!

Të ardhurat nga Doganat e Tatimet, sipas të dhënave të 6-mujorit janar-qershor 2015, do të mbeten pothuajse të njëjta me ato të vitit 2014. Pra, pavarësisht i) rritjes së barrës fiskale për shkak të rritjes së taksave dhe tatimeve dhe ii) rritjes ekonomike të parashikuar me 3 për qind në 2015-n, të ardhurat nga Doganat e Tatimet do të rezultojnë të njëjta (madje edhe më të ulëta) me ato të 2014-s. Tre faktorë mund të kenë ndikuar:

i) ose e gjithë rritja e parashikuar e të ardhurave fiskale nga rritja e barrës fiskale (rreth 50 miliardë lekë) është përpirë nga evazioni, pra evazioni është i barabartë me rritjen e barrës fiskale, gjë që do të përbënte vjedhjen më të madhe në këto 25 vjet;

ii) ose ekonomia është futur në një recesion të tillë aq të thellë, sa ka shkaktuar një ulje të të ardhurave prej 13 për qind nga parashikimi, që do të thotë një recesion i nivelit afërsisht 7-8 për qind iii) ose ka ndodhur një kombinim i të dy faktorëve; pra një ulje e të ardhurave fiskale pjesërisht për shkak të evazionit fiskal dhe pjesërisht për shkak të një rritjeje ekonomike pranë zeros apo negative (pra recesion). Qeveria është në pozicion shah-mat nga ky rezultat për të ardhurat nga Doganat e Tatimet:

i) ose duhet të pranojë një vjedhje/evazion fiskal shumë të lartë (“historike” )

ii) ose duhet të pranojë dështimin e plotë me menaxhimin e ekonomisë që e ka vendosur vendin shumë pranë ose të zhytur në recesion.

Nëse INSTAT-i do të “publikojë” një rritje ekonomike pozitive, atëherë e gjithë “gropa fiskale” e barabartë me rreth 50 miliardë lekë, ose me 430 milionë dollarë do të shpjegohej si evazion fiskal apo vjedhje në Dogana e Tatime. Kjo do të ishte e tmerrshme, sepse të gjitha paratë e marra më shumë në 2015-n nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, në vlerën prej 50 miliardë lekësh, do të thotë se kanë shkuar në “xhepat” e qeverisë dhe/ose të bizneseve klienteliste.

4. PARADOKSE APO MASHTRIME?

Problemi më i madh me të ardhurat lidhet me grumbullimin e TVSH-së. Të

ardhurat nga TVSH-ja ishin parashikuar të rriteshin në 2015-n, krahasuar me 2014-n, me rreth 14.3 për qind; të dhënat e 6-mujorit të parë të vitit 2015 tregojnë se këto të ardhura jo vetëm nuk janë rritur krahasuar me ato të 6-mujorit të parë 2014, por madje janë ulur me 5.3 për qind. Nëse kjo tendencë do të vijojë edhe në 6-mujorin e dytë, atëherë vetëm nga TVSH-ja do të ketë një gropë prej rreth 7 miliardë lekësh. Mosrealizimi i TVSH-së shtron dy pyetje:

1) Sa është ulur konsumi, meqë kjo taksë është një matës i konsumit, pra i rritjes ekonomike?

2) Sa është dhe prej nga vjen evazioni fiskal në grumbullimin e kësaj takse?

Taksa tjetër që shënon ulje “katastrofike” është ajo e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale. Në planin e të ardhurave për 2015-n, kjo taksë shënonte nivelin më të lartë të rritjes me rreth 23.9 për qind krahasuar me atë të vitit 2014. Ndërkohë, në 6-mujorin e parë të 2015-s, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale është rritur vetëm 2.7 për qind. Nëse vijohet në këtë mënyrë, gropa e krijuar vetëm nga ky tatim do të jetë rreth 6 miliardë lekë, ose rreth 16.7 për qind më pak sesa plani. Shtrohen dy pyetje:

1) Përse taksimi progresiv ka çuar në uljen e grumbullimit të të ardhurave nga ky tatim?

2) Ndërkohë që qeveria mburret se është rritur punësimi, si shpjegohet

që të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale zvogëlohen?

5. NË VEND TË PËRFUNDIMIT…

Pavarësisht mburrjeve dhe mashtrimeve të qeverisë, dështimi me të ardhurat fiskale është “historik”. Treguesit e 6- mujorit janë njëkohësisht indikatorë të sëmundjeve të kësaj qeverisjeje. Tri janë sindromat që e karakterizojnë këtë qeverisje:

i) korrupsioni në administrimin fiskal;

ii) evazioni fiskal në favor të bizneseve klienteliste;

iii) paaftësi në menaxhimin e ekonomisë (dështim në garantimin sipas planit të rritjes ekonomike) dhe të financave publike (paaftësi në grumbullimin e të ardhurat nga taksat). Largimi i “Crown Agents” është një prej “lakmuesve” të këtij dështimi. Kurse “qëndrimi” i misionit të FMN-së dhe arsyet e dhëna prej tij, qoftë edhe me elegancën dhe kujdesin përkatës për të mos krijuar panik, i vendosin vulën përfundimeve të mësipërme. Dështimi në grumbullimin në të ardhurat fiskale tregon edhe diçka tjetër më të rëndësishme: zhytjen apo futjen e ekonomisë drejt recesionit, dhe kjo është më e rrezikshmja për vendin. Dhe ky recesion do të ishte më i shpejtë dhe më i thellë nëse ecet në “drejtimin e gabuar”, pra në atë të rritjes së taksave dhe

të shtrëngimit të rripit, sepse është ndër të tjera edhe kjo qasje, që ka shkaktuar këtë dështim. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe që kjo qeveri vendosi taksat më të larta në rajon dhe realizoi të ardhurat më të ulëta.

"PANORAMA"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.