Shqipëria, sekreti i fundit/Të heqin dritat, kur as nuk t'i sjellin
Ngjan thuajse e pashmangshme që dritat të mungojnë aty ku ka shumë njerëz. Kjo po ndodh aktualisht në Jug të Shqipërisë, aty ku shpresohet që të fitojmë turizmin si sfidë edhe ekonomike, apo imazhi. Mirëpo punët nisin mbrapsht. P.sh lajmet e para që erdhën nga bregdeti ishin ato që kishin të bënin me ndërprerjen e furnizimit me energji të atyre subjekteve që rezultonin debitore ndaj OSHEE-së. Edhe pse një goditje jo shumë e gjetur, sërish enti në fjalë është në të drejtën ligjore të zbatojë masat e mësipërme. Por këto masa dotë kishin kuptim nëse OSHEE siguron furnizimin pa ndërprerje, pra e ofron shërbimin ashtu siç duhet. Kjo nuk ndodh dhe pranohet zyrtarisht. Sot raportohet se ky ent ka vendosur të ngrejë grupe pune për të mbajtur situatën në kontroll në zonat turistike të Jugut. “OSHEE ka zhvendosur vëmendjen në bregdetin e jugut ku ka ngritur një grup pune për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në një kohë kur ngarkesa është në pikun e saj, për shkak të numrit të përqendrimit të madh të pushuesve në këtë zonë. Sipas OSHEE-së, zonat problematike janë Dhërmiu, Jala, Himara dhe Rradhima sepse kanë numrin më të madh të pushuesve dhe ngarkesën më të madhe. Grupet e OSHEE-së po monitorojnë ecurinë dhe ngarkesën në rrjet për të shmangur problemet me energjinë, që vijnë dhe për shkak se rrjeti është i amortizuar.Këto grupe janë në Vlorë, Rradhimë, Dhërmi, Himarë, Bunec, Sarandë dhe Ksamil. Të njëjtat do të qëndrojnë në jug të vendit deri me përfundimin e sezonit turistik veror”, raporton Top-Channel. Këtij problemi i shtohet edhe ai i ujit, që në një qytet si Saranda është gangrenë 20 vjeçare. I shtohet po ashtu edhe fakti se ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, për orë të tëra madje, kanë edhe zona të shpopulluara si Dropulli. Reagimi me grupe pune i ngjan atij në rast përmbytjesh, që në fund kërkon si masë themelore punime që synojnë parandalimin. Sezoni turistik shqiptar, nëse ka një të tillë, ka pikun e vet 15 ditë, ndaj është mjerane të shohësh sesi edhe për vetëm 15 ditë, sistemi energjetik nuk mbulon dot një zonë të kufizuar. Dhe është mjerane po ashtu sesi këtë të drejtë themelore, njerëzit e shohin të realizuar vetëm në invers: kur u kërkohet edhe me kërcënimin e burgut pagesa. Ky është shteti i shqiptarëve.
s.z
Add new comment