Tatime-qeveri-biznes: Çfarë thoshte kryeministri vetëm një vit e gjysmë më parë
Ky i sotmi është fillimi i një komunikimi intensiv nga ana ime dhe nga ana e të gjithë ministrave me administratën për të kërkuar me insistim që administrata dhe në radhë të parë, ajo pjesë e administratës që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve të ndërrojë fytyrë, të ndërroje sjellje, të ndërrojë në themel të marrëdhënies me qytetarët.
Qytetarët e Shqipërisë sot kanë halle, kanë probleme, kanë konflikte për të cilat trakasin në dyert e shtetit, në dyert e administratës. Por, qytetarët tanë kanë dhe shpresa, kanë padyshim dhe një ambicie të shprehur me votën e tyre për të gjetur një tjetër predispozitë, për të gjetur një tjetër përkushtim, për të gjetur një tjetër vullnet në momentin kur trokasin në derën e shtetit. Sigurisht, që jo të gjitha hallet, jo të gjitha problemet, jo të gjitha shqetësimet dhe padyshim jo të gjitha pritshmëritë e qytetarëve mund të zgjidhen menjëherë dhe shumë prej tyre duan kohën e tyre, por ka një kërkesë që duhet të zgjidhet menjëherë, kërkesa që qytetarët tanë të dëgjohen, që qytetarët tanë të mirëkuptohen dhe qytetarët tanë të shërbehen me dinjitetin që shteti duhet të ketë në sjelljen ndaj tyre. Jo pa qëllim këtë komunikim ne e fillojmë sot me administratën tatimore. Jo pa qëllim në këtë takim ne kemi ftuar këtu jo vetëm drejtuesit e administratës tatimore në qendër dhe në të 14 rajonet tatimore të Shqipërisë, por dhe të gjithë ata që dolën fitues nga një konkurs model i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të Shqipërisë. Për t’i bërë të qartë se në radhë të parë jeni përzgjedhur për t’u sjellë si qytetarë me qytetarët. Në radhë të parë jeni përzgjedhur për të ndryshuar rrënjësisht vijën e sjelljes së kësaj administrate me të gjithë ata që me taksat e tyre paguajnë rrogat tuaja.
Në radhë të parë jeni përzgjedhur për të dhënë provën se administrata e shtetit shqiptar mund të jetë një administratë model në marrëdhëniet me qytetarin. Sigurisht, jeni përzgjedhur për të mbyllur një epokë në historinë e administratës tatimore, një epokë të përkufizuar nga korrupsioni, nga rryshfeti, arbitrariteti dhe nga dhuna psikologjike mbi ata që në fakt janë njerëzit që i japin gjak ekonomisë sonë, i japin ekonomisë sonë dhe vendit tonë mundësinë që të rritet, që të punësojë dhe që të krijojë mirëqenie.
*****
Është koha që në këtë vend figura e njeriut që bën biznes, të lartësohet, të vlerësohet, të respektohet dhe të vendoset në atë piedestal që meriton, njësoj siç janë në piedestalet që meritojnë këngëtarët, sportistët, artistët, gazetarët dhe të gjithë ata që përbëjnë modelet prej të cilave frymëzohen apo inkurajohen për të imagjinuar të ardhmen e tyre, fëmijët, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi. Figurën e biznesmenit hajdut, e biznesmenit kusar, e biznesmenit të dyshimtë nuk e ka krijuar vetëm ajo pjesë e komunitetit të biznesit që është sjellë si e tillë, por e ka krijuar në radhë të parë sjellja harbute, sjellja arrogante, sjellja prej kusari e vetë shtetit në raport me biznesin. Jemi vend ku për fatin më të keq njerëzit që krijojnë vende pune, njerëzit që bëjnë sukses ekonomik, njerëzit që paguajnë më shumë taksa janë njerëzit që kanë më shumë frikë. Janë njerëzit që fshihen më shumë, janë njerëzit që ndihen më shumë nën presion, madje edhe nën terror. Terror psikologjik, për shkak se janë parë vijimësisht si krijues problemesh dhe burim përfitimesh të paligjshme. Përfitime të paligjshme të tyre, përfitime të paligjshme për ata që i kontrollojnë në emër të shtetit.
Kjo duhet të ndryshojë menjëherë dhe kjo mund të ndryshojë menjëherë.
Sfidat e administrimit tatimor në Shqipëri janë të mëdha dhe janë disa. Janë sfida që nuk mund të fitohen brenda ditës dhe as brenda viti. Por nëse ka një sfidë që ne mund, duhet dhe me patjetër do ta fitojmë brenda këtij viti është sfida e transformimit rrënjësor të marrëdhënieve të administratës tatimore me tatim paguesit.
I kemi kërkuar kompanive të paguajnë 15% tatim fitimi, në raport me 10% që paguanin, pra kemi kërkuar që të rrisin kontributin e tyre për arkën e shtetit dhe kemi bërë shumë mirë. Por në të njëjtën kohë, unë jam i vetëdijshëm, qeveria është e vetëdijshme dhe secili nga ju duhet të jetë i vetëdijshëm se përkundër rritjes së kontributit të tyre, ne duhet të rrisim shërbimin dhe cilësinë e shërbimit ndaj tyre. Llogaria jonë është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë. Kemi ulur për 97% të atyre që jetojnë me një rrogë në shtet apo në privat dhe kemi rritur taksën për përfituesit e drejtpërdrejtë dhe më të mëdhenj nga aktiviteti ekonomik. Por, nga ana tjetër kemi rritur taksën zyrtare, taksën ligjore dhe kemi marrë përsipër të ulim taksën e korrupsionit dhe ta bëjmë atë të papërfillshme. Kemi marrë përsipër të ulim taksën e arbitraritetit dhe ta bëjmë atë të papërfillshme. Kemi marrë përsipër të ulim taksën e kohës, të zvarritjeve, të dhunës psikologjike dhe ta bëjmë atë të papërfillshme. Kemi bërë një llogari të thjeshtë; nga 5 mijë intervista që kemi bërë me njerëz të biznesit të madh dhe të vogël gjatë shkrimit të programit tonë, në fakt taksa reale, paraja reale që ka dalë nga xhepi i tyre gjatë një viti nuk ka qenë ajo që është regjistruar në xhepin e shtetit 10 %, por ka qenë shumë më tepër, ka arritur dhe deri në sasira marramendëse për disa dhe në mesatare ka qenë 22 %.
Pra, diferencën mes 15% zyrtar dhe 22% jozyrtar ne do ta bëjmë zero, zero, zero. Çdo sipërmarrës duhet të ndihet i respektuar dhe i frymëzuar pas kontaktit me ju. Askush nuk duhet të guxojë të trokasë në derën e një fabrike, në derën e një ndërmarrje, në derën e një dyqani me kulturën e vjetër të gjobëvënësit, me kulturën e vjetër të pengmarrësit, me kulturën e vjetër të shkelësit të lirive dhe të drejtave ekonomike, të atyre që ju siguroj flenë shumë më pak se secili prej jush dhe gdhihen me shumë më tepër ankth për ditën se secili prej jush, se kanë mbi supe një barrë shumë më të madhe se secili prej jush, barrën e mbajtjes në këmbë të një iniciative, të një sipërmarrjeje, të një grupi njerëzish që ushqehen me atë iniciativë dhe atë sipërmarrje dhe jo thjesht barrën e ushqimit të tyre vetjak.
*****
E dyta, informaliteti. Ne duhet me çdo çmim të zgjerojmë bazën e tatimpaguesve. Kjo është sfida. Ne na duhet me çdo çmim të ndryshojmë profilin e punës, nga një punë e fokusuar tek ata që paguajnë për të nxjerrë nga xhepat e tyre thërrimen e fundit përtej kufijve të ligjit apo për t’i vënë pas murit, duke mos i rimbursuar TVSH-në, tek një punë për të nxjerrë nga hija, bizneset që operojnë jashtë kufijve të ligjit dhe që jetojnë në zonën gri të ekonomisë.
FMN ka sugjeruar dhe kemi rënë dakord për ngritjen e komiteteve strategjikë për një reformë strukturore, që të rrisim mbledhjen e të ardhurave dhe ekspertiza e fondit do të jetë në dispozicionin e administratës tatimore, duke filluar nga java që vjen. Ekspertizë e drejtpërdrejt, në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme dhe në dispozicion të administratës tatimore, por njëkohësisht edhe monitorim i drejtpërdrejt.
Nga ana tjetër, ne kemi ngritur zyrën për të mbledhur të gjitha ankesat, kërkesat, sugjerimet e biznesit, në funksion të KEK dhe në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit.
Ne do të sigurojmë që çdo kompani, çdo sipërmarrës, që vihet përballë sjelljes së vjetër, vihet përballë metodave të vjetra të abuzimit, vihet përballë kërkesave korruptive, t’ia bëjë me dije kësaj zyre, që është sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar, se çfarë i ndodhi, ku i ndodhi dhe me kë i ndodhi dhe cilido emri i të cilit do të shfaqet në këtë proces, mund ta dijë që sot, se nuk do të ketë më vend në administratën tatimore të Republikës së Shqipërisë dhe padyshim për të pasur pastaj vend në komunitetin ku jeton, duhet të kalojë nga rruga e prokurorisë dhe e gjykatave, ku të provojë se sa i pafajshëm është. Boll më, me terrorin psikologjik. Boll më me tatimorët që i lejojnë vetes të futin duart në xhepat e të tjerëve. Boll më me tatimorët dhe me doganorët që e konsiderojnë veten shtresë e privilegjuar dhe vënë dhjam, duke grabitur ditën për diell kompanitë dhe duke grabitur ditën për diell edhe qindarkën në bizneset më të vogla.
Kjo është një epokë që duhet të mbyllet dhe që unë dëshiroj që secili prej jush dhe secili prej punonjësve të sotëm administratës tatimore ta konsiderojë, njësoj siç e konsiderojmë ne qeveria, si domosdoshmëri dhe të përpiqet për ta bërë realitet këtë domosdoshmëri.
Ligjet tatimore në fuqi janë ndryshuar aq shpesh sa që kanë jo probleme, por që kanë një potencial të madh destruktiv për raportet tona me biznesin sepse krijojnë mospërputhje dhe përplasje konceptuale. Ne do ta rishkruajmë legjislacionin tatimor në bashkëpunim të ngushtë me FMN, me BB dhe me ekspertizën tonë të kualifikuar, që është ekspertizë nivelit më të lartë botëror. Por, ndërkohë asnjë ligj sado qartësisht i shkruar, nuk mund të zëvendësojë vetëdijen e brendshme të administratës dhe të administratorit tatimor se në radhë të parë është përgjegjshmëria, vullneti, durimi dhe kërkimi i mirëkuptimit në çdo biznes që ankohet rruga për të garantuar suksesin.
E për këtë arsye, unë e përgëzoj Drejtoren e Përgjithshme, dhe përgëzoj të gjithë drejtuesit aktualë, pa përjashtim, të administratës tatimore që kanë vendosur gurin e parë të themelit për një marrëdhënie të re, duke hapur dyert e administratës tatimore për sipërmarrësit, duke nisur të krijojnë mekanizmat e dëgjimit sistematik të tyre dhe duke vendosur nevojën për mirëkuptim, pa cenuar interesat e njëri-tjetrit jashtë kufijve të ligjit, në themelin e marrëdhënies mes shtetit dhe biznesit.
*****
* Pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takim me punonjës të administratës tatimore nga të gjitha qytetet e vendit më 18 janar 2014
Add new comment