Taksë progresive, dështim progresiv. Mbetet vetëm Burgu. Por a do të funksionojë?
U deshën diçka më shumë se dy vite që ekstaza robinhudiane e taksës progresive të dilte me dhimbje koke të mëdha. Edhe pse që në fillim u tha nga FMN dhe aktorë të tjerë, se taksa progresive lidhet ngushtë me performancën e administratës tatimore, kryeministri aktual dhe canët që e këshillonin vijuan përpara. Ku jemi sot? Sot jemi në kushtet kur qeveria deklaron se mungojnë 134 milionë dollarë si pasojë e mosmbledhjes së të ardhurave dhe për pasojë, do të nisë aksioni i luftës kundër informalitetit. Kryefjala e tij: Burgu. Vlerësohet se çdo vit Shqipëria humbet 680 milionë dollarë për shkak të informalitetit ekonomik që shkon në rreth 34%. Mirëpo shifra e tanishme referohet në lidhje me parashikimin e qeverisë, e cila e njeh këtë realitet. Pra 134 milionë dollarë nuk lidhen dhe aq me informalitetin, i cili nuk lindi sot. Teza e qeverisë se do të nisë aksionin ndaj informalitetit dhe evazionit nuk qëllon në shenjë qoftë edhe duke marrë parasysh se vitin e kaluar as që u fol për të, meqenëse bilanci i të ardhurave ishte më pozitiv. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që drejtohet nga Briseida Shehaj, një person caktuar aty sipas tekave të kryeministrit, disponon një sistem të brendshëm menaxhimi i-tax, që supozohet se do të duhet të rriste kapacitetet administrative. Mirëpo që nga janari 2015 e mbrapa, DPT-ja ka njoftuar disa herë shtyrjen e afateve në deklarim, duke nxitur dyshime për probleme. Çfarë çalon në këtë kuadër? Janë pyetje që vetëm DPT mund t’u japë përgjigje.
Në kushtet e tanishme, kur deklarohet zyrtarisht se ka dështim në administrimin tatimor, po fiton terren ideja e një ndryshimi në politikën fiskale. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, deklaroi sot se PD-ja sugjeron taksën e sheshtë, 9%, më e ulëta në rajon. “Ministria e Financave ka pranuar më në fund zyrtarisht dështimin e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave. Dështimi në mbledhjen e të ardhurave, dështimi në tatime e dogana, është në fakt dështimi kryesor i një qeverie. Kur një qeveri nuk mbledh të ardhurat, ajo pushon së funksionuari në rolin e saj më kryesor. Partia Demokratike thekson se zgjidhja e vetme është ulja e taksave, administratë e ndershme në tatime e dogana, dhe trajtimi i barabartë para ligjit e detyrimit për të gjithë. Partia Demokratike bën edhe një herë të ditur se sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit, ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 përqind, më të ultën në rajon”, tha Spaho.
Që Shqipëria ka taksa të larta kjo u pohua edhe nga drejtori i FMN-së në Tiranë. A do të rishikojë diçka qeveria në këtë drejtim? Me sa duket jo. Në fillim do të provojë represionin dhe burgosjen. Por asnjë përvojë botërore nuk dëshmon se represioni sjell sukses për administrimin fiskal. Është e qartë se kërkohet ndryshim i politikës fiskale, kërkuar sa herë edhe nga biznesi vendas. Por një gjë e tillë do të nxirrte lakuriq Rilindjen e vërtetë, gënjeshtrën dhe paaftësinë, që në një vend normal kërkojnë hapjen e dy proceseve: riformatim të qeverisjes dhe largim të kryeministrit.
s.z
Add new comment