Blloku Bota
Femër apo mashkull, deri 16 vjeç vendosin prindërit
Parlamenti vendor i provincës Saskatchewan ka miratuar një projektligj, sipas të cilit, nxënësit nën 16 vjeç nuk mund të ndryshojnë referencën gjinore pa lejen e prindërve.
Fjala është për gjininë e përemrave. Sipas ligjit të ri, nxënësit transgjinorë nuk mund të deklarojnë identitet tjetër gjinor nga ai natyral, pa marrë paraprakisht miratimin e prindërve.
Vera spanjolle “zë” prodhuesit francezë
Prodhuesit francezë të verës protestuan këtë javë kundër importit të verës spanjolle, me argumentin se po krijohet konkurrencë e pandershme në tregun vendas, i cili tashmë ka teprica.
Sipas Le Parisien, rreth 500 protestues u mblodhën në një autostradë pranë qytetit kufitar francez të Boulou, ku ndaluan disa kamionë me produkte spanjolle dhe shkatërruan ngarkesat e tyre.
Kina zgjeron me 100 koka bërthamore në 1 vit arsenalin e vet nuklear
Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar përmes një raporti zyrtar të cituar në mediat ndërkombëtare, se Kina ka aktualisht në dispozicion 500 koka bërthamore, ose 100 më shumë sesa vitin e shkuar. Sipas Departamentit arsenali i Kinës do të dyfishohet deri në vitin 2030 dhe 3-fishohet deri në vitin 2035.
Korea e Veriut kërcënon me goditje parandaluese bërthamore SHBA-të
Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dislokuar në Korenë e Jugut bombardues strategjikë B52 dhe F-22 Raptor ka sjellë një paralajmërim disi disproporcional nga Koreja e Veriut. Në një shënim në Agjencinë Koreane të lajmeve vihet në dukje e drejta kushtetuese e vendit në fjalë për të vepruar me goditje parandaluese bërthamore në rast të vlerësimit se ka një sulm imininet ndaj vendit.
“Shengeni është prishur”
“Shengeni nuk ka vdekur, por është prishur, prandaj ne duhet ta rregullojmë”, tha ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Kerner, në Luksemburg, gjatë një takimi të përbashkët për shtyp me homologen e tij gjermane, Nancy Faeser.
Për përfaqësuesit e Vjenës dhe Berlinit, rivendosja e kontrolleve të kufijve të brendshëm është "e nevojshme" përballë "presionit" të "konsiderueshëm" migrator.
Gratë kërkojnë përfshirje në Kishën Katolike
Gratë kërkojnë më shumë vend në Kishën Katolike. Një grup përfaqësuesesh të kësaj lëvizjeje janë mbledhur në Romë për të përcjellë kërkesën e tyre. Nga Europa, Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, India apo Afrika e Jugut, ato thonë se i bashkon fakti se janë të përjashtuara nga rolet kryesore në atë që shumë e shohin si një Kishë "patriarkale dhe maço".
Izraeli të mos bëjë gabimin e ndërhyrjes tokësore në Gaza
Ish-kreu i shërbimit amerikan të inteligjencës, CIA, David Petraues, ka paralajmëruar Izraelin për opsionin e një ndërhyrjeje tokësore në Gaza. Duke folur për “Politico”, ai e ka krahuasuar eventualitetin e një zhvillimi të tillë me ngjarjet e Mogadishos më 1993, por të shumëfishurara për nga intensiteti.
Nëse Hamas është po aq kreativ sa ç’ishte në atë sulm barabar dhe të papërshkrueshëm, atëherë do të shohim kamikazë, pajisje të improvizuara eksplozivi, prita dhe kështu realiteti urban nuk mund të jetë më sfidues se kaq
Portugalia nuk do t’u japë më shtetësi hebrejve sefardikë
Parlamenti i Portugalisë ka miratuar një projekt-ligj që i jep fund ligjit të shtetësisë për pasardhësit e hebrenjve sefardikë (diaspora hebreje në Gadishullin Iberik) që u dëbuan gjatë Inkuizicionit Spanjoll.
Projektligji, i cili mund të hyjë në fuqi më 1 janar, kaloi në diskutimin e parë me mbështetjen e Partisë Socialiste në pushtet pas një debati të ashpër. Më pas do të rishikohet dhe do të amendohet nga Komisioni i Parlamentit për Çështjet Kushtetuese, të Drejtat, Liritë dhe Garancitë.
Turqia premton ndihmë për anëtarësim të Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-S
Ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, gjatë vizitës në Prishtinë konfirmoi mbështetjen për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe NATO.
Ne përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në qarqet ndërkombëtare. E theksuam faktin që duke nisur nga Kosova, paqja, mirëqenia dhe siguria në Ballkan çështje me rëndësi të madhe për ne”, theksoi ai.
Turqia ka marrë drejtimin e KFOR-it dhe Guler premoi realizimin e kësaj detyre me neutralitet.
Fotolajm/Konferencë për shtyp mes viktimave në spitalin e Gazas!
Në rrjetet sociale po qarkullon fotoja e një konference për shtyp siç quhet e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza mes viktimave të sulmit në spital.