PD-ja akuzon: “Miku i Edi Ramës mori koncesionin e dializës për 61 milionë euro. Do ta anullojmë”. Por akuza nuk zbardh asnjë emër
Partia Demokratike nxori sot zëdhënësen Orjela Nebijaj për të denoncuar koncesionin e dializës që është dhënë së fundmi. “61 milionë euro do të marrë me 3 gusht një mik i Edi Ramës, siç e tregon përvoja e deritanishme dhe qepja e kritereve sipas portretit të fituesit të paracaktuar. Sipas ekspertëve të fushës, mjafton 1/10 e kësaj shume për të përmirësuar shërbimin ekzistues e për ta bërë atë funksional. Edi Rama jo vetëm po i jep 61 milione euro klientit të tij, por po e nxjerr dhe këtë shërbim jashtë sistemit duke ia besuar njerëzve të tij për interesa biznesi dhe jo për interesat e shëndetit të qytetarëve. Premtoi shëndetësi falas por pas dy vitesh shëndetësia është bërë pazari më i madh në vend, kushtet janë në ditën më të keqe, qytetarët po paguajnë më shumë se asnjëherë tjetër, shërbimi është skandaloz, ndërsa miliona euro po përfundojnë në xhepat e klientelës”, th Nebijaj. Dhe pak më tej premtimi solemn të cilin e hëngrën njëherë të gjithë para 2013-ës: “Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë biznes monstruoz me jetën e qytetarëve të vendit. Ne garantojmë qytetarët se do të anulojmë çdo koncesion korruptiv dhe do vemë para ligjit përgjegjësit sapo qytetarët të na japin besimin e tyre për të drejtuar vendin”. Përveç faktit të gjithëkuptuar se kryeministri është një gënjeshtar i zakonshëm, pyetja që shtrohet në këtë rast është: kush është miku i Edi Ramës që merr këtë koncesion? Pse PD-ja nuk i vë emër këtij miku?
Add new comment