Dekriminalizimi, kryeministri pëshpërit disa fjali

Postuar në 30 Korrik, 2015 08:43

Kryeministri shqiptar ka komentuar sot në konferencën për shtyp edhe çështjen e kriminalizimit të politikës dhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Si në çdo rast, kur punët nuk janë mirë, Edi Rama është përtypur me “argumente” që thjesht janë statistikë fjalësh në një konferencë për shtyp. “Persona të cilët janë dënuar dhe kanë kryer dënimin, në kushtet e Kushtetutës e ligjit në Shqipëri e në të gjitha vendet e Europës, janë persona të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe zgjidhen. Gjykime larg apo afër por që nuk janë në dëshmi penale, adresohen me ligj. Kjo është të përballesh me një fenomen që padyshim është i padëshirueshëm. Këto luftërat që ngjajnë shumë inkuizicioneve që shkojnë tek personi dhe politika merret me fenomene dhe adreson probleme. Politika nuk merr përsipër të përvëlojë njerëz, por duke adresuar fenomene. Persona të cilët janë dënuar dhe kanë kryer dënimin në kushtet e kushtetutës e ligjit në Shqipëri e në të gjitha vendet e Europës, janë persona të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe zgjidhen. Do pengojmë ata që kanë rekorde kriminale të gjykuara, jo të supozuara ”, tha kryeministri Edi Rama. Arben Ndoka është personi më i përfolur këto ditë. Ai është i gjykuar për një vepër penale dhe për të PD-ja ka publikuar vendimin. Në asnjë rast nuk është përgënjeshtruar ky vendim. Nga ana tjetër lind pyetja: çfarë e mban kaq të bllokuar zotin kryeministër në logjikën e pacipë që përdor, kur disa kryebashkiakë të padëshiruar i nxori jashtë loje, pikërisht me disa akuza penale që në fund u rrëzuan? Më tej akoma: rasti i z. Ndoka është denoncuar nga PD-ja qysh kur në Parlament dhanë dorëheqje nga mandati dy persona që t’i hapej rruga këtij të fundit për deputet. Pra nuk kemi të bëjmë me një njohje të faktit pas denoncimit. Së treti, pse vallë PS-ja nuk mori vendim për përjashtim të tij nga Grupi Parlamentar, në momentin që u bind për cv-në e tij? Po flasim për një parti, barra morale e kontratës me të cilën, po të besojmë atë që thuhet, me gjasë do të tundonte edhe ndonjë apostull.
Së katërti: është e vërtetë që dënimi nuk të ndalon të zgjidhesh, por po aq e vërtetë është se kandidatët përgjithësisht synohen me integritet dhe pa ngarkesa të ngjashme. Në fushatën e fundit, pati deklarata publike për kandidatë me rekorde kriminale në të shkuarën. E megjithatë kryeministri nuk u tërhoq nga lista e tij, meqenëse “nuk kishte vendime gjykatash”. Dhe këtë alibi, të denjë për partinë e tij ndoshta, e shet në një kohë kur nga mëngjesi në darkë sulmohen gjykatat si të korruptuara e si banda. Si vallë të presësh drejtësi penale, apo dënime nga gjykata të tilla? Janë pyetje të cilave z. Kryeministër iu përgjigjet me gjysmë zëri pas muajsh të tërë presioni. Sidomos nga partnerët me të cilët nuk ka edhe aq marrëdhënie të mira. Pyetje që po marrin përgjigje ku mungon vullneti i vërtetë dhe mbulimi i të cilave kompromenton shumë nismat e pritshme në shtator, si reforma në drejtësi, apo edhe ligji i ri për Byronë e Hetimit. Ligji nuk ka sesi të jetë gogol për disa dhe pistoletë për disa të tjerë, pasi në derexhenë ku e ka katandisur edhe kjo qeveri këtë popull, shumica me të vërtetë që nuk ka se çfarë të humbasë.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.