Kriza e dy gërdallave si model politik/Nga joshja prej Elena Kocaqit te pohimi: Pilinçi drejton SPAK-un

Postuar në 27 Prill, 2025 18:39

Çfarë mendimi ke për Elena Kocaqin?

Është një pyetje që aksidenton logjikën por që është normuar tashmë në rrjedhë të dëshpërimit të përgjithshëm. Është një pyetje që ka shumë përgjigje, në plan teorik. Duke nisur që nga nevoja për riklasifikimin e aderentëve te homo sapiensi, krijimi i kategorisë së homo desapiensi e për të vazhduar më tej. Megjithatë pyetja tradhëton hutimin e madh të një pjese të njerëzve pranë datës 11 maj. Duan të votojnë, nuk dinë se kë dhe në mënyrë instinktive truri kërkon alternativa përkundër dy gërdallave të mirënjohura.

Adriatik Lapaj del mirë në sondazhe. Ja fjalia tjetër edhe më therëse. Si mundet që një laraskë e tillë politike të bindë një shumicë njerëzish? Përgjigja këtu është një: dëshpërimi. Personi në fjalë është ushtruar në ulërimë skenike duke premtuar se do bëjë njërën. Dhe psikologjia mandej i hap rrugë dëshirave që të kultivojnë vendimin për të votuar. Fatkeqësi! Duhet të jesh sharlatan i një niveli të lartë të marrësh guximin të flasësh i ky Lapaj në të vërtetë.

Nuk mbaron këtu. Në një bisedë rastësore, një person i moshës mbi 60, me një farë artikulimi, të zbulon diçka që të jep të kuptosh se vuan nga një imagjinatë e vdekur.

Pëllumb Pilinçi drejton SPAK-un si njeri I amerikanëve. Ndaj po goditet majtas e djathtas

Ky është një person që ka disa kredenciale që veprojnë mirë mbi psikikën e shqiptarit. Vjen nga SHBA dhe paraqitet si i brendshëm në punët e “Deep State”. Flet në mënyrë ultimative me pamjen e dikujt që di diçka që askush nuk e di, duke lozur me rolin e profetit. Dhe duke qenë se njerëz të ndryshëm duan shpjegim “metafizik” ose jorastësor për zhvillimet, Pilinçi përmbush kriterin e shpjegimit të një plani të mirëmenduar.

Të gjitha këto nuk janë për të qeshur. Aspak. As mund të imagjinoheshin në këtë shkallë katër vjet më parë. Shpërbërja e referencave politike është kaq e thellë saqë jemi përpara një dukurie kur partitë klasike nuk ofrojnë më asgjë. Ato nuk e zotërojnë më të ardhmen. As nëse ajo është një investim për shtetin, as nëse një investim për diçka tjetër. Nuk është për qeshur, sepse kështu nisi kudo kjo lodër që mori emrin konspiracionizëm.

Skena është bërë shumë poroze. Ajo po i ikën konvecioneve dhe po prish hierarkitë që janë së paku një siguri. Kështu shpjegohet paradoksi që gërdalla që qeveris ka afruar pranë vetes lloj e soj anonimësh dhe idiotësh që qeshin, tik-tokista si model, ndonëse ka në dorë të frenojë diçka nga kjo prirje.

Mirëpo ja që gradualisht, dështim pas dështimi, pazar pas pazari, politika e vjetër është reduktuar në një subjekt konspiracioni që nuk interpretohet më përmes premtimeve dhe politikave, por përmes planeve djallëzore që dirgjohen nga gjetkë. Nuk ka pse të çuditemi që pas katër vjetësh të dëgjohen teori edhe më absurde dhe influencër të tik-tok apo instagramit të jenë kandidatë seriozë për kryeminstër.  

s.zaimi

Comments

Submitted by Esat Bajraktari (not verified) on

NUk e kuptova nese ishte shaka apo serioze qe nje eksponent politike ne shqiperi u etiketua "larakse politike".
Personalisht nuk di asgje per kete politikan, madje dhe fytyra e tij me eshte e panjohur. Por nese ky eriketim eshte serioz, gazetari apo opinionisti duhet te bejne detyren e tyre dhe te shpjegojne logjiken qe i coi deri aty.
Shpeshhere keto artikuj me kujtojne shkrimin e Mark Twain "Gazetaria ne Tennessee". Qe ja vlen te rilexohet ne raste te tilla...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.