Marrëdhënia jonë pronësore po i afrohet një Riorganizmi të Madh në shkallë globale

Teksa kaloj nga qendra e Çikagos drej kampusit tim universitar, rruga bie në një itinerar që ka histori të ndërlikuar dhe me pasoja lidhur me tokën. Vetëm dy shekuj më parë, kjo ishte një zonë moçalore, tokë e tregtisë së leshit për fiset vendase. Më të njohurit mes tyre ishin Oxhibve, Odava dhe Potavatomi, të gjithë bashkë, njohur si Këshilli i Tre Zjarreve. Këto fise kishin të drejta kolektive mbi tokën dhe të drejta reciproke gjuetie. Shumë gjëra kanë ndryshuar qysh atëherë.
Pasi lufta dhe sëmundja i dobësoi fiset, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli pronësinë mbi kullotat, pyjet dhe më e rëndësishmja, tokën përqark lumit Çikago, menjëherë pas luftës së vitit 1812. Ajo kaloi mandej në administrimin e shtetit të Ilinois, më vonë te një komision kanalesh që nga ana e vet ua shiti atë blerësve privatë.
Teksa pedaloj, kaloj përmes një parku publik që dikur ishte kufiri i pararojës së ushtrisë amerikane, që më vonë u bë një vend depozitimi për rrënojat e shkrumbuara nga Zjarri i Madh i vitit 1871. Eci më tej në vendin e përplasjeve të dikurshme mes ushtrisë amerikane dhe fiseve lokale dhe mes një serie plazhesh dhe lagjesh ku u zhvilluan beteja të radikalizuara për zonimin dhe zhvillimin e truallit, mes zezakëve, të bardhëve dhe qytetit, që nga koha e Migrimit të Madh. Me të mbërritur në kampusin tim, hyj në terrenin që zotërohet nga Universiteti i Çikagos, i blerë më 1800-n nga pronari i pikave të shitjes, Marshall Field, që më pas ia dhuroi atë John D Rockfeller për të ndërtuar universitetin, themeluar më 1891.
Mund të jetë e lehtë të harrohet domethënia e tokës poshtë këmbëve tona – dhe sesa shumë ka formësuar shoqëritë ku jetojmë. Për shumicën e njerëzve banesa është shtëpia e tyre – ose e pronarit të saj. Është blerë, shitur, ose dhënë me qira bashkë me tokën nën të, duke kaluar përgjatë viteve nga njëra familje te tjetra. Por në një pikë – dhe ndoshta disa herë – ka patur ndryshime të pakthyeshme ndaj kësaj marrëveshjeje në dukje permanente. Pronësia mbi tokën mund të shndërrohet thellësisht. Ka ndodhur në të shkuarën dhe do të vazhdojë kështu në të ardhmen.
Si një studiues i politikës, kam studiuar sesi pushteti mbi tokën ka formësuar shoqëritë në mbarë botën. Nga Irlanda në Itali, nga Kili në Afrikën e Jugut dhe nëpër Perëndimin amerikan, betejat mbi pronësinë dhe përdorimin e tokës, janë gdhendur në historitë familjare dhe kanë përcaktuar fatin e kombeve. P.s në terrinat e maleve afër Cuaco-s në Peru, kam takuar një grua që kujtonte se ishte rritur me punë të detyruar në një pronë private me rrënjë koloniale: kur ishte 20 vjeç, toka u konfiskua nga qeveria dhe i kaloi komunitetit që e ndau në parcela familjare. Një tjetër burrë me të cilin fola së fundmi në Afrikën e Jugut më tregoi për zhvendosjen me forcë të prindërve të tij nën Apart’heidin. Toka e tyre ishte kultivuar nga një kompani sheqeri, por në vitin 2008, iu kthye komunitetit, që tani ia jep me qira të njëjtës kompani. Dhe Parkun Kombëtar të Patagonisë në jug të Kilit, u ngjita në stepat e mbuluara nga bari që kishin qenë në harkun e një shekulli, nga një peizazh natyror me kalime episodike dhe tranzitore, në një fermë private të kufizuar, te një kooperative shumëfamiljare, sërish në një fermë private dhe mandej në duart e një filantropi që ia dhuroi qeverisë për ta ruajtur.
Sot ne gjendemi në mes të një procesi të “shndërrimit të madh” të tokës. Përgjatë dy shekujve të shkuar, thuajse të gjitha shoqëritë kanë rishpërndarë pronësi mbi tokën dhe të drejtat pronësore. Dhe për shkak se pushteti që toka u jep atyre që e zotërojnë atë, ky shndërrim i ka vënë shoqëritë në trajektore të dallueshme zhvillimi. Ka ndihmuar disa vende të bëhen me egalitare dhe produktive, aty ku për të tjerë ka rrënjosur hierarki rracore, pabarazi të mëdha dhe stanjacion ekonomik.
Fluska demografike globale dhe ndryshimet e klimës do ta theksojnë këtë shdërrim dhe pamja e asaj sesi kjo do të ndodhë ka nisur të shfaqet. Toka do të bëhet përherë e më e pakët dhe më e vlefshme teksa popullsitë rriten – dhe e kundërta mund të ndodhë shekullin tjetër kur shoqëria të precipitojë. Ndërohë, një klimë në ndryshim do t’i bëjë zona të mëdha toke më tërheqëse dhe produktive teksa të tjera do të bëhen të pabanueshme. Mes këtyre ndryshimeve, çështja është sesi ta riorganizojmë mirë tokën. Një gjë është e qartë: qasjet e vjetra, shekullore ndaj të drejtave mbi pronën dhe pronësinë nuk i përgjigjen sfidës.
Rreth 10 000 vjet para Krishtit, popullsia e botës ishte diku mes asaj të San Diegos së sotshëm(1.4 milionë) dhe New York City(8.5 milionë). Në të gjithë historinë e mëparëshme njerëzore, grupe të vogla njerëzish i binin Tokës kryq e tërthor me një akses në burime të bollshme, ndaj nuk kishte nevojë të fiksohej një pronësi mbi tokën. Kjo ndyrshoi me zhvillimin e kultivimit të tokës dhe komuniteteve sedentare. Qytetet e përhershme bujqësore u krijuar rreth 5000 vjet p.e.s dhe në disa vende, edhe më herët. Për herë të parë, ngulime të tëra njerëzish mund të mbështesnin veten përmes kulturave bujqësore dhe blegtorisë. Kishte lindur pushteti i tokës
Kontrolli mbi tokën do të thoshte kontroll mbi prodhimin dhe tepricat, si dhe aftësinë për të fituar status, pasuri dhe pushtet përmes dominimit, pushtimit dhe krijimit të rregullave sociale. Toka u bë shumë shpejt një fokus konkurence. Rreth këtij fakti ka të dhëna për konflikte pronësore që datojnë që në Mesopotaminë antike si dhe mosmarrëveshje për pronën në Perëndorinë Romake.
Popullsia relativisht e vogël aty nga fillimi Erës së Re – që shkonte diku te 150 milionë – 300 milionë – u shumëfishua në 1 miliardë rreth vitit 1800. Konkurenca për tokë u përshpejtua në proporcion me mungesën relative të saj. Me të hyrë në shekullin e 19-të, pronësia ishte bërë edhe më e pabarabartë në shumë vende të botës. Që nga haciendas e pafundme dhe abuzive në Amerikën Latine te shoqëritë lordë/fshatarë në Europë dhe Rusi dhe sistemet tërësisht të padrejta lordë/qiramarrës të Azisë Lindore, shumë prej rajoneve më pasura funksiononin mbi shfrytëzimin dhe shtrëngimin. Në linjën time atërore, paraardhësit e mi ishin kapur, si shum të tjerë, në fund të kësaj hierarkie, robtuar në bujkrobëri në pjesë të Austro-Hungarisë dhe Polonisë së pushtuar nga Rusia.
Në dy shekujt e pasues, shtetet u bënë të forta dhe të organizuara mjaftueshëm sa për të zotëruar, rialokuar dhe rishpërndarë tokën në një shkallë masive dhe me saktësi të konsiderueshme. Tensionet sociale vluan drejt konfliktit. Rezultati ishte një përmbysje dramatike e kategorive që zotëronin pronën në të gjitha shoqëritë.
Riorganizimi i madh nisi në mënyra të ndryshme. Në disa raste, ajo përfshinte përvetësimin e tokave të indigjenëve nga kolonët. Në raste të tjera kjo përfshinte marrjen e oronave nga pronarët e mëdhenj dhe dhurimin e tyre fshatarëve, qoftë si kooperativë, si kolektivitet, apo si individë. Paraardhësit e mi në Poloninë e Jugut, fituan një parcelë të vogël toke – me gjasë marrë nga familja lokale fisnike – gjatë revolucioneve të vitit 1848 që shpërthyen në Europë
Shndërrimet pronësore riorganizuan thuajse të gjitha vendet mbi Tokë dhe vendosën shoqëritë në trajektore të reja zhvillimi, marrëdhëniesh rracore dhe gjinore, trajtimi dhe mjedisore. Për disa shoqëri, kjo çoi në më shumë egalitarizëm. Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia, Korea e Jugut dhe Tajvani, të gjithë adoptuan programe të gjera përmes të cilave e transferonin tokës nga pronarët te qiramarrësit në parcela të vogla familjare. Qeveritë e këtyre vendeve ecën më tej me subvencione bujare. Brenda një brezi, familjet po dërgonin fëmijët e tyre në shkollla më shumë sesa në fusha. Urbanizimi dhe industralizimi që pasoi, i ngriti këto vende në ballë të ekonomisë globale.
Por shumë më tepër vende të tjera ngecën. Pas fundit të luftës civile në Kinë, në fund të viteve ’40, Partia Komuniste konfiskoi të gjithë tokën private në vend, e shtetëzoi atë dhe mandej krijoi prona të mëdha kolektive që përfshinë 430 milionë njerëz. Ishte një ndër eksperimentet më të mëdha të riorganizimit të tokës në historinë njerëzore. Dhe ai shkaktoi kaos teksa pyjet e Kinës u prenë dhe prodhimi i ulët bujqësor çoi në Urinë e Madhe. Të ecësh sot në fushat e vendeve si Dali në provincën e Yunnan, siç kam bërë unë, të del para një pamje e ndryshme e produktivitetit që u shfaq vetëm pasi Kina shpërbëri kolektivizimin dhe lejoi familjet të kultivonin ngastra të caktuara toke.
Në Afrikën e Jugut, pronësia e tokës u diktua nga Apart’heidi. Qeveria i zhvendosi me forcë zezakët nga toka e tyre dhe i ngjeshi ata në zona me cilësi të keq, duke i larguar nga qendrat e pushtetit ekonomik dhe politik. Të bardhët përvetësuan tokën për vete. Nga fundi i Apart’heidit, pakica e bardhë që përbënte rreth 11% të popullsisë, zotëronte 86% të tokës bujqësore.
Në SHBA, riorganizimi i tokës kishte pasoja të ndryshme. Zhvendosja e komuniteteve të vendasve dhe rialokimi i tokës së tyre kolonëve, krijoi kushtet për një eksperiment radikal në demokraci, mes kolonëve me pak tokë në Neë England, sistemit të skllavërisë dhe plantacioneve në Jug dhe një sistem të rezervateve të indianëve në Perëndim. Kur bëra punë terreni në Rezervatin e Agua Calientes që ka qendër Palm Springs, Kaliorni andej nga fundi i vitit 2023, pjesëtarë të fisve më tregonin vazhdimisht për zaptimin e tokës si rrënja e përpjekjeve të të huajve për të prishur kohezionin fisnor dhe ruajtjen e kulturës.
Sot në botë, njerëzit po jetojnë dhe përthithin pasojat e riorganizimit të madhe që ka ndryshuar brendinë e shoqërive – nga paksëimi i burimeve te racizmi, pabarazitë gjinore, nivelet e mirëqenies dhe hierarkia e botës. Në dekadat e ardhshme, adresimi i problemeve që lidhen me këto shndërrime do të kërkojë që të njihen dhe pranohet origjina e tyre si dhe hartimi i politikave që e kthejnë tokën në një forcë për ndryshim social pozitiv.
Në fund të fundit, toka është ende aseti më i vyer në botë, pavarësist animit ekonomik drejt teknologjisë dhe prodhimit në ekonomitë e avancuara. Popullsitë në rritje dhe nevoja për t’i ushqyer ato, për të gjeneruar burime për to kanë çuar në një siprale të kërkesës për tokë. Kjo është e vërtetë edhe në zona urbane, ku çmimi i tokës është tipikisht i lartë. Presioni mbi tokën sa do të vijë dhe vetëm do të rritet në dekadat e ardhshme. Dhe riorganizime të tjera janë në horizont.
Veprojnë këtu të njëjta shtysa që vepronin në kohën e Riorganizimit të Madh. Vende si Brazili, Kanadaja, Kolumbia dhe Afrika e Jugut vazhdojnë ta riorganizojnë tokën sot për të adresuar presionin për terrene dhe për të korrigjuar veprime të mëparëshme si shpronësimi me forcë i grupeve indigjene. Afrika e Jugut p.sh, po punon për të kthyer miliona akra tokë për të përmbushur kërkesat e zezakëve që u shpronësuan nën Apart’heidin. Në fund të vitit 2023, unë punova me disa komunitete zezakësh që përfituan tokë në zonën e Tenbosh të provincës së Mpumalangas, anëtarët e të cilit ishin dëshmitarë, si të brutalitetit të zhvendosjeve gjatë erës së Apeart’heidit, ashtu edhe të fuqisë shndërruese të kthimit të tokës. Historia e tyre është një prej mijërave të tilla.
Nga fundi i këtij shekulli, demografët presin që popullsia e botës të arrijë kulmin e rreth 10 miliardë njerëzve – një rritje me 10-fish që nga viti 1800. Megjithatë, rritja nuk do të jetë homogjene. Popullsitë e vendeve si Japonia, Kina po zvogëlohen qysh tani. Ndërohë Afrika SubSahariane po i paraprin një bomi popullsie që do të rrisë në mënyrë dramatike presionin mbi tokën bujqësore, duke i bërë kështu jehonë ngjarjeve të para qindrave vjetësh në Europë dhe në Amerikën Latine një shekull më parë. Nigeria me një shkallë lindshmërie prej 5.2 lindjesh për një femër, mund ta kalojë popullsinë e Kinës përpara vitit 2100. Republika Demokratike e Kongos, Etiopia dhe Tanzania mund të bëhen mes 10 vendeve më të populluara në botë
Këreksat për rioorganizim të shpërndarjes së tokës dhe dëshirat politike për ta bërë këtë do të jenë të pafrenueshme në këto vende. Kjo po ndodh tashmë në zona konflikti si Sudani. Disa vendime mund të kenë efekte shpëtimtare duke e kaluar pronën nga elitat ilegjitime në duart e familjeve dhe klaneve që përbëllen me pasiguri në posedimin e pronës apo edhe zhvendosjen. Riorganizimi, megjithatë, mundet po kaq lehtë të militarizohet: një mjet i dhunshëm i konfliktit etnik apo dominimit politik.
Dhe ndërkohë që bota po ecën përmes krizës demografike, një faktor i ri i fuqishëm – ndryshimi i klimës – ka nisur të nxisë një valë migratore dhe konkurence mbi tokën. Me ngrohjen e planetit dhe pakësimin e burimeve, toka është e destinuar të ndryshojë duar dhe përdorim me një ritëm të shtuar.
E ardhmja është në Veri. Gjerësitë gjeografike në veri të paralelit 45 përbëjnë vetëm 15% të sipërfaqes së tokës, por kanë 29% të tyre të lirë nga akulli dhe janë shumë pak të populluara. Edhe më në veri, toka do të çlirohet nga akulli dhe sipërfaqja e akullt në dekadat që do të vijnë, për t’u bërë më e temperuar dhe produktive. Një pjesë e madhe e kësaj toke zotërohet direkt nga qeveritë dhe komunitetet indigjene, shpesh me pretendime konfliktuese; shumë pak prej saj është pronë private.
Kanadaja dhe Rusia, dy vendet më të mëdha veriore do t’iu nënshtrohen ndryshimeve më dramatike. Bujqësia mund të zgjerohet drejt stinëve më të gjata, temperaturave më të ngrohta dhe shkrirjes së miliona akrave permafrosti. Një model i fundit klimaterik tregon se Kanadaja do të fitojë deri në vitin 2080, 4.2 milionë km2 tokë arë, e përshtatshme për rritjen e kulturave si gruri, misri dhe patatja – një shifër që përfaqëson 4-fishin e stokut aktual të tokës së punueshme të saj. Një sasi e afërt toke do të bëhet e punueshme në Rusi, duke i pozicionuar këto dy vende si kanistrat kryesore të ushqimit në botë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, këto ndryshime do të kërcënojnë pyjet boreale në zgjerim dhe industrinë pyjore.
Klima më e ngrohtë dhe rritja e aktivitetit ekonomik në këto vende do të nxisë rritjen e popullsisë dhe migrimin, duke krijuar presion për riorganizimin e terrenit. Në Kanada, 89% e të gjithë tokës është “tokë e Kurorës” – zotëruar publikisht nga qeveria federale dhe qeveritë provinciale. Kombet e Para të popujve indigjenë pretendojnë sasi të mëdha, kështu që tensionet mund të arrijnë në pikën e vlimit me fuqizimin e interesave private.
Mund të vijë një kohë kur Kanadaja të synojë konservimin e pjesëve më të mëdha të tokës së vet përmes një serie të re parqesh kombëtarë. Konservime të tilla të tokës janë pjesë e një prirjeje në rritje. Qeveria kiliane p.sh, krijoi në vitin 2018 një sistem të ri prej 17 parqesh kombëtare për mbi 2800 km mes qytetit port të jugut, Puerto Montt dhe rripit jugor të Amerikës së Jugut, Cabo de Hornos. Sistemi i parqeve – përfshirë Parkun Kombëtar të Patagonisë, një mozaik i ashpër malesh dhe kullotash të rrahura nga erërat që vizitova së fundmi për të dokumentuar këtë shndërrim – mbulon rreth 30 milionë akra tokë. Nga viti 2014 në vitin 2018, Kili kaloi nga mbrojtja e vetëm 4% të tokës së tij dhe zonës detare në 36%. Ndërkohë Kina tani synon të krijojë sistemin më të madh në botë të parqeve kombëtare deri në vitin 2035, kurse vende si Norvegjia janë të prirura të zgjerojnë hapësira të tilla.
Në vitin 2016, presidenti rus, Vladimir Putin nisi një program të inkurajimit të kolonozimit të Lindjes së Largët të Rusisë, një pjesë më e madhe e të cilës parashikohet të përfitojë nga ndryshimi i klimës. Programi “Hektarët e Lindjes së Largët”, i ngjashëm me Aktin mbi Shtëpinë të vitit 1862 në SHBA, por dy herë më i madh në përmasa, hapi qindra milionë akra tokë publike për ngulime në të ardhmen. Nëse ata qëndrojnë aty për pesë vjet, mund të marri një parcelë të vogël toke dhe një grant për ta vënë në punë. Ndonëse me një fillim të ngadaltë, deri në vitin 2023, morën grante më shumë se 100 000 rusë dhe Putini nis një program të ngjashëm për Arktikun në vitin 2021 për të rregulluar rajonet aty. Të dyja këto programe mund të zgjerohen në vitet që vijnë dhe të rishkruajnë pronësinë e tokës në periferinë e Rusisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë të krijojnë një kërcënim për pretendimet territoriale të indigjenëve.
Sa për SHBA, panorama në Alaska paralelizon me atë të Kanadasë. Qeveria federale amerikane zotëron 61% të tokës së Alaskës dhe në dekadat që do të vijnë një pjesë më e madhe do të bëhet e punueshme. Me pretendimet e indigjenëve për një pjesë të madhe, do të ketë fushata për ta rialokuar këtë territor – p.sh duke privatizuar më shumë tokë federale teksa ajo sa vjen dhe bëhet më tërheqëse për ngulime dhe aktivitet ekonomik. Dhe me këtë shkrirje, qeveritë dhe ku të jenë, komunitetet indigjene, janë gati për t’u përplasur mbi territore të populluara rrallë si Groenlanda dhe Antarktida që kanë sovranitet të dobët, tranzicional apo pa sovranitet fare. Në të vërtetë, nën presidentin Donald Trump, kjo ka nisur tashmë.
Ndërkohë që riorganizimet e afërta të tokës në veri do të tërheqin vëmendje të madhe, ndryshimet e klimës do t’i japin shtysë shndërrimeve të brendshme mbi tokën në vende të ndryshme në botë. Kjo dinamikë mund të jetë e frikshme dhe destabilizuese, por është po ashtu një mundësi. Ndryshimi i marrëdhënieve mbi tokën dhe modelet e migrimit të asociuara me ndryshimin e klimës përfaqësojnë një mundësi për të vënë tokën në shërbim të shoqërisë në mënyrë që rrallë janë tentuar në historinë e njeriut.
Riorganizimi i afërt global i tokës do të prodhojë fitues dhe humbës, por mund të jenë një proces me shumatore pozitive nëse ne e bëjmë atë kështu. Ndryshimi i natyrës së të drejtave pronësore duhet të jetë një pikë referimi në këto përpjekje. Gjatë shekujve të shkuar, nocioni perëndimor i pasurisë individuale, ekskluzive dhe të tjetërsueshme u përhap në botë përmes kolonializmit dhe globalizmit, duke zëvendësuar të drejta më komplekse dhe kushtëzuese të tokës. Megjithatë, në dekadat e fundit, është shfaqur një gamë qasjesh të ndryshme.
Një e tillë përfshin një zhvendosje drejt të drejtave pronësore ‘të shtresëzuara’. Vende si Meksika dhe Peruja njohin tani pretendimet territoriale komunitare mbi zona të mëdha toke, ndërkohë që lejojnë gjithashtu pronën private. Anëtarë të tokave komunale meksikane, me të cilët kam folur në takime të përbashkëta, në qoshe rrugësh dhe në shtëpitë e tyre në shtetet jugore të Oaxaca dhe Chiapas, mund të identifikojnë lehtësisht dhe menjëherë pronat individuale përkundër pronave komunale në komunitetet e tyre dhe të dallojnë vlerën e ndryshme si dhe qëllimin e secilës. E njëjta është e vërtetë në fshatrat e thella indigjene ku jam ngjitur afër majave të Andeve në Peru.
Në dekadat e fundit, Australia ka pranuar konceptin e “titullit të vendasit” mbi tokën për aborigjenët dhe njerëzit e Torres Strait Islander dhe ka lejuar mbivendosjen e këtij koncepti me qeratë qeveritare të tokës ndaj blegtorëve privatë. SHBA, në rastin themelor të vitit 2020, McGirt vs Oklahoma, njohu juridiksionin fisnor mbi disa raste penale në një shkëmbim masiv në Oklahomën lindore. Këto shembuj dëshmojnë fleksibilitetin në delegimin e të drejtave të caktuara dhe autonomive ndaj zaptuesve të ndryshëm dhe subjekteve që kanë interes në të njëjtën tokë.
Një tjetër qasje përfshin kufizimin e të drejtave pronësore indviduale për qëllime më të mëdha sociale. P.sh, pronarët mund të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje legale të njohura si servitute konservimi që kufizojnë përdorimin e pronës për aktivitete të caktuara(si tharja e ligatinave apo pastrimi i tokës për kullota). Agjencitë qeveritare dhe organizatat konservuese si trustet e tokës([p.sh Nature Conservancy) angazhohen në këto marrëveshje me pronarë privatë në një shkallë përherë e më të madhe – më shumë se 30 milionë akra vetëm në SHBA.
Do të ketë pashmangshmërisht gabime dhe lëndime serioze për shkak të qasjeve të tillë. Por këto përpjekje do të jenë përherë e më të rëndësishme nëse ne do ta menaxhojmë riorganizimin e ardhshëm të tokës në të mirë të shoqërive si të tëra dhe pa konflikte sistemike. Çdokush nga liderët e aborigjenëve australianë te fermerët e Minesotës më kanë shprehur entuziazëm për këtë të ardhme që vjen nën marrëveshje të reja për tokën.
Në shekullin e 22-të, riorganizimi i madh do të ndryshojë sërish. Do të ketë ndryshime të mëdha në përmasën e popullsisë njerëzore, klimës, teknologjisë dhe pashmangshmërisht, politikës. Rezultati do të jetë një marrëdhënie e re me tokën që mund të duket e huaj për përvojën tonë sot. Eksperimentet me format e reja të të drejtave të pronës do të duhet të bëhen dominuese në mënyrë që të akomodojnë popullsi në ndryshim dhe ndryshime klime në një mënyrë të rregullt dhe proporocionale.
A një pasiguri të madhe në projeksionet e popullsisë përtej vitit 2100, por nëse shkalla e fertilitetit vijon rënien e vet të pandalshme, boom-i mijëravjeçar i popullsisë njerëzore me gjasë ka për të rënë. Nëse bota konvergon me shkallën e ulët mesatare të lindshmërisë në Azinë Lindore, shekulli i 22-të do të jetë një shekull i shpopullimit të shpejtë, që arrin në rreth 2 miliardë njerëz.
I rritur në periferitë e Detroitit, unë kam parë vetë sesi shpopullimi mund ta gërryejë një qytet. Në kulmin e vet më 1950, Detorit kishte 1.85 milionë banorë. Ka rënë që atëherë në thuajse 600 000. Në vitin 2013, kjo e çoi qytetin në falimentin më të madh administrativ në historinë e SHBA. Autoriteti Bankar i Tokës së Detroit, zotëron tani një sasi të madh pronash bosh të cilat kërkon t’i shkarkojë, pjesërisht përmes një programi që u ofron rezidentëve segment vakante për vetëm 250 dollarë.
Në shekullin e 22-të, shumë qytete mund të ndjekin trajektoren e Detroitit. Që zona e banuar të ruajë dendësinë, perimetri urban i qyteteve duhet të reduktohet ndjeshëm. Ndërkohë, në fshat, do të ketë shumë më tepër tokë të lirë, por ajo tokë do të degradojë nëse nuk mbrohet siç duhet.
Panorama klimetarike e shekullit të 22-të do të tjetërsojë po ashtu në mënyrë drastike territorin e banuar nga njerëzit dhe sesi ata ndërveprojnë me të. Edhe nëse emetimet ngadalësohen në mënyrë të konsiderueshme, temperaturat globale dhe nivelet e deteve do të rriten dhe modelet e motit do të bëhen më ekstreme. Siç e pamë më sipër, një shkrirje në Veri do të vijojë hapet ndaj bujqësisë, por toka gjetkë do t’i nënshtrohet ndryshimit drastik. Zona të thata apo të ekspozuara ndaj thatësirave si Brazili verilindor, juperëndimi i SHBA dhe Saheli Afrikan do të bëhen përherë e më të nxehtë dhe do të sfidojnë jetesën e njerëzve. Rendimenti i të korrave në jugperëndimin e SHBA po bien që tani dhe fermerët po luftojnë për të aksesuar ujin për fushat e tyre. Disa po heqin dorë dhe po i lënë tokat djerrë ose po largohen fare. Ndërkohë, ultësirat bregdetare në vende si Florida dhe Bangladeshi do të zhduken. Njësoj edhe për shtete të tëra si Maldivet.
Përdorimi i ndryshuar i tokës do të kushtëzojë peizashin politik. Disa vende mund të ndjekin shtegun që Kanadaja përfytyron për veten: mirëpritje për imigrantët në një ekonomi dinamike. Një grup ndikues i liderëve kanadezë po organizohen tashmë rreth një ideje të njohur si Inciative e Shekullit, e cila synon të trefishojë popullsinë e vendit deri më 2100, kryesisht duke nxitur në maksimum imigrimin. Vende të tjera mund të izolojnë veten për të mbrojtur zotërimet aktuale, burimet dhe pasurinë nga të huajt.
Rritja e pabarazive pasurore mund të ndikojë drejtpërdrejt atë që zotëron tokën, gjithashtu. Kompani të fuqishme shumëkombëshe kanë akumuluar përherë e më shumë tokë për të siguruar zinxhirin e tyre furnizues, duke nxjerrë jashtë popullsitë lokale. Nëse individët e pasur dhe investitorët blejnë tokë në shkallë të madhe, një pjesë e madhe e popullsisë së botës mund të përfudnojë në rentiere, duke imituar kështu modelet e zotërimeve të mëdha të përqendruara dhe papronësisë së përhapur që prevalonte përpara fillimit të riorganizimit të madh.
Mes të gjitha këtyre ndryshimeve klimaterke dhe ekonimike, brezat e ardhshëm do të bëjnë sërish zgjedhjet e veta për t’u përhapur në territor apo për t’u ngjeshur në qytete. Toka(prona) do t’i nënshtrohet edhe njëherë një tjetërsimi radikal në çdo skenar.
Nëse njerëzi do të lulëzojë, shekulli i ardhshëm dhe përtej tij, do të kërkojë sërish rimendimin e marrëdhënieve me tokën dhe mbi tokën. Që nga origjina e tyre shekuj më parë te përhapja globale në dekadat e fundit, nocionet e pronës private ekskluzive, individuale dhe të tjetërsueshme kanë ecur dora-dorës me rritjen e popullsisë dhe shndërrimin e tokës. Kjo nuk ka për të qenë një mënyrë e qëndrueshme për të ecur përmes shpërthimit të fluskës demografike dhe ndryshimeve klimaterike të afërta. Që riorganzimi i madh i radhës të shkojë siç duhet, ne duhet të inkorporojmë konsideratat komunitare, të begatisë, dinjitetit dhe mjedisit. Kjo nuk është aq radikale sa tingëllon. Unë arrij të shquaj copëza të këtij vizioni dhe avokatët e tij po shfaqen. Toka poshtë këmbëve tona mund të lëvizë përherë, por duke rimenduar nocionet tradicionale të atij që posedon tokën, ne mund t’i qasemi të ardhmes me hapa më të sigurtë.
Burimi: Aeon
Përkthimi: Skerdilajd Zaimi
Add new comment