Ka vetëm një Rilindje: Të Krimit!

Postuar në 08 Prill, 2025 14:24

Sot kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në rrjetet sociale projektin e ri ariktektonik që prek edhe stadiumin “Selman Stërmasi”. Të cilin në aspektin zhvillimor është e vështirë ta përkufizosh. Z. Rama e ka të thjeshtë. Ai ka termin “Rilindje” që e ka bërë si spoti publicitar në mes të çdo transmetimi.

Projekti fitues i rilindjes së Stadiumit “Selman Stërmasi”, propozim i OMA Studio, prestigjiozja e arkitekturës ndërkombëtare, i cili do t’i japë Tiranës një tjetër qendër të bukur urbane, plot jetë e atraksione

shkruan z. Rama  që e shoqëron tekstin edhe me një video që patjetër çudit njerëzinë me atë që paraqet.

Kur themi është e vështirë ta përkufizosh, e kemi fjalën me faktin se nuk kemi një projekt për stadiumin në kuptimin strikt të fjalës, por për zhvillimin ndërtimor të një poli të qytetit, ku stadiumi është vetëm si të thuash një glasë në turmën e sorrave të betonit që mbijnë aty. Stadiumet rikonstruktohen, rindërtohen nëse duam, por mbeten stadiume. Z. Rama e ka planin për kullat që i jep si në pronë të vet dhe me to vjen edhe rikonstruksioni i stadiumit.

Kështu rilindën qytetet me Rilindjen Urbane, kështu rilini Teatri Kombëtar me skemën 1 plus 2, pra 1 teatër dhe dy kulla, dhe kështu edhe stadiumi. Arti kur do rilindë? Sepse diur z. Rama deklaronte se lufta për Teatrin ishte e kotë pasi Shqipëria vuante për artin jo godinat. Z. Rama bëri pikërisht atë që kritikonte: Godinën.

Po sporti kur do të rilindë? Kur do të rilindë futbolli shqiptar që është sot domen i krimit, injorancës dhe palarësisë njerëzore? Kjo nuk i intereson z. Rama që ka përçmim për këtë kategori. Teknika e këtij njeriu vepron si stukoja veneciane, në sipërfaqe. P.sh thuhet se ka zgjedhur personalisht Silvinjon, siç zgjedh arkitektët e kullave për të dështuar nga njëri hap në tjetrin.

Pyesim për rilindjen e artit, sportit sepse kjo politikë po na çon në rrënim dhe ky njeri ose është i trashë literalisht dhe nuk kupton, ose ka agjendë.

Rilindin edhe shkollat sipas z. Rama, rilindin spitalet, por arsimi është në pikiatë me statistika zyrtare sikurse shëndetësia vuan nga çdo problem i imagjinueshëm. Çfarë ka rilindur pra me të vërtetë, përveç lakmisë dhe batërdisë?

Ky është një proces në të vërtetë transformimi social masiv. Kullat që mbijnë ngado dhe kudo tashmë janë shprehje e investimit të parasë së padeklaruar, të krimit në Shqipëri. Ngurtësimi i asaj pasurie në këtë vend, në mënyrë që të legalizohen disa hallka: së pari edhe i verbër të jesh e kupton se qeveria e z. Rama është bërë garante ekonomike e krimit dhe parave të tij; e dyta këto para z. Rama ka zgjedhur t’i kanalizojë në ekonominë shqiptare dhe sot ndërtimi është i vetmi sektor funksional dhe i deformuar pikërisht për këtë arsye, pra mosdeklarimit të burimit të parë dhe mungesës së kontrollit; e treta, ngurtësimi i këtyre parave në ndërtim mbetet pasuri e vendit pavarësisht fatit të individëve që janë pronarë; e katërta është e vështirë dhe përherë e më e vështirë kontrolli pasuror pas disa vitesh dhe e fundit ky proces legalizon një shtresëzim të ri social me të cilin z. Rama si mirëbërësi kryesor ndan pushtetin dhe fiton imunitet.

Nuk ka asgjë, por asgjë, asnjë cent të vetëm që të shkojë për zhvillim real nga këto investime. As për artin, as për sportin. Shikoni nëse duam kampusin e ri universitar në Korçë: ndërkohë që të gjithë ankohen se studentë nuk ka, z. Rama investon 7 milionë euro. Cila është logjika e tregut këtu? Cila është politika zhvillimore?

Dashur, pa dashur, qeveria e Shqipërisë ka gjetur një mënyrë për të amnistuar paranë e krimit, të trafikut për ta bërë këtë të fundit pronarin de facto të vendit dhe për të imponuar një raport social që shpjegon edhe ikjen masive. Z. Rama mund të fshihet gjithë ditën pas gishtit, mund të gënjejë disa me video dhe foto, apo gjeste, por llogarisë nuk i shpëton dot. Herët apo vonë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.