Europa duhet të rimendojë sigurinë e vet pas fundit të partneritetit transatlantik

Postuar në 13 Shkurt, 2025 17:39

Agjencia ruse e lajmeve “Tass” i ka lënë hapësirë sot pozitës së vështrië ku ndodhet Europa pas njoftimit se Donald Trump ka folur në telefon me presidentin rus Putin prej nga ku dilet shpejt në konkluzionin se paqja e imponuar në Ukrainë është opsion i afërt. Agjencia citonte p.sh ish-ambasadorin francez në SHBA, Gerard Araud sipas të cilit “amerikanët duan të dalin nga ky konflikt”. Më tej akoma, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Hegseth bëri të qartë në Samitin e Brukselit se administrata aktuale e SHBA e cilëson Ukrainën një çështje europiane.

Megjithatë për çfarë paqeje mund të flitet? Nëse Trump mbyll një marrëveshje me Putin pa pytur BE-në, duke hequr ndihmat për Ukrainën dhe duke ofruar një dokument të cilin kërkon në mënyrë ultimative ta firmosësh, atëherë është e qartë se opsionet në tryezë janë thuajse zero. Por këtu dalim në një aspekt tjetër me shumë rëndësi. Vetë fakti që një agjensi shtetërore si TASS i kushton rëndësi pozitës ku ndodhet Europa me ndryshimet e Trump rikonfirmon se i vetmi shtet që sot ka një vetëdije historike të aktualizuar si agjendë politike të ditës për Sigurinë e kontinentit si të tillë është Rusia.

Nuk po flasim për dëshira dhe dokumente studimore, por për bindje të shprehur disa herë. Rusia është një vend që ka investuar shumë në ruajtjen e rendit të Jaltës dhe vlerave që gjeneroi koalicioni i madh antifashist. Europa e pas Luftës së Ftohtë detraktoi paradigmën e paqes së vet duke barazuar komunizmin me nazizmin që në aspektin e krimeve kundër njeriut janë njësoj, në mos më keq komunizmi, por ky rishikim nuk mbeti pa prekur edhe vetë faktin historik të koalicionit.

Rusia është një vend që ka kërkuar që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar që Europa ta shohë sigurinë e vet si përgjegjësi të vetes, një sugjerim që është kaluar përherë në filtrin e dyshimit të imperializmit rus. E gjitha mund të kuptohej deri në vitin 1992, por më pas, BE-ja dhe Europa duhet së paku të kishin përgatitur qasje të reja për sigurinë, duke mos ecur me një varaibël siç ishte partneriteti transatlantik.

Besimi i verbër tek ky partneritet vjen me një deficit strategjiik serioz siç është fakti se mes Rusisë dhe SHBA-së, Europa dikur do të mbetej fuqia e dobët dhe kjo kohë erdhi. Nuk duhet patur drojë të niset diskutimi për të folur për nxjerrjen e SHBA nga kontinenti, qoftë pse kjo po ndodh, por edhe sepse aktualisht, siç tha presidenti i Italisë, Europës i duhet një vetëbesim i ri si e tillë, pra si kontinenti me 500-600 milionë njerëz që është gati të kryejë shndërrimin e madh në fuqi efektive të madhe.

Oferta ruse e viteve më parë për një arkitekturë të re sigurie meriton të shihet në dritën e zhvillimeve të sotme duke kuptuar elementin kyç aty: nuk ka siguri të BE-së pa konsideruar Rusinë, por edhe Turqinë. Dikur Romano Prodi fliste – nga një perspektivë italiane – edhe për një politikë mesdhetare, çka sugjeron që shndërrimi i BE-së në atë që përfaqëson potenciali i vet, patjetër që ndikon një rajon që ka ndikime globale. Jo më kot, pak muaj më parë, presidenti i Francës, Macron, foli i pari për nevojën e akomodimit të Rusisë në të ardhmen e Europës.

Koha ka kaluar shumë shpejt dhe Europa e dijes dhe të drejtave harroi sigurinë e vet që e quajti të mirëqenë. Ka edhe një çështje tjetër që meriton vëmendje. Ne jemi me fat shumë të madh që pamë këtë kulm të demokracisë, lirisë së lëvizjes, por siç çdo “belle epoque” do të duhet të pritej se ajo do të mbaronte shpejt. Ideale do të ishet që përgatitjen ta bënin elitat demokratike, për të mos lejuar sot faktorizimin e një të djathte me theks politik rustik që po merr në greminën e “vasalitetit të lumtur” siç tha Mattarella mbarë BE-në duke ecur në gjurmët e Donald Trump.

Është iluzion dhe shkatërrimtare të mendosh veten fuqi me ndikim duke mbetur thjesht fuqi tregtare dhe neutrale. E madje edhe demokratike. Ndaj kjo që po ndodh në Ukrainë, mënyra sesi po shitet një vend i tërë, në mes të ditës me diell, ka të njëjtën shije si Budapesti i 1956-s. Dhe që këtu do kuptuar se nuk ka rrugë tjetër veç rikalibrimi i marrdhënieve me një fqinj që është fuqi gobale për shkak të kapacitetit ushtarak dhe provës së zjarrit për t’i qëndruar një konflikti global.

Europa është referimi kulturor i Rusisë, i një pjese të saj të madhe dhe çdo sugjestionim për agresion dhe ndryshime kufinjsh, tingëllon absurd tani që ishte Perëndimi që e shiti një vend të tërë. Dhe po vë në diskutim tre të tjerë me dobësimin strategjik dhe efektiv të NATO-s.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.