Shteti Bektashi do na forcojë identitetin kombëtar!?

Postuar në 07 Shkurt, 2025 19:30

Ka dalë me një shkrim të vetin për idenë e shtetit bektashi, historian Marenglen Kasmi. Për ta thënë menjëherë: z. Kasmi është pro idesë së shtetit bektashi. Nëse nuk do të ishte pro, nuk do shkruante fare, pasi siç e dimë, ata që janë kundër, ulin kokën dhe kthejnë sytë nga ana tjetër. Megjithatë pa hyrë në motivet e këtij shkrimi, ia vlen sadopak të shohim "argumentet" pro idesë së shtetit të ri të Baba Mondit.

Në një kontekst global, kjo nismë mund të përputhet po ashtu me përpjekjet e qeverisë amerikane dhe vendeve të tjera perëndimore për të shtensionuar marrëdhëniet midis botës islamike dhe Perëndimit. Promovimi i bektashizmit si një formë e moderuar dhe paqësore e Islamit përputhet me strategjitë për të luftuar ekstremizmin dhe për të ndërtuar ura midis kulturave dhe feve. SHBA dhe aleatët e saj kanë mbështetur rregullisht nisma që theksojnë interpretimet tolerante dhe dialogun ndërkulturor fetar. Një projekt si ky mund të shërbejë si një shembull i bashkëjetesës fetare dhe si një kundërargument i fuqishëm ndaj narrativave që lidhin Islamin me dhunën e terrorizmin

Vetëm sot Donald Trump miratoi një urdhër ekzekutiv përmes të cilit synon të mbrojë katolikët e SHBA nga paragjykimi dhe qëndrimet e njëanshme. Plani i tij për Gazën mandej është një strategji biznesi që nuk ka lidhje asgjëkundi me këto që shkruan z. Marenglen. Pra promovimi i kësaj që na thotë historiani bie.

Ndonëse kjo nismë mbart sfida të shumta, ajo paraqet një mundësi unike për të forcuar identitetin kombëtar të Shqipërisë dhe për ta pozicionuar atë si një model global të harmonisë ndërfetare. Suksesi i kësaj nisme do të varet nga qasja transparente, bashkëpunimi kombëtar dhe mbështetja ndërkombëtare si dhe sigurimi i një balance të qëndrueshme ndërmjet vlerave fetare dhe parimeve laike.

Si forcohet identeti kombëtar duke diferencuar entitete fetare brenda një kombi? Dhe pse qenka kjo një mundësi Unike? Si do të gravitojë kombi te shteti i Baba Mondit për të forcuar ndjenjën e përkatësisë, kur vetëm ideja është një dallkaukllëk që i shkon vetëm Shqipërisë? Meqë jemi këtu, z. Kasmi mund të na thotë: pse nuk del Akademia e Shkencave me një deklaratë të posaçme për këtë ide?

Dhënia e një statusi të tillë për Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve do të ndikojë drejtpërsëdrejti në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të bektashizmit në tërësinë e tij. Duke i dhënë Kryegjyshatës Botërore këtë status të posaçëm e unik nuk cenohet aspak si karakteri laik i shtetit, as edhe harmonia ndërfetare. Ky status duhet të garantojë autonominë e Kryegjyshatës në aspektin shpirtëror dhe kulturor dhe nga ana tjetër, ai duhet të sigurojë po ashtu bashkëpunimin e ngushtë me shtetin shqiptar në fushat e interesit të përbashkët.

Ku e di z. Kasmi këtë gjë? Ka parë statutin e ri sepse një gjë e tillë nuk është bërë publike…Është shumë qesharake dhe irritues “argumenti” se bektashizmi do na u mbroka vetëm po u bë shtet. Kjo është si puna e teatrit të ri kombëtar: kushton 33 milionë dollarë, por aktorë për të qenë nuk ka. Ne kemi shtetin, hajde të gjejmë besimtarët. Z. Kasmi vazhdon se duhet dialog, se duhen përcaktuar mirë “fushat ku Kryegjyshata do të gëzojë autonomi, duke përfshirë administrimin e brendshëm, institucionet e saj, promovimin e kulturës dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore”.

“Nga ana tjetër, mekanizmat e mbikëqyrjes nga shteti duhet të garantojnë që veprimtaria e Shtetit Bektashi të jetë në përputhje me ligjet dhe interesat tona kombëtare”.

Me siguri z. Kasmi po ofrohet që të jetë pjesë e kancelarisë së re pasi puna e akademikut tani ka rënë poshtë instagramit. Se bëjmë shaka. Ai vazhdon duket thënë se duhet krijuar një komision i përbashkët shtetëror e fetar e të tjera përralla të psonisura nuk dihet se ku sepse ne edhe vetë idenë e morëm vesh njësoj si Traktatin e Fshehtë të Londrës. 

Mbetet e paqartë se kujt i adresohet ky shkrim, por duhet thënë qartë dhe pastër, se nuk i ka cenuar kush bektashinjtë në Shqipëri. Nuk ua ka prekur kush as trashëgiminë, ndërkohë që festat dhe institucionet ua respektojnë. Me të vërtetë që fetë e mëdha kanë seli dhe institucione serioze, me të vërtetë që edhe përfaqësues të bektashizmit përfaqësojnë një trashëgimi në një drejtim dhe me rol në shtetin shqiptar dhe nacionalizmin, por e bënë këtë me besimin te thirrja e Zotit si një mision të vetin në Tokë, mes njerëzve. Nuk e bënë këtë për salltanetet e salepit që ofrohet sot.

Jo më kot edhe Musa Qazimi dikur thuhet se është shprehur se: Nuk ka fe kush nuk ka burrëri! Kjo që duket se mungon kaq shumë te ideja e një shteti që e ndan edhe më shumë Shqipërinë që edhe kështu është bërë kashtë e koqe.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.