Europiani i Shqipërisë dhe Serbisë, Revolta që s’duhet të eklipsojë një mision!

Postuar në 05 Shkurt, 2025 17:00
Gerti Çarçani

 

Ca fjalë përpara se të nisni vulgun e baltën mbi mua për shkak se ndoshta nuk mendoj si ju, por në princip të gjithë bashkë ndajmë të njëjtin mendim!  

Krimet dhe genocidi serb në Kosovë janë gjurmë të zeza të historisë, thellësisht të dënueshme në opinionin publik mbarë botëror, e ndoshta, ende jo plotësisht të dënuara nga drejtësia ndërkombëtare! Por ky është diskurs tjetër. Por, por: Rëndom dhe përherë, si një recetë fikse, atë që nuk ka mundur dot ta evoluojë dhe progresojë politika dhe diplomacia, shpesh e përherë në ndihmë është thërritur sporti, e mbi të, futbolli! Ky është fakt! Jo opinion!

E në këtë situatë, kur UEFA i beson organizimin e një eventi europian Shqipërisë dhe Serbisë, me finalen në Tiranë (jo në Beograd), kjo nuk është thjesht dhe vetëm një mundësi sportive, por mbi të gjitha një urë e fortë komunikimi nëpërmjet futbollit, për të rrëzuar sado pak një barrierë tensioni në rajon.

UEFA vendosi t’ia besojë Shqipërisë dhe Serbisë këtë Europian U-21, edhe për të qenë më në avangardë, duke kontribuar sado pak a sado shumë në zbutjen, luajalitetin, klimën jo fort komode, apo edhe mbingarkesën emotive konstante në rajon dhe mes tre shteteve Shqipëri-Kosovë-Serbi, nëpërmjet një eventi të futbollit. Atë që politika, apo vullneti i diplomacisë nuk e bëjnë dot me shpejtësinë e magjisë së futbollit, dhe që kanë vite e do t’u duhen shumë të tjera të arrijnë paksa progres.

Duke njohur realisht këtë raport ende delikat në rajon mes kufinjve, në perceptimin tim, UEFA e vuri mbi stadin e rëndësisë së eventit logjikën e vendimmarrjes, duke ditur të gjithë background-in historik. Këto ulërimat pafund në Kosovë, pas shpalljes se organizimit të këtij eventi nga Shqipëria dhe Serbia, se mbi këtë gjë përdhoset lufta e sakrifica e asaj pjese të zezë të genocidit serb në Kosovë, janë thjesht dhe vetëm shpërthime emotive dhe nuk shërbejnë aspak në atë që duhet ta jetë qasja e popujve në Ballkan dhe në këto kufij!

E ritheksoj: Askush nuk ka tagrin ta anashkalojë historinë. Ajo është pasqyrë e kurrikulave të historisë dhe e trashëgimisë së saj. Krimet serbe botërisht të njohuara dhe të dënuara i përkasin asaj pjese të errët të Rajonit. Por, që Shqipëria dhe Serbia bashkëorganizojnë një fazë finale Europiani, ky nuk është krim kundër njerëzimit, por një mundësi reale për të transmetuar një tjetër perceptim mes klimës në rajon, e duke tentuar ta stabilizojë atë, por jo duke e harruar historinë. Kurrsesi!

Heronjtë e rënë në Kosovë për të luftuar mizorinë serbe në marrinë e atyre viteve dhe për t’i dhënë liri e mëvetësi Kosovës, nuk e sakrifikuan gjakun që popujt e vendeve më pas të vriten e të përplasen për vite e vite, e vite. Dhe të mendosh që ta përdorësh këtë ekstrakt për të goditur këtë mision të UEFA-s për t’i shërbyer uljes së barrierave emotive në rajon është një dicka aspak në respekt të këtij shteti dhe historisë që ai mbart! Në mendimin tim!

Marrja e organizimit të Finaleve të një Europiani do të thoshte dikush mund të merrej edhe me Kosovën. Padiskutim që po. Por, që për momentin Kosova nuk është ende gati në infrastrukturë sportive dhe jo vetëm. Në një moment të dytë, do të ishte patjetër një opsion brilant. Bashkë-organizimi me Serbinë nuk është kurrsesi provokim mbi historinë apo përdhosje mbi të kaluarën, por një mundësi më shumë, e drejtpërdrejtë për të ulur tensionet dhe për të patur ura më të afërta komunikimi e bashkëpunimi! Dhe për këtë UEFA meriton respekt, stimë dhe vlerësim ndërkombëtar! Pasi po i shërben një kauze akoma më madhore se sa një fazë finale europiani!

Dhe nëse realisht do të mendohej që me këtë event përdhoset ajo pjesë e historisë që lakohet e stërlakohet atëherë:

  1. Nuk po i luajmë ndeshjet me Serbinë këtë vit në grup eleminator.
  2. Nuk ka pse luhet futboll në mes Serbisë dhe pjesës shqiptare të Zvicrës (që u luajt).
  3. Jokic në NBA, apo Xhokovic në Tenis ti bëjmë black (edhe pse jam i bindur .që Xhokovic ka shumë simpatizantë edhe në Kosovë).
  4. Shkëmbimet ndërtregtare të vendeve t’i frenojmë një herë e përherë.
  5. Ta ndalojmë dialogun politik mes shteteve me partnerët madhorë.
  6. Apo të tjera e të tjera e të tjera që mbase s’më vijë ende në mendje
  7. Dhe të ndezim fitilin e vrasjes, barutit dhe tensionit mes popujve…

Do të luhet futboll o njerëz të mirë e të paqtë! Kaq. Disa ndeshje në Serbi, disa të tjera në Shqipëri. Do të luhet top! Me një finale në Tiranë dhe me shpresën që kjo gjë të shërbejë sado pak në menunë e dialogut dhe çtensionimit të klimës. Por, parë e servirur e sulmjuar që në embrion siç edhe ka nisur është thjesht e vetëm një fitil më shumë, por këtë radhë paksa i lagur.

Respekti, sakrifica, gjaku i derdhur i heronjve dhe luftëtarëve të Kosovës do të mbeten në majën e historisë së gjithë shqiptarisë në betejën e tyre për këto ditë të lira e sovrane të këtij shteti. Por po flasim për një turne futbolli, jo për një garnizon lufte! Ta mbështesim këtë vendim të UEFA-s që i ka shërbyer një kauzë vërtetë sensitive! Respekt! Për të mirën e lojës, dhe për paqen mes popujve!

Comments

Submitted by Afrim (not verified) on

Rruga e c'tensionimit eshte e paster more Gerti dhe precedente ke sa te duash. I fundit jane gjermanet. Nuk lane gje ne bote pa bere mbi ebrenjte, por jo shume me pas, qeveria e re (ky i sotmi i takon te jete respektivi serb ai i pasluftes) pranoi fajet e veta, i lau me sa mundi e sot eshte e vetmja qeveri ne bote qe nuk nxitet nga ebrenjte brenda saj, por mbron pa asnje kusht shtetin e Izraelit pavaresisht veprimeve te sotme te tij.
A jane aq me kulture serbet e sotem shihet qarte, por dyshoj shume qe mund te ndryshojne ndonjehere.
Aq me pak, ky kampionat mund te ndikoje ne kete pune.
Aresyeja nuk eshte e koklavitur.
Leri keto USA e BE qe jane bere slogane, po pas Turqise, ne Serbine rendisim si dashamir. Jo Kosoven psh.
Ne si shqiperi, nuk i kemi ushtruar asnjehere presion Serbise ne lidhje me kosoven. A ka shembull presioni ketu rreth nesh. Patjeter, greqia kur flet per cfaredo gjeje kudo, po me shume me Turqine, nuk e ndan me teper se nje spacio emrin e Qipros nga Greqia. Jane shtete krejt te ndryshme pra.
A e ben qeveria jone kete? Jo!
A e bejne gazetaret te pakten kete? Me keqardhje mbase, duhet thene Jo. Per te mos thene qe ke mjaft qe e shikojne Kosoven gati gati me syrin serb.

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

Ndjese per portalin se jemi "tifoze" te tij, por keto te Carcanit jane dokrra me bisht.
1. Izraeli nuk duhet te ishte ne grup me vende te Europes por do luante me grupet e Azise, rrjedhimisht me ekipe nga Lindja e Mesme. Shembuj te tille ka sa te duash, madje Shqiperia ka qene shembull se nuk ndeshej me disa vende. Fatkeqesisht realiteti i pranuar eshte ndryshe.

2.Ne pergjithesi futbolli nepermjet tifozerise vazhdon te mbaje uren e zjarrit ndezur ne vende qe kane nga 100 vite pa lufte , e jo me ne Ballkan ku edhe me lagjen tjeter po u be ndeshja per shpirt kercet huri.

3. E treta dhe me e rendesishmja, nje xhiro ne Kosove te mjafton per te kuptuar se ata me serbet jane ne fakt ne "armepushim" te imponuar.

Nuk jam mbeshtetes i nacionalizmit demtues dhe jam gjithmone pro negocimeve, por ne kete rast negociaten e bejme ne per kostot qe i ka paguar Kosova pa u demshperblyer ende.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.