Pse pompohet në mediat e huaja krimi shqiptar?
Raportimi për zbulimin e rrjetit të pastrimit të parave me origjinë nga Rusia, shtron për diskutim teoriko-praktik(në fakt në Shqipëri nuk ka diskutime për asgjë) një çështje që na prek si vend: si shpjegohet që për ngjarje të këtij niveli që përfaqësojnë aktivitete me kapacitet subversiv të ketë kaq pak jehonë mediatike në Europë dhe në Britaninë e Madhe, ndërkohë që për kalimin e 12 mijë shqiptarëve me gomone dhe për 660 shqiptarë të deklaruar se janë angazhuar në aktivitetin e trafikut të drogës në këtë vend, të pompohet një rrezik gati ekzistencial?
Aq më tepër merr vlerë kjo pyetje kur sheh se edhe në këtë skemë, pala ruse ka preferuar të ndërveprojë me kartelin Kinahan, një organizatë e mirënjohur irlandeze e krimit të organizuar dhe jo me ndonjë nga trafikantët shqiptarë që shpesh në tabloidet britanike, apo edhe media si “The Telegraph” dhe "The Guardian" cilësohen si koka të kokainës.
Kjo pyetje – për ata që e bëjnë dhe për aq sa ka vlerë – ka disa përgjigje.
- Një është se ne jemi dele ose derra për sytë e komuniteteve vendase në disa raste. Varet si e sheh. Ekspozimi ynë në çdo qytet të Europës që ka dinamizëm ekonomik është i tillë që na shndërron në një ‘Anti’ të preferuar. Të kujtojmë këtu festimet e para disa kohëve në Londër nga shqiptarë të kapardisur me makina të shtrenjta edhe pse janë ende brezi i groshëve sa për të përdorur një shprehje të njohur dhe jo për të nënvlerësuar vlerat ushqyese të fasuleve.
- Një tjetër është se media vepron në mënyrë reflektive dhe inerciale- është më e lehtë të raportosh trafikun e drogës sesa të hetosh çështje të nivelit të lartë.
- Një tjetër është se krimi ku përfshihen shqiptarët krijon sensibilitet publik dhe madje prek ekulibra komunitarë apo të krimit të vogël vendas.
- Arsye është edhe masiviteti dhe etniciteti i një lloj aktiviteti. P.sh shtëpi bari mbushur me shqiptarë.
- Është arsye edhe lehtësia e hetimit nga policia dhe shitja e tyre si suksese.
- E fundit: ne vetëmburremi me kriminelët tanë duke i bërë njërin kokë e tjetrin lafshë, për të përfunduar në atë që janë me të vërtetë në botën ku operojnë.
Për të kuptuar mospërputhjen e madhe mes imazhit të krimit shqiptar në Europë, imazhit të krimit shqiptar mes shqiptarëve siç është pompuar ai edhe nga media apo gazetarë të ndryshëm shqiptarë, mjafton të shohësh nivelin e shqipes të demonstruar në dosjet e SPAK për hetime të dala nga dekodimi i Encro Chat, Sky Ecc.
Po këtë nivel shqipeje kanë edhe gazetarë apo njerëz publikë në Shqipëri, - do thotë dikush. E vërtetë, por ama edhe imazhi i Shqipërisë mes nesh dhe në botë i korrespondon shqipes mizerabël për të cilën po flasim. Është e mjerë të shohësh sesi vitet ikin dhe një pjesë e jona e emancipojnë veten me heroizmin e krimit të cilin e ngrenë në piedestalë botërorë, kur ai është një gjellë e bollshme hamallësh(cavallo në italishten e trafikut) që tolerohet gjetkë.
Të shtojmë këtu se një ndër arsyet - cinike mund të shtonim – se pse krimi shqiptar goditet nga mediat e huaja dhe agjencitë e atyshme duke e pompuar si rrezik është ndoshta edhe fakti se lloji i biznesit të tij, pra trafiku I drogës, e kanalizon pjesën më të madhe të fitimit në Shqipëri. Në dallim nga skema e sapozbuluar me Rusinë, ku përtej rreziqeve serioze, ka një qarkullim monetar të dyanshëm, krimi shqiptar ka bazë investimi Shqipërinë, ku pak kohë më parë kryeministri Rama mendonte edhe një amnisti fiskale. Mirëpo është pak e vështirë në këtë botë që të ardhurat e gjeneruara në një ekonomi, t’i legalizojë një ekonomi tjetër, sidomos kur në kokë të krimit dhe aseteve të gjeneruara qëndron politika. Kështu që krimi shqiptar do të quhet me të vërtetë i organizuar kur të nisë të mësojë legalizimin e pasurive të vëna aty ku është. Përndryshe ai do të jetë në vijimësi instrument i politikës në Shqipëri që i ka hapur rrugën e investimit në ndërtim dhe aktivitete të tjera duke e përgëzuar nayrisht me median që e ka shpallur kampion bote.
s.zaimi
Comments
Nuk mendoj se po pompohet po
Nuk mendoj se po pompohet po tashme po kthehet ne nje fakt te provueshem nga hetimet ne Europe e pertej Oqeanit. Ja si shprehet Gratteri, prokurori antimafia i Napolit qe eshte nje autoritet shume i besueshem ne kete fushe per shkak te hetimeve sensitive qe ka ne dore: https://www.corrieredellacalabria.it/2024/09/25/gratteri-la-mafia-del-fu...
Tashme e kemi parasysh shpejtesine me te cilen po ngrihen qiellgervishteset ne Tirane a thua se jemi ne New York, pa asnje kredi ne banke , nga kompani thuajse anonime e pa asnje eksperience ne ndertim, me burim parash te pagjurmueshem. Eshte nje pikenisje e mire per SPAK qe te hetoje per te gjetur fijet qe bejne te mundur keto sipermarrje. Nuk na e kane fajin te tjeret por e kemi vete sepse nuk mesuam kurre se duhet edukim, pune, sakrifice per te vene pasuri, ndersa ne kemi preferuar rrugen e shkurter te pislleqeve per tu bere milionere. Vetem neper kafenete e Tiranes behen pazare miliona eurosh e flitet per "lekun e modh" nga cunake qe akoma nuk kane nje dite pune te hajrit.
Add new comment