Brukseli po kthen Ballkanin kundër vetes

Postuar në 27 Tetor, 2024 13:46

Vizita e presidentes së Komisionit Europian në Serbi ka pësuar një fiasko që dëshmon se Bashkimi Europian nuk ka më asnjë koncept të qartë se çfarë duhet të bëjë me ambiguitetin e Beogradit zyrtar. Nëse ajo u takua me presidentin serb, Vuçiç, ndaj të cilit shpreh vlerësimin se “Serbia është një ndër kandidatët më të avancuar për anëtarësim në BE”, von der Leyen u detyrua të anullojë një takim me kryeministrin Vuçeviç pasi ky takoi në të njëtën ditë miistrin rus të Zhvillimit Ekonomik, Maxim Reshetnikov.

Anullimi është një gjest hipokrit, pasi është e vështirë të imagjinohet se KE-ja nuk ka patur dijeni për lëvizjen e qeverisë serbe që ka rikonfirmuar kështu një agjendë të dyfishtë. Qershia mbi tortë për perandoreshën e korridoreve të BE-së: kreu i partisë opozitare Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas i ka dërguar një letër kryetares së KE-së përmes së cilës i vë në dukje se me mbështetjen që po i jep presidentit Vuçiç, po minon rrugën europiane të Serbisë.

A ndiheni sadopak e paqetë teksa vlerësoni qeverinë e një vendi që është kampioni europian i krimit dhe korrupsionit? A nuk ju vjen turp kur deklaroni se Serbia e Vuçiç – ku fëmijët dëbohen nga kopshtet për shkak se prindërit e tyre janë me opozitën, ku anëtarët e opozitës rrihen, makinave të tyre u vihet flaka dhe ata largohen nga puna – si një nga vendet më të avancuara në procesin e pranimit në BE?

citohet Gjilas që vazhdon me një akuzë të rëndë:

E qartë, asnjë prej fakteve që ju përmenda nuk ka rëndësi për Ju. Litiumi është më i rëndësishëm se të gjitha këto

Situata është e ngjashme në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që po vendoset para një kufiri ultimativ për të ardhmen: ose të gëlltisë direktivat e BE-së që është në asocacion të plotë me të gjithë njerëzit e korruptuar të rajonit, ose të protestojë në mënyrë autonome jo vetëm kundër qeverive aktuale, por edhe kundër misioneve diplomatike perëndimore që e kanë mbërthyer për fyti. Është pa shpjegim dhe pa zgjidhje politike fakti se sa më shumë kalon koha, sa më shumë na thonë se afrohemi me Europën, aq më e korruptuar bëhet qeverisja, aq më shumë krim ka dhe aq më shumë deprimim moral.

Ka një përgjegjës për këtë ndër shumë të tillë: autoriteti i rremë moral i BE-së që po sëmur të gjithë me zvarritjen e vet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.