Protesta masive në Izrael, presion Netanjahut për marrëveshjen e pengjeve

Postuar në 08 Shtator, 2024 12:34

Rreth 750000 izraelitë dolën në rrugë për t’i kërkuar kryeministrit izraelit arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza. Kjo është një nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Tel Aviv, dhe vjen një javë pasi ushtria izraelite njoftoi se kishte nxjerrë trupat e gjashtë robërve nga një tunel në Gazën jugore.

Organizatorët thonë se 500 000 izraelitë morën pjesë në mitingjet në Tel Aviv dhe 250 000 të tjerë iu bashkuan tubimeve në qytetet e tjera të vendit.

Shumica e demonstruesve thanë se do të vazhdojnë të protestojnë derisa qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të ndryshojë politikën e saj, raporton Al Jazeera.

Por kryeministri Netanjahu mendon se presioni ushtarak është ende mënyra kryesore për të kthyer robërit e mbetur në shtëpi dhe një marrëveshje për të sjellë lirimin e tyre nuk duket në horizont.

Sipas të dhënave nga Projekti i të Dhënave për Vendndodhjen dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura (ACLED), ka pasur mesatarisht 113 protesta në muaj në të gjithë Izraelin, që nga tetori i vitit të kaluar.

Familjarët e robërve izraelitë dhe grupet që i përfaqësojnë ata akuzojnë kryeministrin izraelit Netanyahu dhe qeverinë e tij se kanë dështuar për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do të siguronte lirimin e tyre.

Më shumë se 100 robër mbeten ende në Gaza, por rreth një e treta e tyre besohet të jenë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite. 105 robër u liruan nga Hamasi në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite si pjesë e një marrëveshjeje në nëntor.

Luftëtarët palestinezë të udhëhequr nga Hamasi morën robër rreth 240 njerëz pas sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor. Të paktën 1 139 njerëz u vranë në sulm.

Që atëherë, Izraeli ka vrarë më shumë se 40 000 palestinezë në Gaza dhe ka shkatërruar pjesë të mëdha të enklavës bregdetare. Izraeli ka vrarë gjithashtu më shumë se 600 njerëz në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ka arrestuar rreth 10,000 palestinezë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.