Telegrami dhe kufiri mes lirisë dhe sigurisë

Postuar në 31 Gusht, 2024 13:02
Massimo Sideri

 

Përtej çështjes ligjore që përfshin themeluesin e Telegram, Pavel Durov, në Francë, nën sipërfaqen e këtij rasti fshihet diçka më e imët dhe në të njëjtën kohë e përbaltur që na shqetëson të gjithëve, ndoshta kontradikta e vërtetë e kohës sonë: më shumë liri apo më shumë siguri? Ne do t’i donim të dyja. Sikur të mos ishin dy polet e kundërta mbi të cilat bazohet demokracia dhe shoqëria jonë. Ky është një pretendim i deformuar kulturalisht nga paprekshmëria e dukshme e internetit dhe sigurisht që nuk është e re.

Disa vite më parë, në vitin 2015, shpërtheu një rast që u shndërrua shpejt në një debat konfuz global që u hodh e thjeshtuar në maksimum në dhomat e jehonës, ku jemi të gjithë jemi paksa të burgosur. Konteksti ishte i ndryshëm, elementët të ngjashëm: FBI-ja mori në dorë iPhone-in e një terroristi të vrarë gjatë një sulmi në San Bernardino, një vend i famshëm për kioskën e parë të vëllezërve McDonald's. Vini re se nuk kishte asnjë dyshim: Syed Farook ishte terrorist. Ai u vra nga policia së bashku me terroristin Tashfeen Malik gjatë sulmit në Inland Regional Center, ku humbën jetën 14 persona. Në telefonin e tij, arsyetonte saktë FBI-ja, mund të kishte informacione të dobishme për të parandaluar sulme të tjera të ngjashme, për të shpëtuar jetë njerëzish. Askush nuk do ta harrojë kurrë regjinë djallëzore të 11 shtatorit 2001, i projektuar për të shpërthyer aeroplanin e dytë në Kullat Binjake, kur të gjitha kamerat e botës ishin drejtuar në atë pikë të globit.

FBI i kërkoi Apple të hapte telefonin e Farrok dhe Tim Cook tha jo: kompania, ndryshe nga Google, është fokusuar shumë në paprekshmërinë e privatësisë së produkteve të saj. Ishte një precedent që demonstroi të kundërtën: Apple, nëse dëshiron, mund të hyjë në venat tona dixhitale. Opinioni publik për më tepër, e vlerësoi këtë.

Sigurisht që ne duam siguri, jemi gati ta kërkojmë me zë të lartë, por duam edhe lirinë në të njëjtin nivel. Si sot. Telegrami përdoret nga njerëz që përndiqen politikisht, refugjatë që rrezikojnë jetën, gazetarë në vende ku raportimi i asaj që synojnë qeveritë mund të nënkuptojë zhdukje përgjithmonë ose burg. Por edhe nga krimi i organizuar, nga mafia ruse, nga diktaturat.

Vetë Durov - ashtu si themeluesi i Whatsapp, Jan Koum, edhe ai i rritur nën hijen e BRSS – pati thënë se e zhvilloi Telegramin për t'i shpëtuar “vëllait të madh” komunist. Çdo shoqëri duhet të vendosë, siç shpjegon Zygmunt Bauman, se ku të shtyjë numëruesin dixhital për të kërkuar një ekuilibër, i cili ndoshta nuk ekziston. Sepse nuk ka alternativë: çdo shkallë shtesë sigurie kërkon një shkallë më pak lirie. Ashtu si kur pranojmë kontrolle të përpikta mbi pasuritë tona dhe për atë që mbajmë në xhepa kur kalojmë vijën kufitare të një aeroporti. Veç se kur hyjmë në internet, në vend të një “shoqërie të lëngshme”, do të donim një “shoqëri të gazuar”, e drejta e autorit për këtë të fundit i takon sociologut Francesco Morace. Në shoqëri e gazuar, me flluska që dalin sipas qejfit tonë. Dhe kështu edhe ata që ngrenë zërin për lirinë e shprehjes duhet të kujtojnë se kjo nuk përkon – siç do të donte shefi i X, Elon Musk – me lirinë për të thënë gjithçka, edhe atë që është e rreme.

Demokracia bazohet në rregulla. Pjesa tjetër quhet Perëndimi i Egër.

Nëse ka ndonjë gjë, çështja e vërtetë është gjetja e rregullave të përbashkëta. Në SHBA interneti ende gëzon një leje etike dhe morale. Një temë që përsëritet sot me inteligjencën artificiale. Kur ueb-i shpërtheu në vitet 1990, Bill Clinton dhe Al Gore kërkuan Seksionin 230, i cili e dekriminalizonte ueb-in duke mos e bërë atë përgjegjës për përmbajtjet që kishte në të. Për të mos e lënë foshnjën në vdiste që në djep, u tha në atë kohë.

E kemi parë se si shkoi: Gjykatësit amerikanë kohët e fundit e shpallën X-n të pafajshëm për rolin e Ponc Pilatit përballë mesazheve nga skajet terroriste të Islamit që çuan në vrasjen e një djali. Motivimi? Rrjeti është "neutral": për ofruesit, reklamimi i këpucëve ose propagandës radikale do të ishte e njëjta gjë. Pikërisht: kjo është kontradikta ontologjike e një mediumi që lejohet ajo, e cila për çdo subjekt tjetër, si gazeta, është krim. Problemi është pse në një pjesë të botës së lirë perëndimore lejohet diçka që në një pjesë tjetër të së njëjtës botë të lirë perëndimore mund të të çojë në burg.

/ Corriere della Sera /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.