Një video e munguar për "pushimet shumë të mira" në Dhërmi
Kryeministri Edi Rama shpërndante dje në rrjetet sociale një video të një turisti italian, që fliste për Dhërmiun apo bregun shqiptar. Videon z. Rama e ndante me titullin: NE ITALIANËT me pushime në Shqipëri, më mirë se në Itali.
Si është në Shqipëri? Shih ku jam vëlla, jam në Dhërmi prej tre ditësh. Është një mrekulli. Njerëzit janë të shoqërueshëm, italianët trajtohen shumë mirë, thuajse të gjithë flasin italisht dhe kursen para.
Dje hëngra jashtë në Dhërmi në një restorant shumë të bukur pranë detit, 9 persona hëngrëm peshk e krudo e paguam 300 euro, duke pirë dhe dy shishe spumante. Ç’të të them! Njerëzit janë shumë të sjellshëm, mund të ecësh qetësisht me orën 30 mijë euro në dorë, me 3 milionë lekë dhe askush nuk të thotë gjë. Makinën e lë hapur.
Na respektojnë, na duan, na çmojnë. Vendi është i mahnitshëm, deti fantastik, që të bën mos ta kesh zili fare detin e Sardenjës. Ka plot vende për jetë nate, plot lokale e vende të bukura. Mund të qarkullosh i sigurt sikur të ishe në Itali, madje edhe më mirë se në Itali
shprehet italiani.
E lëmë faktin paradoksal të promovimit të turizmit përmes të huajve te shqiptarët. E lëmë edhe faktin tjetër paradoksal që përdoren video të tilla, ndërkohë që vetë qeveria ndan me gëzim lajmin se turizmi thyen rekorde, çka do e bënte të panevojshëm që një kryeministër të bënte gjëra të tilla. Po të shohim atë që “rrëfen” ky turist, në Shqipëri, turizmi veror është plazhi, ushqimi në restorant, jeta e natës dhe siguria. Tjetër nuk kemi gjë. Të paktën sipas kësaj videoje.
Çështja është se një “turizëm” i tillë i përket fazën kolombiane; pra të zbulimit të një destinacioni, mësymjes në të, mandej…Asgjë.
Sepse Shqipëria nuk ka ende, dhe me gjasë vështirë se do ta ketë, një ekonomi të ndërlidhur me turizmin që do të gërshetonte kulturën, traditën, artizanatin me një kërkesë turistike që deri më tani ka sukses Numrin.
Të krahasosh Italinë me Shqipërinë mund të ketë vlerë episodike si përvojë turistike e individëve të ndryshëm, por si pamje dhe ofertë turistike në tërësinë e vet, si ofertë tregtare, referim kulturor dhe destinacion i përjetshëm arti, ndjesë, por sikur është pak e tepërt. Çfarë do shpenzosh në Shqipëri përveç këtyre nevojave bazike për të cilat flet zotëria? Çfarë do ta shtyjë dikë që të shpenzojë para në vendin tonë për ta çuar në vendin e origjinës?
Në fund të fundit, Shqipëria do të mbetet si pjesë e agjendës turistike kur me turizmin të integrohet në shkëmbimin kulturor me Europën. Por që të ndodhë kjo nuk mjaftojnë as kalatë e kështjellat, me të cilat Europa është e mbushur, as qeleshet dhe flamujt që shiten dhe as ushqimi i mirë. Madje shumë i mirë për të thënë të vërtetën.
Sesa e vërtetë është kjo e tregon edhe fakti se ka një numër shumë të madh qytetarësh shqiptarë që pushimet i bëjnë përherë jashtë vendit, madje edhe në sezon dimëror me çmimet e lira të fluturimeve kalojnë funjdava jashtë. Dhe më me rëndësi: bëjnë blerje masive veshjesh p.sh jashtë. Dhe vetëreferohen në modelet e atyshme thuajse për çdo gjë.
Por t’i vëmë një vizë të madhe këtyre që thamë. E të pranojmë entuziazmin e këtij italiani që bëri zhurmë qeveritare në Tiranë. Shqipëria është më e bukura, e kanë halë në sy të gjithë, Greqia dhe Italia po e sabotojnë turizmin e saj bashkë me ne të medias që jemi të ligj e kështu me radhë.
Sërish, do të ishte me interes që vetë kryeministri të bënte një video e të na thoshte: pse pushon përherë në Dhërmi? Te vila qeveritare? Meqë jemi këtu: di gjë ai për ministra apo deputetë që kanë vila aty afër? Private kuptohet? Nuk ka dëshirë z. Rama të pushojë jashtë vendit? Me paketa turistike që ka tani, me rrogën që merr ai ia mundëson vetes një 10 ditësh të lezetshëm në Greqi, Itali, Spanjë e kështu me radhë që mandej të kuptojë edhe ata shqiptarë që pushojnë jashtë.
Të na japë arsyet e qëndrimit të tij në Dhërmi, fshatin që tashmë ka pronarë të rinj. Pasi nuk mund të vazhdojë me vite ky dueli; turizmi dhe patriotët nga njëra anë, mizerjet nga ana tjetër. Ndërkohë që një shumicë jo e vogël e heshtur, do të vazhdojë të ikë, të pushojë larg këtij vendi dhe larg edhe këtyre titrave që të marrin frymën, fytyrave që nuk kanë orar për të dalë. A thua nuk ndodh gjë tjetër në këtë vend, veç ekzistencës së politikës.
Na e bëj një video z. Rama: pse pushon në Dhërmi vazhdimisht dhe çfarë bën aty me ditë të tëra? Sa të kushtojnë krudot, spumantet e kështu me radhë? Ja, siç tha ai italiani!
s.zaimi
Add new comment