Po vetë qeveria e beson Censin 2023?
Komunitetet fetare të Shqipërisë kanë vënë në diskutim të dhënat e Censit 2023. Asnjë prej këtyre komuniteteve, hiq Bektashinjtë ndoshta – nuk kanë pranuar se numri i komuniteteve që përfaqësojnë përkon me shifrat e Censit. Por Censin e kanë vënë në diskutim, madje kundërshtuar si të manipuluar, edhe komunitetet e pakicave që kanë cilësuar se regjistrimi është tërësisht i deformuar. Qeveria ka nisur disa herë adresarin dhe nuk e ka realizuar dot, patjetër edhe për shkak të përgjësisë sonë si qytetarë. Të të gjithëve.
Është për t’u shënuar megjithatë se problem me Censin nuk reflektohet në statistika të tjera. Ta zëmë qeveria shqiptare ka një raportim që i njihet si korrekt për treguesit financiarë, por këtu duhet të kemi parasysh se shumëçka kalon pa u përmendur. Ta zëmë nuk ka përputhje mes nivelit të marrëdhënieve politike që qeveria e Shqipërisë ka me vende të Perëndimit dhe SHBA, dhe raportit që DASH, apo BE publikon për çdo vit për vendin tonë. Raporti i fundit i DASH flet për një klimë zhvatjeje ndaj biznesit, probleme me pronën, që jo vetëm nuk mund të fshihen më, por as edhe nuk adresohen.
Në këtë kuadër, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare të besueshme për sasinë e parasë informale në qarkullim, si ndikon ajo në ekonomi, në konsum etj.. Është një e dhënë që krijon efekte të matshme. Edhe këtu, një qeveri e besueshme do të duhej të kishte disa të dhëna. Nuk pati të dhëna kjo qeveri as për Amnistinë Fiskale: sa mendohej se do të hynin në sistemin legal e kështu me radhë.
Një shtet është statistika e tij, arkiva. Të mos kemi iluzione për këtë. Edhe historiografia jonë, ajo që merret ngul e shkul me prezencën e shqiptarëve në Ballkan, përkatësinë e tyre fetare, merr si dokumente referuese regjistrimet otomane. Që si dokumente administrative, janë me përkufizim neutrale dhe konstatuese. Statistika zyrtare është barriera më e mirë për çdo manipulim nesër, apo për çdo interpretim, por kur kjo statistikë është reale, realizuar metodikisht dhe e pamanipuluar. Sa herë dëgjojmë ne që “janë zhdukur dokumentet në Arkivën e Shtetit”? Sa raste ka që edhe për pensione të bëhen gjyqe të njohjes së faktit sepse nuk ka regjistra të personelit të sakta?
Po si mundet xhanëm të vazhdojë kështu kjo gjendje edhe në një shtet që mburret me digjitalizimin e vet? Që është kryer në një masë të madhe me të vërtetë. Si administrohen dhe menaxhohen statistikat e krijuara në kohë reale? Sa ndikojnë ato në politikbërje? Askush nuk di ta thotë me siguri.
Ngritja e dyshimeve mbi Censin nuk është një lajm i radhës. As duhet të jetë. Është treguesi i stadit të një shteti dhe shoqërie, të cilës sidomos në kohën kur jetojmë nuk i duhen statistikat për hir të statistikave, por edhe për parë e vlerësuar nga po shkojmë. Se Ku, e dimë: në Europë. Në fund të fundit nuk ka asgjë të mirë që Censi u vu në diskutim dhe nuk besohet edhe nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, apo edhe e politikës. Edhe sikur të jetë lojë politike, vetë fakti që loja vazhdon me statisitikat tregon se në çfarë derexheje jemi.
s.zaimi
Add new comment