Pse janë kaq të sigurtë hajdutët e Shqipërisë?

Postuar në 14 Korrik, 2024 22:10

Atentati ndaj Donald Trump vjen në një sezon tensioni dhe dhune ndaj politikës që jep të kuptojë se diçka nuk funksionon në shoqëri. Pak javë më parë u qëllua mbi Robert Fico të Sllovakisë, ndërkohë që sulmi i fundit fizik në Europë ndoshta ka qenë goditja e Berlusconit me një statujë. Dhe në mënyrë domethënëse, Berlusconi ishte pararendës i Trump dhe trumpizmit. 

Sulmi në ShBA ka një specifikë sepse goditet një kandidat dhe ish-president që urdhëroi sulmin mbi Capitol Hill duke ndarë më dysh kombin amerikan që në luftën kundër alienimit të institucioneve po alienohet vetë përmes një perceptimi të intoksikuar. 

Vrasja, likujdimi është ingranazhi në antik i politikës e me gjasë edhe politikbërjes. Edhe tani së afërmi vrasja ka inauguruar ekuilibra të rinj për të dëshmuar se tranzicioni drejt hierarkive të reja, edhe morale apo etike, nuk miratohet nga asnjë kod liberali. Atë e miraton vetëm forca. 

Vrasja në politikë nuk ilustron mendësi apo stad zhvillimi, ilustron mungesë konsensusi për ndryshimin. Në Ballkan Serbia është shembulli tipik. Në Serbi vrasja politike është repertor i vjetër: vrarë mbretër e politikanë. Në Bullgari po ashtu, ndërkohë që Turqia është vend me traditë puçesh.

Vrasja e një politikani ka një aspekt unik që i jep vdekjes një adresë emocionale kolektive, duke kumtuar përmes forcës anonime se asnjë pushtet nuk ka imunitet të pakufishëm. Njerëzia kupton se “këta vdesin”, “vriten”, "kanë frikë", gjakosen dhe ja pra frika paska qenë e kotë. Jeta vazhdon...Nga kjo anë vrasja politike ruan brenda racionales elemente pozitivë nê edukimin politik të një shoqërie. 

Mirëpo shqiptarët dallojnë në Ballkan: hiq disa atentate ndaj Zogut, likujdimet e këtij të fundit me atentate, apo vrasja e Toptanit, ne nuk e kemi këtë traditë. Ose, Enver Hoxha e zhbëri atë pasi përfitoi prej saj. Ndonëse mbajti afër një atentator kriminal dhe të pagdhendur si Beqir Balluku, Hoxha nuk u ndje direkt i kërcënuar megjithë shanset që nuk munguan.

Më tej, Hoxha likujdonte me procedurë diçka që të kujton morsën juridike borgjeze që nxit edhe politikë penale të dallueshme nga regjimet e mëhershme. Shtuar këtu shantazhi mbi familjen. 

Ndaj mund të pyesim: Pse nuk vrasim ne? Ja një pyetje që përbën kuriozitet sociologjik? Pse nuk ka vrasje politike në një sistem që akuzohet vazhdimisht se pervertohet nga Tjetri, se mjetet demokratike janë ezauruar e kështu me radhë? Precedentët ndërkombëtarë flasin për arsye ideologjike, politike, kombëtare të vrasjes. Asnjë prej këtyre nuk përmbushet nga hajdutët që qeverisin këtu, sepse korrupsioni është me gjasë nomenklacion psikologjik i yni. Rasti i Shqipërisë ngjan me Tunizinë; Ben Ali u rrëzua jo për demokraci, por për korrupsion.

Mirëpo në Shqipëri korrupsioni shpjegon shumëçka në politikë, çka mesa duket e bën fare normale që një vrasës, përdhunues apo gjithçka tjetër, të hyjë në Parlament. Me korrupsion shpjegohet karriera, mirëqenia, justifikohet injoranca, prostituimi...

Që nga ai moment raporti ndryshon: maskarenjtë shndërrohen në kryepleq të halleve dhe imuniteti i krimit tranziton në autoritet moral ku politika bazohet te fjala dhe pazari. Këtu mbaron çdo ideal dhe çdo sakrificë. Edhe kur janë vetëm retorike. E ardhmja intereson vetëm aq sa nuk cenon të tashmen, ndërkohë që në këtë raport nuk ka asgjë abstrakte.

Në një mënyrë apo tjetër ne hajdutët i kemi tanët ndaj këtu do gjetur një lloj shpjegimi për dorëzimin e sovranitetit personal te kjo kategori. Që nis që me votën.

Një shumicë e heshtur që tregton të drejtat e veta duke afirmuar një raport mercenarizmi me kohën politike. Për këtë arsye, i vetmi atentat që bën dallim është ai i Vasil Llaçit. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Flora keci (not verified) on

Zotëri është i vërtet artikulli qe shkruani për hajdutët në Shqipëri zotëri peshku qelbet nga koka kur në krye të qeveris është një bandit që firmos fap fap dhe çdo gjë që bën ja ngjitë opozitës vetëm që t'a shkatërroi plus korrupsioni dhe krimi ka kapur çdo instancë të qeveris dhe Dum Dumani vjen në parlamente jo për të dhënë llogari por për të kërkuar zgjatjen e mandatit të tij kur në atë institucion ai mban njerëz me të shkuar kriminale siç është millonai apo njerëz me të shkuar diktatoriale siç është Arben Kraja dhe njerëz me tre mbiemra siç është meneku ose sopata dhe që merr e jep mesazhe për mbylljen e dosjes xibraka dhe korrupsioni dhe krimi organizuar jenë të lidhur me politikën dhe nuk kanë frik se askush nuk hetohet vetëm opozita që ka vite që është larguar nga pushteti okej kjo është meseleja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.