Gjendet sarkofagu i Ramsesit II

Postuar në 11 Qershor, 2024 22:46

Shumë prej atyre që janë të pasionuar pas historisë së Egjiptit të lashtë mund ta kenë parë nga afër arkivolin dhe mumjen e faraonit Ramses II. Megjithatë, ajo që nuk është shfaqur kurrë është sarkofagu i tij. Dhe kjo e ka një arsye: mbetjet e pakta të kontejnerit dekorativ prej alabastri të gjetur në varrin e Ramses II në Luginën e Mbretërve afër Luksorit ishin thyer nga grabitësit, të cilët kanë lënë pas copa të vogla. Por tani është identifikuar një fragment shumë më i madh: një panel graniti i gdhendur dhe i dekoruar 1.7 metra i gjatë dhe 8 centimetra i trashë. "Është pothuajse një anë e tërë e sarkofagut," shpjegon Frédéric Payraudeau, egjiptolog në laboratorin Orient et Méditerranée1, i cili e identifikoi zyrtarisht atë. "Mungojnë vetëm skajet e lakuara, të cilat grabitësit duhet t'i kenë thyer, ndoshta në antikitetin e vonë, për të mbajtur vetëm pjesën e sheshtë, për ta ripërdorur si shtrojë."

Sarkofagu është gjetur nga një arkeolog egjiptian i quajtur Ayman Damrani, në vitin 2009 nën dyshemenë e një manastiri kopt në rajonin Abydos të Egjiptit qendror. Në vitin 2017, Damrani dhe  kolegu i tij amerikan, Kevin Cahail, publikuan gjetjet e analizës që u kanë bërë teksteve dhe dekorimit të panelit, duke arritur në përfundimin se ishte pjesë e një sarkofagu që ishte përdorur disa herë, duke përfshirë rastin e Menkheperre, kryeprift i dinastisë së 21-të. Pronarit origjinal  në tekste i referoheshin si “princi i panjohur”.

Pas analizimit të hieroglifeve dhe niveleve të ndryshme të mbishkrimit, Payraudeau konfirmoi tezën se sarkofagu ishte ripërdorur për Menkheperre. Më e rëndësishmja, ai identifikoi "princin e panjohur", i cili në fakt ishte vetë Ramses II.

Ramses II (1279-1213 p.e.s.), faraoni i dinastisë së 19-të, mbretëroi në fillim të gjysmës së dytë të Mbretërisë së Re, periudha e fundit e lavdisë dhe prosperitetit të Egjiptit të lashtë. Ai sundoi për gati 67 vjet, më gjatë se çdo paraardhës i tij, gjë që i dha atij kohë të mjaftueshme për të lënë gjurmë. I quajtur "faraoni ndërtues", ai mbikëqyri ndërtimin e tempujve në të gjithë Egjiptin. Kjo shpjegon pse emri i tij gjendet kudo në sitet ku gërmohet. 

Ajo që dihet është se Ramses II u varros në një arkivol ari (i vjedhur në antikitet), i vendosur në një sarkofag të brendshëm alabastri (ai që u gjet i copëtuar në varrin e tij) dhe më pas në një sarkofag graniti më të madh, i cili u plaçkit 200 vjet më vonë nga Menkheperre për varrin e tij. "Kjo është një provë e tjetër që tregon se Lugina e Mbretërve grabitej shpesh, veçanërisht gjatë Dinastisë së 21-të," shpjegon Payraudeau. “Ishte një periudhë krize ekonomike dhe sociale që rezultoi në një mungesë akute materialesh, kur edhe sovranët ripërdorën objektet funerale të paraardhësve të tyre.”

Fragmenti i sarkofagut të Ramses II po ruhet aktualisht në Abydos.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.