Edhe Gjermania mbështet sulmet e Ukrainës në brendësi të Rusisë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, mbështeti sulmet e Ukrainës në brendësi të Rusisë, pavarësisht shqetësimeve të tij të mëparshme për përshkallëzimin e tensioneve me Moskën.
Gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron, Scholz tha se "nëse Ukraina sulmohet, ajo mund të mbrohet" sipas ligjit ndërkombëtar.
Ai shtoi se nuk kishte kundërshtime ligjore ndaj Macron, i cili argumentoi se Perëndimi “duhet të lejojë Kievin të neutralizojë vendet ushtarake… nga ku… sulmohet Ukraina”.
Të nesërmen, zëdhënësi i kancelares, Steffen Hebestreit sqaroi se Gjermania beson se "veprimi mbrojtës i Kievit nuk kufizohet në territorin e tij, por [mund] gjithashtu të zgjerohet në territorin e agresorit". Ai nuk pranoi të japë detaje se çfarë marrëveshjesh ka arritur Berlini me Kievin në lidhje me përdorimin e armëve të furnizuara nga Gjermania.
Gjermania ka refuzuar prej muajsh t'i dërgojë Ukrainës raketat Taurus me rreze të gjatë veprimi. Scholz ka folur shpesh për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit dhe ka shpjeguar se dërgesat do të ishin "të qëndrueshme" vetëm nëse Berlini do t’i përcaktonte vetë objektivat, gjë që do ta bënte atë një pjesëmarrës direkt në konflikt.
Ndryshimi i qasjes u konfirmua nga një burim i Politico pranë qeverisë gjermane, i cili pretendoi se Scholz ishte "në favor të lejimit të përdorimit të armëve perëndimore kundër objektivave brenda Rusisë".
Zhvillimi vjen pasi disa vende të NATO-s shprehën mbështetje për sulmet e Ukrainës thellë brenda territorit rus. Ky qëndrim u mbështet edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i bllokut ushtarak, Jens Stoltenberg, i cili javën e kaluar u kërkoi anëtarëve të NATO-s të "konsiderojnë nëse duhet të heqin disa nga kufizimet që kanë vendosur në përdorimin e armëve që i kanë dhuruar Ukrainës".
Add new comment