Propozimi në BE: 422 miliardë euro të pandemisë të përdoren për mbrojtjen

Postuar në 06 Maj, 2024 15:27

Fondi europian i emergjencës – i krijuar në kulmin e krizës së borxhit – mund të jetë zgjidhe për qeveritë europiane që duan të investojnë në mbrojtje. Zëra të fuqishëm në bllokun europian po kërkojnë që Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM), me vlerë 422 miliardë euro, të shkojë përtej rolit për të cilin u krijua (shpëtimi i ekonomive në kulmin e krizës). Sipas Politico, e cila u referohet disa burimeve në dijeni mbi planet e reja, ky fond do të përdoret në formën e kredive të lira për të blerë armë.

Plani do të ofrojë një rrugëdalje për politikëbërësit e Evropës, të cilët po përpiqen dëshpërimisht të gjejnë para për të rritur buxhetin e mbrojtjes, ndërsa lufta në lindje të kontinentit vijon. Opsione të tjera mund të jetë përshtatja e këtij fondi me nevojat për rindërtimin e Ukrainës.

Lufta e Rusisë në Ukrainë - një vend që ushqen ambicie për anëtarësim në BE - po hyn në vitin e tretë dhe rikthimi i mundshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë rrezikon ta lërë Evropën në baltë, pasi ai kërkon nga të gjitha vendet e NATO-s që të arrijnë objektivin prej 2 për qind të GDP-së së çdo vendi.

Por rritja e borxheve në vendet më të fuqishme të bllokut, politikat e brendshme të çrregullta dhe rregullat e shtrënguara të shpenzimeve të zbatuara nga Komisioni Evropian po kufizojnë aftësinë e bllokut për të mbledhur para shtesë. Ideja e përdorimit të fondit të shpëtimit është ende në fazë të hershme. Por mund të jetë potencialisht më e pranueshme për qeveritë europiane se opsionet e tjera për financimin e mbrojtjes, të cilat ende nuk kanë dalë në sipërfaqe – mes të cilave gjetja e parave në buxhetin ekzistues të BE-së, përdorimi i aseteve ruse të ngrira që nga fillimi i luftës, ose eurobondet.

Sipas burimeve, mbështetësit kryesorë të idesë për përdorimin e këtij fondi mund të jenë Franca dhe shtetet baltike. Por kryeqytetet e tjera insistojnë aktualisht se ai duhet të mbetet një fond sigurimi për vendet që përballen me krizë. Sipas këndvështrimit të tyre, ajo nuk duhet të përshtatet me prioritetet në ndryshim të BE-së.

Megjithatë, për çdo ndryshim duhet dakordësia e 20 ministrave të financave të eurozonës. Ndryshe nga buxheti i rregullt i BE-së, fondi i ndihmës nuk është thjesht një qese me para. Huatë që rrjedhin prej tij financohen nga emetimi i obligacioneve të cilat garantohen nga një depozitë që paguhet bashkërisht nga anëtarët e eurozonës. Sipas burimeve, vetoja e Italisë mbi reformën e këtij fondi po lë në pritje çdo diskutim të mëtejshëm për funksionin e tij të ri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.