WSJ: Irani pritet të sulmojë Izraelin brenda dy ditësh
Autoritetet izraelite po përgatiten për "një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani, në veri ose në jug të vendit, brenda 24 ose 48 orëve të ardhshme". Lajmin e bën të ditur "The Wall Street Journal", i cili i referohet një burimi të brendshëm. Sipas gazetës, e cila citon një person tjetër të afërt me "udhëheqjen iraniane", autoritetet e Teheranit nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar për këtë çështje. Diskutimet mbi reagimin ndaj bombardimeve të fundit izraelite të konsullatës iraniane në Damask, Siri, janë ende në vazhdim, shtoi burimi.
Ditët e fundit, disa burime të inteligjencës amerikane i kanë thënë shtypit se presin një sulm të afërt kundër "aseteve" të Izraelit nga Irani ose përfaqësuesit e tij, por jo drejtpërdrejt në tokën izraelite. Edhe qeveria amerikane u druhet këtyre planeve. SHBA-të kufizuan udhëtimet për personelin e ambasadës së tyre në Izrael. Ambasada amerikane tha se personelit i është thënë të mos udhëtojë jashtë zonave të Jeruzalemit të madh, Tel Avivit ose Beersheba. Irani është zotuar të hakmerret, duke fajësuar Izraelin për sulmin ndaj konsullatës së tij në Siri 11 ditë më parë, kur u vranë 13 persona. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin mbi konsullatë, por bindja e përgjithshme është se ai është pas këtij.
Add new comment