Gabimet që hetohen nga SPAK!!! Shumica merr në mbrojtje politike "shokët Xhaçka dhe Veliaj"

Postuar në 09 Prill, 2024 12:36

Në një mbledhje të djeshme, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ka vendosur që kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e heqjes ose jo të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, të kalojë në seancë plenare. Pra ajo të votohet nga kolegët e zonjës Xhaçka. Vendimi në fjalë na thotë se për mandatin e ish-ministres Xhaçka, do të vendosin kolegët e saj dhe kjo ndodh pak ditë pasi SPAK vendosi në sekuestro truallin mbi të cilën presupozohej të ndërtonte si investitor strategjik.

E thënë thjesht: shumica parlamentare ka vendosur mbrojtjen politike për ish-ministren ndërkohë që bërtet gjithë ditën se mbështet drejtësinë e re.

E njëjta menu shpjegimesh erdhi dje nga Erjon Veliaj që në një intervistë televizive ka deklaruar se gabimet janë normale në një organizatë me mbi 11 000 punonjës. Mirëpo ligji nuk konsideron gabimet si pjesë të punës së Prokurorisë Antikorrupsion, që është edhe e Posaçme, por fajet dhe shkeljet e rënda. Nëse do të kishim të bënim me Gabime, atëherë SPAK do shpallte moskompetencën për çështjen “5D” dhe kështu do të kishim një tjetër rrethanë juridike.

Për gabime po e mbron vallë Olta Xhaçkën shumica? Është e qartë se PS-ja me kryeministrin në krye po bën gjithçka mundet që brenda drejtësisë së re, të cilën e trumbeton kaq fort si revolucionare, të stabilizojë sërish disa të privilegjuar, që na kujton gjyqësorin e kaluar, që me vlerësimet e ndërkombëtarëve “ra në korporatizëm”.

Hapja e plotë ndaj drejtësisë së re është e vërtetë jo si gjest, as si alibi për t’i ikur përgjegjësisë politike, e cila ekziston dhe nuk është shpikje e mediave, por si kulturë dhe vullnet. Këto të dyja të cilat shumica nuk i ka, sepse nuk mund t’i ketë dot me mënyrën sesi ka qeverisur. Në fund të fundit, askush nuk do të bëjë vetëvrasje në politikë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.