Mediat amerikane me version të ndryshëm nga shërbimet sekrete: Sindroma e Havanës ka lindur në Moskë
Një njësi sekrete e inteligjencës ruse mund të jetë përgjigjja për Sindromën e Havanës, e cila ka prekur diplomatët amerikanë, spiunët, kontraktorët dhe familjet e tyre. Ky është konkluzioni i një investigimi të kryer nga “The Insider”, një uebsajt i pavarur investigativ rus, revista gjermane Der Spiegel dhe seria e dokumentarëve CBS 60 Minutes. Sipas investigimit, përgjegjëse për sindromën e Havanës është njësia 29155 e GRU-së.
Kjo e fundit supozohet se ka përdorur armë zanore, duke lëshuar frekuenca radio për të shkaktuar dëm te truri i personave të caktuar. Inteligjenca amerikane ka dyshuar shpesh për përfshirjen ruse. Megjithatë, Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA (NIH) nuk mund të gjente asnjë shpjegim klinik për Sindromën e Havanës.
Personat e prekur nga kjo sindromë janë ankuar për simptoma si humbje e dëgjimit, pagjumësi, humbje e kujtesës, ekuilibër i dobët dhe mungesë përqendrimi.
Ajo u quajt "Sindroma e Havanës" pasi të parët që nisën të ankoheshin për këto simptoma ishin stafi në ambasadën amerikane në Kubë në vitin 2016.
Megjithatë, sipas investigimit, rastet e para datojnë në vitin 2014 kur katër amerikanë që jetonin në Frankfurt raportuan simptoma. Po atë vit, pak më vonë, të njëjtat simptoma i raportuan edhe oficerët e CIA-s në Ukrainë.
Dr.David Relman nga Universiteti i Stanfordit, thotë se te këta pacientë janë gjetur prova të qarta të një dëmtimi në sistemin dëgjimor dhe vestibular të trurit.
Gjithçka nis nga veshi i brendshëm, ku njerëzit perceptojnë zërin dhe ndjejnë ekuilibrin, dhe më pas i përkthejnë ato perceptime në sinjale elektrike të trurit.
Më shumë se 100 amerikanë – në SHBA dhe të vendosur jashtë vendit – kanë pësuar ato që zyrtarisht janë klasifikuar si incidente anormale shëndetësore. Olivia Troye, këshilltare për sigurinë e vendit të ish-zëvendëspresidentit Mike Pence, është një nga personat e prekur.
“Ishte si kjo ndjesi shpuese në njërën anë të kokës. Njëkohësisht më merreshin edhe mendtë”, tha ajo për "60 Minutes".
Christo Grozev, një gazetar investigativ i cili ka bërë kërkime të gjera në inteligjencën ruse, ka gjetur lidhje të këtyre sulmeve me Njësinë 29155. Kjo e fundit ka qenë fillimisht një degë trajnimi brenda shërbimit të inteligjencës ruse GRU, e cila ishte përgjegjëse për tentativën për vrasjen e Sergei Skripal në Salisbury në 2018.
Add new comment