Kryebashkiaku, në burg për manipulim votash. KQZ: Zgjedhjet e Himarës, të rregullta!!!
Vendimi i gjykatës së shkallës së parë kundër krimit dhe korrupsionit për dënimin e Fredi Belerit për korrupsion zgjedhor, apo shitblerje votash, krijon një paradoks juridik që duhet sqaruar. Aktualisht Fredi Beleri është një person i dënuar në cilësinë e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, për shitblerje votash, mandatin e të cilit nuk mundi ta merrte për shkak të ndalimit.
Mirëpo me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zgjedhjet lokale në Himarë janë kryer rregullisht dhe ato kanë një rezultat zyrtar që njeh Fredi Belerin si personin që duhet të marrë mandatin. Sigurisht që vendimi për dënimin e Belerit çon në detyrimin për zgjedhje të reja që do t’i njoftohet KQZ-së dhe institucioneve të tjera. Por këto do të jenë zgjedhje jashtë mandatit dhe me një rezultat të pakontestuar. Në kushtet kur kemi një vendim gjykate për manipulim elektoral ne kuptojmë se procesi zgjedhor është i pavlefshëm, apo më saktë rezultati duhet shpallur i pavlefshëm.
Mirëpo si mund të vihet në veprim KQZ-ja pa një ankesë, apo kërkesë? Nuk është e qartë sesi mund të veprohet në këtë rast pasi pavlefshmëria ka parashikime në Kodin Zgjedhor. E thjeshtuar ne kemi sot një kryetar bashkie të zgjedhur në Himarë me proces elektoral zyrtarisht të rregullt, por që është dënuar me vendim gjykate për manipulimin e këtij procesi.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë arsyetimi që mund të bëhet për shpalljen e zgjedhjeve të reja pasi Beleri nuk mori as mandatin që të mund ta humbasë për shkak të një vendimi gjykate, ndërkohë që Partia Socialiste nuk procedoi me ankim administrativ në KQZ për zgjedhjet e Himarës. Çka na bën të kuptojmë se ajo e njohu rezultatin e Himarës, por vendosi të burgosë fituesin.
s.zaimi
Comments
Si Epiriot foles greqisht por
Si Epiriot foles greqisht por me gene e gjak shqiptar edhe 2 partite e medha qe e mbeshteten Z.Bejleri treguan edhe nje here se nuk kane asnje lidhje me Moralin e Ethiken qe ka cdo shtet ne bote por u treguan gjestin tipik shqiptar non sens me Familjen edhe vendin qe i mban .Per mua eshte Turp -Ka standarte bota per Drejtues Publik me pare duhet Integriteti personal pastaj Morali-Etik ne baze te kushtetutes pastaj vjen programi apo vizioni qe ka per te miren Publike .Zoti bejleri nuk i ka pike. Turp per Himaren edhe Bregun
Add new comment