Ukraina, mes llogoreve të LIB dhe Luftës së Yjeve. Koha e gjalpit mbaroi, erdhi koha e topave
Kreu i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka ndarë në blogun e vet disa komente rreth Konferencës së Sigurisë së Munihut. Duke u ndalur kryesisht te lufta në Ukrainë, Borrell ka bërë dy vërejtje që meritojnë të sillen në vëmendje pasi priren të paraqesin opinione me rëndësi në qarqet vendimmarrëse dhe lidhen me historinë e Europës.
Ne nuk duhet të lejojmë që Rusia të shpërblehet për agresionin e saj. Nëse Putin fiton kjo do të dërgonte një sinjal shumë të rrezikshëm anembanë botës që vendet e fuqishme mund të ndryshojnë kufijtë në mënyrë të njëanshme…Nëse nuk veprojmë shpejt në muajt e ardhshëm, Ukraina rrezikon të humbasë terren. Ne duhet ta mbështesim Ukrainën edhe më shumë, dhe sa më shpejt, veçanërisht me municion artilierie. Ne po dëshmojmë një lloj të ri lufte: një luftë e cila evokon si llogoret e Luftës së Parë Botërore ashtu edhe robotët e Luftës së Yjeve…Ne duhet të gjejmë rrugët të furnizojmë Ukrainën me zhvillimet më të fundit teknologjike
shkuan Borrell.
Ai ka prekur po ashtu ndikimin e narrativës ruse në atë që quhet Jugu Botëror, ku “shumëkush e akuzon BE-në për standarde të dyfishta”. Ai ka bërë thirrje që BE-ja të marrë masa urgjente për përmbysjen e narrativës në fjalë, nga e cila përfiton sipas tij Rusia. Në fund, Borrell ka theksuar nevojën për rishikimin e politikës së mbrojtjes së Europës që sipas tij do të mishërohet edhe në një draft të ri për Strategjinë Europiane të Industrisë së Mbrojtjes.
Për dekada ne kemi preferuar në mënyrë të kuptueshme, gjalpin ndaj topave. Por nëse nuk jemi të aftë të mbrojmë veten, ne rrezikojmë të humbasim jo vetëm gjalpin tonë, por edhe lirinë dhe demokracinë…Përgjegjësia jonë në nivel BE-ja…nuk është ndërtimi i një “ushtrie europiane”, por mobilizimi i ushtrive tona kombëtare në një mënyrë të koordinuar për të përballur sfidat e përbashkëta më efektivisht
shkruan Borrell.
Add new comment