Karantinë nga ndotja

Postuar në 15 Shkurt, 2024 18:11

Në Bangkok, ndotja ka krijuar një situatë të ngjashme me atë të Covid-it katër vite më parë. Qyteti ku lëvizin 10 milionë automjete është mbuluar nga një re e dendur smogu, duke i detyruar autoritetet të urdhërojnë punonjësit e administratës të punojnë nga shtëpia.

Ndotja e ajrit shkaktohet nga një përzierje "vdekjeprurëse", në të cilën kontribuojnë praktika e djegies së të korrave, trafiku i rënduar dhe prodhimi industrial.

Sipas faqes zvicerane të monitorimit të cilësisë së ajrit IQAir, niveli i grimcave të imta të thithshme në qytet është 15 herë më i lartë se niveli i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Rezultati? Bangkoku është qyteti i tetë më i ndotur në botë.

Situata është pëkeqësuar deri në atë pikë saqë shumë prej njerëzve që qarkullojnë në rrugë raportojnë probleme me frymëmarrjen dhe kruarje të syve, për shkak të sasisë së madhe të pluhurave në ajër.

Në vitin 2022, numri i automjeteve në Bangkok ka tejkaluar numrin e banorëve, sipas Byrosë së Politikave dhe Planifikimit të Transportit dhe Trafikut.

Në total ishin 10.67 milionë automjete të regjistruara për 10.53 milionë banorë. Mjetet personale përfaqësojnë më shumë se dy të tretat (68,7%) e totalit të udhëtimeve të kryeqytetit, të ndjekura nga transporti publik (20,2%), në këmbë (5%), taksitë (4,2%) dhe autobusët (1,9%).

Ndotja është problem serioz dhe afatgjatë. Sipas BBC, në nëntë javët e para të vitit të kaluar më shumë se 1.3 milionë njerëz vuajtën nga sëmundje të lidhura me ndotjen e ajrit. Në vitin 2016, mbi 33 000 vdekje në Tajlandë iu atribuuan ndotjes së ajrit, 32 mijë në 2019, rreth 29 mijë në 2021. Në vitin 2019, kostot sociale të lidhura me smogun arritën në 2.17 trilion THB, e barabartë me pothuajse 11% të PBB-së së vendi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.