Dy shtetarë në mëngjes pune
Nëse sheh nga jashtë raportimin mediatik mbi Shqipërinë mund të mendojë se pak orë e ndajnë nga qameti.
Ka një zhurmë e një zallamahi duke nisur nga Parlamenti e deri në media, për të vazhduar me dhunën në rrugë dhe shoë televiziv të zhanrit urban-porn, që thua çfarë e ushqen këtë histeri kolektive.
E megjithatë asgjë nuk është e vërtetë. Asnjë konflikt nuk rrezikohet sepse teatri i të ashtuquajturit debat politik nuk cenon më as interesin e me gjasë as kureshtjen e një pjese të madhe qytetarësh. Absurdi ka mbërritur deri aty sa shumë po shpresojnë që “Amerika të fusë në burg disa”, duke dëshmuar se ka një dëshirë të dëshpëruar për t’u hakmarrë duke uruar poshtërimin. Marrjen e pasurisë. Por kaq. Asgjë më shumë.
Në këtë kaos dhe anarki të rreme, ku aktorë janë aksionerët e pasurimit me politikën, ka një ngjarje skenike unike. Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një mëngjes pune me ministrin e Jashtëm Igli Hasani. Mund të pyesim: çfarë pune kanë apo bëjnë këta zotërinj?
Se që as njëri nuk është ai që prezantohet këtë e dëshmon edhe fakti se opozita e tanishme që nuk lë gjë pa akuzuar, këta të dy nuk i përmend. Imagjino: sot kishte reaguar Rexhep Mejdani për krizën në Parlament, kurse Bajram Presidenti nuk ka thënë asnjë fjalë. Asnjë.
Ministri i Jashtëm pastaj i rri z. Hasani si një etiketë Helloween, si një aksident i lumtur në jetë me të cilin nuk di çfarë të bësh.
Tani këta të dy takohen bashkë. Për një mëngjes pune madje!!! Është e vështirë që të përsëritet kontrapunkti politik në mënyrë kaq komike dhe të paverbalizuar sesa nga ky takim! E prezanton më mirë se çdo gjë tjetër Shqipërinë e sotme: ata mund të vriten e burgosen. Po çfarë të bëjmë ne fundja?! Ja pra, a nuk themi të gjithë kështu? Politika dhe ne jemi dy planete në këtë Shqipëri të ndarë nga bakaportat e absurditetit dhe vetëizolimit. Këta të dy duhen falenderuar që ashtu, ndoshta se nuk kanë se çfarë të bëjnë, u takuan bashkë.
s.zaimi
Comments
Ka thene gje kapterri per
Ka thene gje kapterri per marreveshjen e refugjateve me Italine?
Add new comment