Senati hedh poshtë rezolutën Sanders për Izraelin

Postuar në 17 Janar, 2024 21:54

Senati amerikan hodhi poshtë nismën e Bernie Sanders, e cila parashikon mbështetjen ushtarake ose jo ndaj Izraelit, në varësi të konstatimit nëse po shkelen të drejtat e njeriut apo ligjet ndërkombëtare në Gaza.

Vetëm 11 senatorë e mbështetën propozimin e Sanders, ndërsa 72 të tjerë votuan kundër.

Edhe pse rezoluta u hodh poshtë lehtësisht, ajo përbën një test që reflekton mosmarrëveshjet mes demokratëve amerikanë për mbështetjen e Izraelit.

Propozimi parashikonte që Departamenti i Shtetit të hartonte brenda 30 ditësh një raport mbi luftën në Gaza, për të përcaktuar nëse ka janë shkelur të drejtat e njeriut apo marrëveshjet ndërkombëtare. Nga gjetjet e raportit do të varej edhe mbështetja ushtarake ndaj Izraelit.

"Ne duhet të sigurojmë që ndihma e SHBA të përdoret në përputhje me të drejtat e njeriut dhe ligjet tona," tha Sanders në një fjalim përpara votimit, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për atë që e quan dështimi i Senatit për të marrë në konsideratë çdo masë që merr parasysh efektin e luftës tek civilët.

“Për mendimin tim, Izraeli ka të drejtën absolute për të mbrojtur veten nga sulmi barbar terrorist i Hamasit më 7 tetor, nuk ka dyshim për këtë”, tha Sanders për Associated Press në një intervistë përpara votimit.

Por ajo që Izraeli nuk ka të drejtë të bëjë – duke përdorur ndihmën ushtarake nga Shtetet e Bashkuara – është të shkojë në luftë kundër të gjithë popullit palestinez”, tha Sanders. "Dhe sipas mendimit tim, kjo është ajo që ka ndodhur."

Mes protestave kundër luftës në të gjithë SHBA-në, përfaqësuesit progresistë duke përfshirë Rashida Tlaib, Ilhan Omar, Barbara Lee dhe Alexandria Ocasio-Cortez kanë bërë thirrje për një armëpushim. Në një letër drejtuar presidentit amerikan, shumë prej tyre theksuan se mijëra fëmijë janë vrarë në bombardimet izraelite.

SHBA i jep Izraelit 3.8 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë çdo vit, duke filluar nga avionët luftarakë deri te bombat e fuqishme që mund të shkatërrojnë tunelet e Hamasit. Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë 14 miliardë dollarë shtesë.​

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.