Nota serbe në Samitin e Brukselit, provon keqdashjen e diplomacisë europiane në krizën e fundit në Kosovë

Postuar në 14 Dhjetor, 2023 16:03

Kërkesa e qeverisë serbe për mbajtur rezerva mbi Deklaratën e Samitit të Brukselit, sipas të cilës Serbia nuk e njeh Kosovën, dëshmon qartë se diplomacia perëndimore e sidomos ajo europiane në Ballkan ka dështuar.

Ne mund të shohim te ky qëndrim i kryemnistres serbe edhe një manovër taktike për të mos lejuar lëshime përpara zgjedhjeve të 17 dhjetorit, por është tanimë e papranueshme që tolerimi i Serbisë në qëndrimet e saj cinike ndaj detyrimeve që vetë ka marrë të mbërrijë deri në pikën sa poshtëron përfaqësuesit e politikës së jashtme të Bashkimit Europian.

Çfarë mbetet të thonë në këtë kuadër Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak të cilët janë aktualisht të izoluar në korridorin e ngushtë ku hynë me politikën e tyre në Kosovë. Cili është kuptimi i të ashtuquajturave masa shtrënguese ndaj Kosovës, për të cilat edhe dje zyrtarë të lartë të politikës së jashtme perëndimore bënë thirrje që të hiqen?

Reduktimi i politikës rajonale të Perëndimit në pikën kur Serbia edhe pas Banjskës vazhdon të injorojë presionet e bëra, dëshmon se në Bruksel dhe disa vende të Europës, Aleksander Vuçiç vazhdon të shihet si karta e vetme për t’u marrë seriozisht. Ajo sinjalizon po ashtu se për ngjarjet e Banjskës asnjë hetim nuk ka për t’u kryer, se Radoiçiç dhe kërkimi i tij ndërkombëtar është një formalitet të cilin Beogradi nuk ka për ta respektuar veçcse në fazë të fundit.

Por kjo situatë provon katërcipërisht se ajo që ndodhi gjatë verës së shkuar në Kosovë, ishte një diplomaci e amputuar nga synimet pozitive përderisa në dritën e kësaj që po ndodh, ajo synonte të arrinte rezultate vetëm duke peshuar mbi palën më të dobët. Mbi Kosovën, duke e dhunuar pozitën e saj dhe duke kastruar çdo të drejtë të saj për të kërkuar paritet në tryezë. Ndaj tingëllojnë shumë të hidhëta ato thirrjet e verës së mbarë aksionit opozitar kosovar se “po ndahemi nga Perëndimi”, sikundër po kaq të hidhura janë qëndrimet e Tiranës zyrtare që presoi mbi këtë “argument”.

Riafirmimi i pozicionit serb që nuk dallon në asnjë pikë në aspektin formal nga ai i Millosheviçit në Rambuje, është prova më e mirë se Perëndimi duhet të ndryshojë kurs në Ballkan nëse politika e tij është ajo që ai postulon. Përndryshe ne do të vazhdojmë të diskutojmë qëndrime dhe mesazhe zyrtarësh europianë të cilët ne asnjëherë nuk kemi për ta ditur me siguri se çfarë përfaqësojnë në realitet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.